Mbi disa probleme me provimin e maturës

redaktor

I nderuar z.Thano!

Ndryshimet që priteshin e priten të ndodhin në sistemin arsimor ishin të diktuara jo vetëm nga nevoja e një standardi bashkëkohor, por edhe nga fakti se situata ishte dramatike.

Rritja cilësore e arsimit shqiptar përfshin një gamë të madhe drejtimesh e synimesh nga reformimi i strukturave drejtuese të arsimit, nga qendra deri në bazë, te rritja e kërkesës së të gjithëve për një nivel më të lartë të mësimdhënies.

Përpjekje po bëhen. Por nëse shkojmë me mendimin se çdo gjë e di qeveria dhe këto që presim na i sjell vetëm ajo, atëherë ne do të jemi skllevër modernë. Mendoj se duhet të jemi vetë ne më aktivë, pavarësisht se eprorët tanë janë “ekspertë” për çdo gjë.

Detyrohemi të shprehemi kështu sepse ndryshimet që presim, nuk po i shohim me ritmin e duhur. Dhe kur shohim gjëra shqetësuese, ne nuk duhet të heshtim.

Kemi shprehur mendimin për procesin e testimit të mësueseve në dhjetorin e vitit të kaluar. Të vish me teorinë e testimit që në fillim, pa u përgatitur dhe pa i lënë kohë objektit që do testosh – do të thotë të jesh me paragjykim. Dhe më e padëshirueshmja: nuk e zgjidh problemin.

Shtroj pyetjen: Sa i shërbeu ai testim sistemit tonë arsimor? Çfarë ndryshimesh solli, përveç ndonjë emërimi të veçantë?

Me keqardhje së fundi vumë re një praktikë të përsëritur: Parregullsi në provimet e fundit të maturës e të lirimit. Bëjmë përpjekje të vazhdueshme gjatë gjithë vitit shkollor dhe presim edhe ne si shkollë e si mësues të shohim rezultatet e punës sonë. Por pësojmë një zhgënjim total. Na barazohet rezultati i nxënësit tonë të mirë me një nxënës me niveli të ulët të një shkolle tjetër.

Çfarë u vu re? Në ditën e parë nuk u vumë shumë rëndësi pëshpëritjeve të nxënësve për kopjim në sallën e provimit. Por kur morëm në duar rezultatet u habitëm. Vumë re se nxënësi që me zor kaloi klasën në provim rezultoi me notë 9 (nëntë). Apo nxënësi me notë vjetore 5 (pesë të tijën) mori në provim notën 10 (dhjetë). E habitshme, por është fakt. Dhe faktet flasin vetë duam apo nuk duam ne.

Nuk mbaron këtu: Në tezen e matematikës, një problem gjeometrie kishte një koncept që u kundërshtua nga nxënësit e një shkolle sepse nuk ishte zhvilluar në shkollën e tyre. Dhe drejtuesit në atë sallë provimi ndërruan kërkesën duke e përshtatur ashtu si u propozua nga nxënësit! Por në po atë shkollë i nënshtroheshin këtij provimi edhe nxënësit e dy shkollave të tjera. Një pjesë e tyre refuzuan këtë ndërrim. Por drejtuesit nuk pranuan dhe teza u shtrua ndryshe nga ç’kishte ardhur në zarf nga ministria.

A thua se provimi kishte të bënte vetëm me nxënësit që ndodheshin në atë sallë e jo më gjithë nxënësit e Republikës! Në bisedë me kolegë dhe drejtues më shprehën se “kjo është Shqipëria”. Jo zotërinj, as mos guxoni të shpreheni kështu sepse pa e kuptuar pranoni disfatë, krijoni pesimizëm.

Sistemi ynë arsimor tashmë ka pranuar dhe shkollën private dhe jo pak prindër shpenzojnë shumë. Por kur shoh fenomene të tilla shtroj pyetjen pragmatike: Bëra gabim që e shkolloj me lekë fëmijën tim për të marrë në fund të vitit të njëjtën notë në provim me një nxënës tjetër që nuk paguan dhe arrin notën që do në provim?!

Shpresojmë që këto shqetësime të mos bien në vesh të shurdhët. Unë besoj se ndjeshmëria dhe shqetësimi pas këtyre rasteve do të amplifikohen.

 

Letër e nënshkruar

Xh.Ceroni, Mësues matematike

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *