Në përvjetorin e dhjetë të vdekjes së Ibrahim Rugovës, kryetarit të LDK-së, sërish institucionet më me peshë të dy republikave shqiptare, natyrisht në kor edhe mediat, në vend se të hapnin debatin politik mbi fenomenin Rugova në politikën shqiptare, me kohë u interesuan ta mbysin atë (debatin) përmes një kakofonie të pashembullt. Ka ca personalitete, gjithësesi pa ndonjë begraund shkencor, që vazhdojnë tutje të ligjërojnë për kuazitrashëgiminë politike të Ibrahim Rugovës!
Disa sosh, për të mos thënë shumica absolute, vijnë prej mileut social të “botës së letrave”. Për rrjedhojë, ata nuk kanë idenë se kjo trashëgimi është krejtësisht e mjerë. Kjo kategori, duke qenë edhe vetë të zhytur në ujrat e kolaboracionizmit gjatë epokës së pushtimit serb, sidomos në dy dekadat e fundit të shek. XX-të, jo pa qëllim ngatrrojnë vizionin me veprimin politik.
Në këtë përvjetor, shih për këtë, në vend se t’i hapë rrugë gjykimit racional, kjo sortë tallet me opinionin shkencor dhe publik, e na e risjell në kujtesë një të ashtuquajtur Dekalog politik inegzistent!
Nëse Filozofia e Satiagrahës (pra gandizmi, siç njihet botërisht) ishte përqëndruar në trashëgiminë politike autoktone, që nënkuptonte përqasjen në kërkim të së vërtetës, dhe që kishte për qëllim që “durimin përqendrues të indianëve” ta “aktivizonte në luftë joviolente, në veprime jo të dhunshme për arritjen e qëllimit praktik: të largimit të britanikëve dhe të pavarësimit të Indisë”, çka mund të thuhet se kishte për qëllim e ashtuquajtura filozofi politike e Rugovës pas vitit 1995, kur të gjithë ata që kishin njohuri minimale në fushën e mendimit politik, tashmë e kishin të qartë se harta politike e Ballkanit do të pësonte ndryshimin e pakthyeshëm dhe nëse edhe më tutje skenën politike të Kosovës do të dominonte LDK-ja, Kosova rrezikonte të mbetej tutje koloni e Serbisë!
Por nëse venerojmë me kujdes, përdallimin mes gandizmit real dhe të ashtuquajturës “filozofi politike të Rugovës”, do të konstatojmë pa hulumtime të thella empirike e pa analiza të stërmundimshme se, nëse i pari “nirvanën e besimit budist, ia kishte kundërvënë frikës”, i dyti, përkundrazi, kishte arritur ta mbillte frikën te shtresa të tëra të popullit, që përgjatë gjithë historisë, ishte shquar për shpirtin kryengritës.
Kjo është epoka kur një polic serb “mbarshtronte” lagje të tëra të qyteteve tona! Kjo ishte epoka kur, atë që nuk kishte arritur dot ta bënte Serbia, po e bënte LDK-ja përmes të ashtuquajturës “filozofi politke rugoviane” – meqë po shuhej gradualisht gadishmëria e popullit për t’ ju bashkuar rezistencës aktive dhe mosbindjes aktive civile, po cënohej rëndë karakteri i tyre historik i cilësuar si kryengritës. Në këto rrethana të deaktivizimit të plotë të një populli dhe rihapjes së rrugëve për dëbim të qindra e mijëra të rinjve nga Kosova, po krijohej disbalanci tragjik demografik, që Kosova vazhdon ta vuajë edhe sot.
Duke i shkëputur nga Atdheu, nga toka e tyre, të cilën “në thellësi të shpirtit të tyre kolektiv e barazonin me jetën”, siç kishte konstatuar me të drejtë Ukshin Hoti, po krijohej diaspora e re shqiptare në Europë.
