Këtë vit qeveria nuk do të caktojë rreth as 50 dollarë si shpërblim festash për pensionistët. Është krizë dhe vec kësaj, motivet për të bërë këtë gjë mungojnë. Grupimi i pensionistëve e ka humbur prej vitesh interesin elektoral të kryeministrit dhe kjo jo pa arsye. Së pari, vit pas viti, zhgënjimi i pensionistëve është thelluar bashkë me pleqërinë e tyre, për shkak të jetesës që sa vjen e bëhet edhe më e vështirë. Për shkak se mizerja në vend ka një shkak dhe ky shkak është qeveria. Kjo përkthehet në vota kundër tw “thinjoshwve tw pabesw”.
Së dyti, kryeministrit i duhet të mbushë plasaritje pa fund. Besimi i administratës shtetërore, edhe te pjesa militante, ka filluar të lëkundet, ndërkohë që vendi ka marrë tatëpjetën. Kadi Saliu e di se administrata shtetërore duhet të ketë frymëzim të ri të nevojshëm në prag të zgjedhjeve. Prandaj, në kulmin e krizës, nënpunësat e shtetit do të shpërblehen jo me 50, si dikur pensionistat, por me 100 dollarë. Ky shpërblim po ju afrohet rrogëtarëve të shtetit si përmes një ekrani imagjinar, që kryeministri ka ndezur para syve të tyre si për t’ju kujtuar bukën e përditshme të fëmijëve. E parë kështu, shpërblimi nuk ishte i tillë, as premtim, por “karem” për vëmendjen që nëpunësit militantë duhet të kënë. Edhe në betejën e ardhshme të manipulimit të procesit zgjedhor, nwse do jetw nevoja.
50 dollarë nuk janë shumë, por nuk janë as pak për ata që nuk i kanë të ardhurat 3 herë më shumë se kaq. Mirëpo, lajmi i keq u fanit si një re e zezë në mendjen e turmës së mplakur. Nuk do të ketë 50 dollarë dhuratë për pensionistët këtë vit. Dhuratë dyfishe do ketë vec për administratën. Do t’i mungojë ky ngazëllim i Vitit të ri tryezës së pensionistëve këtë herë. Tingulli i shpresës do të shuhet zvarrë në veshët e tyre. Do të prishet simboli i dhembsurisë së kryeministrit. Do të fashiten tërësisht kujtimet. Do të shuhet fantazia dhe bashkë me të edhe dëshira për të kujtuar dëshirat që patën lindur natyrshëm kur kishte “dhuratë kryeministri”. Këtë vit nuk do të ketë: Do të pllakosë një dimër i ri mbi dimrin e pleqërisë me dhimbje kockash dhe dhimbje shpirti për shpërfilljen barbare të qeverisë në prag të ndërrimit të viteve. Kujdesi i “të madhit” nuk do të jetë më, edhe pse i madhi do vazhdojë të jetojë, të festojë, të përfytyrojë edhe pijë verë Vezuli me miqtë e tij aleatë dhe mikeshat me diamante ne veshë apo në kërthiza. Kuletat e pensionistëve, do të jenë të ftohta edhe në natën e ndërrimit të viteve. Nëpër themelet e gurta të shtëpive, nuk do të ketë pendë këndezi të therur, as si kurban i fatit të tyre. Sigurisht, kryeministri do flasë para dhe pas vitit të ri, si një këndez majë plehut që as shitet, as blihet e sidomos as durohet e dhurohet, dhe ata do ta dëgjojnë. Por këtë herë me shpirtin dhe xhepat e zbrazur.