Arsimi i Lartë në vendin tonë po përjeton, ashtu si gjithë vendi, një dinamikë dhe njëkohësisht një problematikë në kahje dhe në përvijime strukturore të ndryshme. Lidhjet me institucionet homologe europiane dhe kërkesat cilësore të “Procesit të Bolonjës”, kanë krijuar një situatë dhe një klimë të re, për të cilën mendoj se duhet të jetë në fokus të shtjellimeve dhe të analizave në vijim, në rradhë të parë nga specialistë, ekspertë, drejtues të niveleve të ndryshme të arsimit të lartë dhe mbi këto analiza, deduksione e përfundime duhet të mbështeten edhe shtresimet e politikës për të hartuar strategji e politika kurrikulare që të jenë në funksion të sfidave të tregut e të integrimit, të jenë në harmoni me zhvillimet cilësore të ekonomisë dhe të shoqërisë sonë, të favorshme për pasurimin e tyre në formë e në brendi.
Jemi të mendimit se tashmë ka ardhur koha të bëhet e qartë për të gjithë se ç’përfaqëson në vetvete “Procesi i Bolonjës”? A është ai më tepër një proces akademik, apo mund të trajtohet vetëm nga këndvështrimet e politikës apo të disa drejtuesve politikë që hyjnë e dalin dhe më pas harrohen?
Një pyetje dhe problematikë shqetësuese është e dhe se “A i përgjigjet legjislacioni aktual standardeve të cilësisë që kërkon “Procesi i Bolonjës” dhe “Tregu i Punës” në vendin tonë dhe në Hapësirën Europiane të Arsimit të Lartë e më gjerë”? Këto dhe të tjera, janë disa pikëpyetje që mendoj se duhet në radhë të parë të bëhen objekt i një shtjellimi analitik, sipas koncepteve dhe praktikave që burojnë nga UNESCO e nga strukturat përkatëse të specializuara të KE-së, nga specialistë dhe nga menaxhues të niveleve të ndryshme të përfaqësimit të universiteteve dhe të fakultetve të ndryshme në të gjithë vendin, aq më tepër tashmë që është përvijuar zhvillimi në Zonën Evropiane të arsimit të lartë, deri në vitin 2020.
Prej kohësh në Europë është bërë tashmë normë që nënshkrimeve të ministrave të arsimit, konkluzioneve të konferencave ndërkombëtare u paraprin në mënyrë transparente një pjesëmarrje e ekspertëve, debatimit të tyre rreth çështjeve kardinale që ka shtruar dinamika reale e “Procesit të Bolonjës”, e cila nuk është më një deklaratë, por një proces kompleks shumëplanësh akademik dhe një raportim çdo dy vjet nga titullarët e dikasterve të arsimit për rrugën në të cilën ecën dhe zhvillohet arsimi i lartë në vendin e tyre, në raport me Zonën Europiane të Arsimit të Lartë dhe që ajo duhet të bëhet e njohur për botën akademike e universitare e çdo vendi që ka nënshkruar “Procesin e Bolonjës”.
Le të ndalemi më konkretisht :
Deri në vitin 2005, kur ende në fuqi ishte ligji i arsimit të lartë që kërkonte të shtriheshin studimet në tre cikle dhe titujt e diplomave të ishin produkt i një mendimi të gjerë, të kualifikuar i profesoratit dhe i ekspertëve të arsimit të lartë, në referencë edhe me përvojën e traditën e fituar në të gjithë dinamikën e shkollës sonë të lartë, iu la emërtimi i diplomave dhe i kurrikulave universitare vetë stafeve akademikë, të cilët do të përcaktonin mbi bazën e standardeve të cilësisë programacionin lëndor, raportin e nevojshëm brenda kurrikulës dhe ku në të ishte parashikuar edhe ajo që quhet nga ekspertët e arsimit të lartë pranë KE-së kurrikula ndërkombëtare, pikët e kreditit, ECTS, si standard europian, transferimi i studimeve dhe i stafeve akademike, si edhe emërtimi i titujve të diplomave, të cilat të merrnin në vlerësim edhe kontinuitetin e diplomave në rrymë të viteve të shkuara, në harmoni me dinamikën e tregut të punës, si edhe me sistemin e studimit(autori i këtij shkrimi ishte koordinator i MASH-it shën.im).