***
Natyrisht derisa po vazhdojnë të heshtin sociologët, politologët, historianët… me analiza të kësaj natyre, që për objekt studimi do të kishin struktura të tëra të shoqërisë, fenomenet shoqërore…por edhe personalitetet me ndikim, qoftë ky edhe Ibrahim Rugova, në Kosovë, kryesisht këtë përqasje e bëjnë shkrimtarët dhe, si për t’ia vënë kurorën, me panegjirikë speciale na paraqitet edhe ndonjë nga ish oficerët e Armatës Jugosllave, i njohur si pjestar i Zbulimit Ushtarak (KOS-it), apo ndonjë ish redaktor i gazetës jugosllave “Komunisti”!
Liria dhe drejtësia ishin dhe vazhdojnë të mbesin temat qendrore të filozofisë politike. Qëllimi kryesor i saj mbetet tutje dhe përherë rivlerësimi i parimeve bazë që rregullojnë raportet brenda shoqërisë, pasojat dhe ndikimet e rrymave të reja të mendimit politik dhe vetë jeta institucionale shtetërore, por edhe ndikimi i tyre në jetën dhe mirëqenien e njeriut.
Filozofia politike i jep përgjegje një varg çështjeve esenciale që ndërlidhen me raportet e individit dhe shtetit. Në traktatet politike, studiuesit e çdo epoke, i kanë dhënë përgjegje çështjeve që kanë të bëjnë me shtetin, politikën, lirinë, raportet e shtetit me qytetarin etj.
E gjithë “krijimtaria” intelektuale e Rugovës, që pretendohet dhe nga pasuesit e tij si bazamenti teorik i trashëgimisë së mendimit politik, ndërlidhet me esenë “Refuzimi estetik”. Kjo ese ka objekt trajtimi interpretimin e ideve kulturore, raportet e letërsisë me politikën dhe rrjedhimisht mund të trajtohet si një traktat i mendimit estetik. Kaq.
* * *
Çështjet esenciale të filozofisë politike që kanë të bëjnë me Njeriun si qenie politike dhe Shtetin, vazhdimisht, në çdo epokë, mëtojnë t’i japin përgjigje pyetjeve që ndërlidhen me politikën dhe raportet e qytetarit me politikën.
Një pjesë të shoqërisë sonë e karakterizon tutje papërmbajtja politike, tipike për shoqëritë e vonuara, tek të cilat mendimi filozofik kaherë ka marrë arratinë nga sistemi shkollor, siç është rasti i Kosovës.
Kjo lagje publicistësh e shkrimtarësh, jo rrallë, na servirin refleksione që janë produkt i mentalitetit autoritar. Për pasojë përqasja që kanë ata ndaj fenomeneve shoqërore, përjashton çfardo mendimi kritik politik që do t’ i shërbente tejkalimit të kësaj prapambetje pothuajse historike.
Ky soj kuaziintelektualësh nuk hezitojnë të sillen kaq oportun dhe krejtësisht të padinjitetshëm, duke tërhequr paralele mes Ibrahim Rugovës dhe personaliteteve të mëdha të Kombit! Pavarësiisht diskursit moralizues me sfond human, kjo kategori vazhdon të jetë në esencë tepër konservatore dhe pengesa ndër më seriozet për rikëndelljen politike që kërkon momenti historik, çasti që po kalojmë si shoqëri.
Insistimi për të vazhduar tutje me deformimin e realitetit historik të dy dekadave të shek. XX-të, është produkt i mendimit politik prej kolaboratorësh, nga i cili shoqëria shqiptare për hir të së ardhmes, duhet të çlirohet sa më parë, nëse nuk duam që Republika dhe demokracia të mbesin peng i kësaj mendësie.
Këtë soj homosapiensi politik, Ukshin Hoti e cilësonte me plot të drejtë si përralltar.

BRAVO! Nuk shpetojme dot nga ‘Sindroma e Stokolmit’ nuk jetojme dot pa kolonizatore te ‘krishtere’ e pa kujslinge apo qehaja islamiko-Ibrahim!
Jeni shume njerezor ne trajtimin ,qe I beni Rugoves.Nder per Ty ,por ai qen I Milloshit se meriton!!!
…..dhe keshtu foli Sadri beu, ndoshta ai vet mund te definoi esencen e shkrimit.