Por çfarë ndodhi, në mënyrë të veçantë pas vitit pas vitit 2007 e në vijim?!.. U përmbys e gjithë tradita dhe u krijua një pështjellim në ciklet e studimit, në titujt e diplomave, në realizimin kohor të studimeve sidomos “master”, duke mos sqaruar konkretisht se çfarë përfaqësonin në vetevete diplomat 4-ër dhe 5-së vjeçare të fituara deri në vitin 2007. Më bindëse e argumentuese bëri këtë pështjellim, kur për referencë për pyetësorin e BE-së u mor përvoja e Maqedonisë, e cila kishte të njëjtin sistem studimi si edhe ne, deri në vitin 2007, pra : bachelor, master dhe doktoraturë, kur ne shtuam një cikël kohor studimi 2-vjeçar, DND, të cilin tashmë duam ta identifikojmë, ta njësojmë me master shkencor e më keq akoma, kur diplomën 4-vjeçare të dhënë para vitit 2007, ligjërisht, por jo sipas strukturës kurrikulare akademike, është barazuar më diplomën “Master i shkencave”.
Jemi të mendimit se ky kaos në titujt e diplomave, si një kundër rrymë nga tradita më pozitive vendase e europiane dhe pa marrë në vlerësim atë çka ishte realizuar, deri në vitin 2005 dhe i shtrirë për arsye ligjore deri në vitin 2007, ka një përplasje me tregun e punës, si global edhe vendor, ka një inkoherncë me titujt e diplomave të fituara në fusha të ndryshme studimi në cikle kohore të ndryshme.
Sistemi i studimit. Ajo që i bën edhe më problematike titujt e diplomave është shtrirja kohore e cikleve të studimit, pra sistemi i studimit dhe në mënyrë të veçantë cikli i parë bachelor. Konventa e Lisbonës nuk ka nënvizuar asnjëherë se kohëzgjatja e studimeve duhet të jetë patjetër 3 vjet, por bazuar mbi lirinë institucionale dhe akademike të universiteteve ajo është në kompetencë të vetë strukturave universitare dhe të branshit të studimit, por jo më pak se 3 vjet, pra mund të jetë edhe 4 vjet, përvojë që e ka edhe Maqedonia, Rumania, Bullgaria, Greqia etj. që është variabël dhe jo e ngurtë e statike.
Le t’i vëmë për një çast diplomat, titujt e tyre përballë tregut të punës. Në praktikën europiane sot është kthyer në normë që titujt janë në varësi të tregut, të shumanshmërisë së tij dhe vetë kurrikula është e lidhur me këtë dinamikë, për të realizuar praktikisht diplomim cilësor, kusht sinekuanon i “Procesit të Bolonjës”.
Jemi të gjithë të vetëdijshëm që megjithë disa rregullime ligjore të kohëve të fundit, ka një përthyerje, ka një mungesë koherence dhe në një vijë me kolegët e homologët e vendeve të ndryshme europiane, me përjashtim të Italisë, ku edhe në të gëlojnë zërat e shumtë për ndryshim dhe këtë madje e kanë shprehur edhe në veprimtaritë tona të përbashkëta, titujt e diplomave universitare në programe të ndryshme studimi dhe në cikle të ndryshme janë akorduar në mënyrë subjektive, duke mos ruajtur traditën dhe duke rrumbullakosur ciklet e studimit me një lehtësi të atillë, sikur mos të marrin në vlerësim se çdo cikël kohor ka një kurrikul të veçantë të organizuar, sipas objektivave konkretë dhe në raport me rrafshin kohor të zhvillimit të tij dhe të profesoratit, cilësisë së tij, të teknologjisë së mësimdhënies, të informacionit, të literaturës shkencore, të krediteve, ECTS, etj.
Shtrojmë pyetjen se kush mban përgjegjësi për ndryshime të tilla dhe që nuk ka marrë në vlerësim principet themelore te “Procesit të Bolonjës” e të tubimeve vijuese në funksion të saj ?!…Mjafton të përmendim procesin e marrjes së titullit shkencor “Prof. Asoc.” me atë të “Profesorit”. Në një dekadë kohore dy standarde, a thua se nuk jemi në një vend, brenda një komuniteti shkencor, profesorësh, por që disa duhet ta fitojnë në Universitet, disa në MASH, më pas me invers etj.
Disa nga fushat kryesore të sfidave të AL
- Reformimin e sistemit të kualifikmit shkencor, kornizës së kualifikimeve, e cila të synojë përgatitjen e specialistëve të aftë për të kryer veprimtari pedagogjike dhe kërkimore shkencore me tregues të krahasueshëm me atë të homologëve europianë, dhënia e gradës shkencore apo të niveleve të tjera më të larta, sipas kritereve të përcaktuara qartë në akte normative nënligjore, të cilat nuk duhet të ndryshohen në funksion dhe në varësi të ndryshimeve politike, por mbi bazën e një përvoje të fituar dhe atë të praktikave më të mira të universiteteve homologe europiane.
- Krijimi i një mjedisi të ri aktual të përshtatshëm akademik e ligjor. Mendoj se tashmë ka ardhur koha që edhe vetë universitetet e “rretheve” në ato programe studimi që kanë përvojë, staf të përgatitur dhe infrastrukturën e nevojshme universitare duhet të jenë gjithëpërfshirëse e të marrin pjesë sidomos në kualifikimin dhe diplomimin e ciklit të tretë universitar, sipas objektivave dhe dinamikës së shtruar përpara komunitetit akademik të arsimit të lartë nga “Procesi i Bolonjës”, “Konventa e Lisbonës” e që kjo mos të jetë monopol vetëm i disa universiteteve si në të shkuarën etj.
- Integrimi në këtë strukturë të re të përgatitjes universitare do të bëjë të mundur që universitetet, akademitë etj. mund ta gëzojnë me të vërtetë emrin që mbajnë në stemën e tyre, të fitojnë autoritetin e nevojshëm në rajonin ku veprojnë dhe më larg tij, të konkurrojnë me profesionalizëm në raport me kolegët e tyre brenda vendit, të japin kontribute reale në zhvillimin e trevës apo të rajonit, si edhe të lëshojnë diploma cilësore e të krahasueshme, brenda dhe jashtë vendit.
- Mendoj se etja pa kriter për zgjerim në programe studimi, në rritjen fictive të studentëve, të anomalisë në raportin pedagog/student, të numrit të lëndëve në kurrikulën e branshit të studimit apo në struktura akademike, pa cilësi në të gjithë përbërësit e veprimtarisë universitare, ul cilësinë e diplomimit dhe krijon problematikë në raport me sfidat e tregut të punës dhe kjo nuk duhet të shpaloset si një risi apo si një pasurim i tregut të AL. Në këtë drejtim vlen të mbahet në konsideratë vlerësimi nga UNESCO se për çdo degë studimi është e nevojshme prezenca e tre profesorëve bazë e kjo është e snaksionuar edhe në aktet tona normative, por që politika e shkuar për qëllimet e saj i ka shkelur dhe nuk ka marrë të mirëqenë mendimin e ekspertëve dhe të standardeve ndërkombëtare.
Rankimi. Është shkruar e folur në mjedise e kontekste të ndryshme rreth rankimit, pra radhitjes, sipas cilësië akademiko-administrative të universiteteve e shkollave të larta në përgjithësi. Jemi të mendimit se nuk ka rankim real, pa vendosur në legjislacionin aktual, në statute dhe në rregullore të standardeve të cilësisë të universiteteve evropiane dhe më pas mund të realizohet me objektivitet ky proces kompleks, sa ligjor edhe akademik. Ai nuk mund të realizohet me standarde subjektive të vendosura në ligj, si p.sh. kthimi i departamenteve në seksione e kjo të vishet me petkun e risisë, por të vendoset në parametrat e kërkuara nga UNESCO dhe KE-ja e më pas të realizohet krahasimi e ballafaqimi me këto standarde evropiane dhe universitetet tona të shënojnë realisht radhitjen e tyre sipas cilësië së funksionalitetit në tregun global e vendor të arsimit të lartë.
Akreditimi. Një nga objektivat themeore të “Procesit të Bolonjës” është edhe procesi I akreditimit. KY është një process sa akademik, administrative po aq edhe ligjor. Në këtë hulli, jemi të mendimit se akreditimi është I lidhur ngushtë edhe me licensimin. Po qe se akti i licensimit kalon me një një VKM ose më një akt tjetër nënligjor të pakontrolluar e të papërgatitur mirë nga strukturat e MASH-it, në ekuivalencë me standardet e cilësisë sit ë kolegëve e homologëve tanë evropianë, atëhere ai do të lërë pasoja serioze te akreditimi, i cili është i lidhur me dukuri komplekse, ku nuk përjashtohen edhe ato sociale. Po cilët do ta realizojnë atë. Jemi të mendimit se ajo rtealizohet edhe nga ekspertë vendas, mjafton që standardet e cilësië të jenë sipas strukturave të specializuara të UNESCO-s apo të BE-së.
Altreteksti. Mendoj se një nga detyrat e shpejta që vlen për t’u zgjidhur është edhe problematika e krijuar nga mania e altretekstit. Nga studimet e realizuara në nivel doktorature me studentë doktorantë të ndryshëm të trevave ballkanike, nënvizojmë se nuk realizohet në asnjë vend të këtij gadishulli në sistemin e arsimit parauniveraitar koncepti i altretekstit. Gjithashtu do të theksonim që është me urgjëncë edhe dhënia e teksteve falas deri në arsimin 9-vjeçar, ashtu si e kanë edhe shumë vende që na rrethojnë dhe për këtë nuk duhet të dëgjojmë ende në këto ditë nxehta “këshilltarë” pensionistë, të cilët për meritë kanë vetëm akuzat ndaj Z. E. Rama për “rënie çatie në shkollat që ata kanë drejtuar politikisht” dhe ende nuk e kuptojnë se çfarë dëme i kanë bërë, si arsimit parauniversitar ashtu edhe atij të lartë. Nga këta konsulentë pensionistë, që çuditërisht trajtohen si akademikë, ku teoria e praktikumi i tyre “risues” 8–vjeçar ka perënduar në 23 qershor, ende nuk ka një studim të botuar në rrafsh evropian lidhur me këtë praktikë të aplikuar, por janë mjaftuar duke i parë nxënësit e niveleve dhe tipeve të ndryshme të shkollave si klientë bisnesi dhe jo “si një e mirë publike”. Mbi cilën bazament njohurish do të realizoheshin provimet me detyrim dhe me zgjedhje, kur kemi një fenomen të altretekstit, cilësi e arsimit të lartë në kushtet e lirisë dhe autonomisë akademike? Mendojmë se është kjo që nuk përdoret teknologjia moderne në vlerësimin e testimit.
Standardet në strukturat akademike janë të një rëndësie të vecantë për një mirëfunksionim të veprimtarisë universitare sin ë mësimdhënie, në mësimnxënie, ashtu edhe në mbrojtjen e disertacioneve në ciklin e dytë master e në ciklin e tretë në doktoraturë.
Një nga ndryshimet e pabazuara në legjiskacionin e AL në vitin 2007 është edhe ajo e strukturave akademike. Le të përmendim faktin se departamentet nga numri 13-të i pedagogëve që ishin përpara këtij viti, u shndërruan në 7, aq sa ishte numri i pedagogëve në një seksion dhe ra numri i nevojshëm për një veprimtari aktive e komplekse ciklore universitare të rolit funksional të departamentit.
Kurrikula ndërkombëtare. Jemi të mendimit se një vëmendje më e veçantë duhet t’i kushtohet nga Institucionet e ndryshme të Arsimit të Lartë të vendit edhe hartimit të kurrikulave me theks e kahje ndërkombëtare. Një shtysë të rëndësishme do t’i japë cilësisë së kurrikulave, teknologjisë së mësimdhënies dhe në përgjithësi studimeve universitare në të gjithë përbërësit e vet edhe akti normativ për “Suplementin e Diplomave”, i cili ende nuk po gjen zbatim cilësor dhe nuk shoqëron diplomën e fituar. Ai, mendoj se do ta bëje arsimin e lartë të krahasueshëm me homologët e vet europianë e më gjerë.
*Prof. Asoc. Dr. Valier Peshkëpia, ekspert i AL

konplimente artikull serioz.
Por per stafet eshte menduar te shkruhet qe nuk bejne mesim te rregulli se pedagoget shkojne ne universitetet private dhe aty nuk te paguan njeri pa u paraqitur ne mesim.
Aq me teper kur kryeministi i larguar trumbetonte per gjuhet e huaja deri te ajo kineze por vazhdoji te lejoji zhvillimin e mesimit te gjuhes angleze me pedagoge me kohe te pjeseshme dhe nuk qe i zoti ye krijonte Departamente te gjuhes se huaj ne cdo Fakultet si premtoji,
keshtu mesimi i gjuhes se huaj eshte dhe jo zhvilluar me pedagoge qe mungonin, pasi jane te jashtem e qe bejne vleresim re barabarte note per te qene i mire me te gjithe,
Jam dakort me te gjitha masat e propozuara, por sa te behen ato dhe te stabilizohet gjendja duhet te vihen kritere matese te punes se pedagogeve, si per shembull:
1. ” Sa perqind te studenteve te sapo diplomuar u sistemuan ne pune ne specialitetin e tyre ne sektorin privat”?
ose nje tjeter,
2. “Per shtesen e pages qe merr pedagogu nga pasja e titujve te ndryshem,(pamvaresisht si i ka mare,le ti mbaje), Cfare perfitimi ekonomik solli per shoqerine ne vitin qe kaloi”?
dhe ne raste se nuk ka bere gje,atehere ti pritet shtesa dhe ti thuhet puno kete vit qe ta maresh vitin tjeter.
Pra te gjitha shkollat e larta publike duhet te jene te lidhur me ekonomine, te punojne dhe te jetojne per ekonomin ,qe nga punimet shkencore te pedagogeve shkolla te nxerre te ardhura, jo vetem te kerkoje nga buxheti ose donacionet e ndryshme dhe te hartoje studime qe mbeten ne leter dhe si hyne e pune askujt.
Harilla Rexho, inxhinjer mekanik i UT,1979.