Mbi frenezinë e djeshme e të sotme të botimeve shqip!

anazapta

Në shumë aspekte të duket se po prek me duar realitetin aktual. Sigurisht se nëse do të linim mënjanë mungesën e madhe të lëndës së parë, letrës për botim, që në atë kohë merrej shumë e mirëqenë, sikurse një aksiomë që nuk ka nevojë për vërtetim, shumëçka tjetër, në thelb të duket e njejtë. Krahasimi nuk çalon. Duket sikur po përjetohej një lloj ringjallje nga një përgjumje e dhunshme, por bashkë me të, edhe një kaos në vlera, tendenca e orientime, ku mungonte profesionalizimi e ku vendin e tij, e kishin zënë tashmë, ose një mahni e pafré për të botuar me çdo çmim nga pseudoautorë e bejtexhinj, siç i cilëson diku edhe vetë autori, ose interesat e botuesve, të cilët shpesh, duke u nisur vetëm nga norma e tyre e fitimit, sillnin në treg, një mediokritet e orientim fals, me kosto në kurriz të vlerave reale e cilësisë. Kësaj i shtohej edhe mungesa e kritikës apo reçensioneve profesionale, gjë e cila paradoksalisht, ashtusikurse edhe konstatimet e mëparshme, përkon – të paktën pjesërisht – me realitetin e sotëm.

Materiali i mëposhtëm, i përzgjedhur për (ri)botim, shfaqet për herë të parë pas kaq dekadash në shtypin shqiptar, e na rrëfen se cila ishte gjendja dhe problematika reale e librit në Shqipërinë e vitit 1944. Nëpërmjet një eseje në dukje pa emër, me shumë gjasa, shkruar nga vetë drejtori i revistës, Muzafer Pipa, botuar me titullin „Frenezia e Botimeve“ ( shih: Nr. 4, 1944, fq. 151-154), nga redaksia e të përmuajshmes letrare- kulturore „Fryma“ që u shfaq në Shkodër përgjatë vitit 1944, na jepet një tablo mëse e qartë e situatës edhe me përkthimet, apo fatin e librit ( dmth letërsisë) nga gjuhët e tjera të mëdha që silleshin në shqip, përkrah italishtes, të cilat tashmë po njihnin një rivlerësim, jo vetëm në terma artistikë, por edhe fizikë, sepse pas pushtimit italian të vendit, duket se mbi to ( sipas autorit) ishte vendosur një lloj çensure që shkonte deri në kufinj ekstremë; pertej mosvleresimit e harreses, per te rezervohej sekuestrimi apo dhe eliminimi fizik apo djegia me urdher e këtij „malli“, për t’ia lënë vendin ekskluzivisht vetëm librit italian. Kjo madje kishte ndikuar edhe nw prezencën e ulët apo injorimin e librit shqip.

Gjithsesi, çdo gjë duhet parë në kontekstin e kohës dhe platformës në të cilën është botuar edhe eséja, e cila në momente të veçanta, duket se e injoron disi me pa te drejte ndoshta trendin modern e bashkëkohor të momentit në atë kohë, duke thumbuar me ironi shijet e publikut, ndërsa diku thekson se: „Populli është naiv e gënjehet: më tepër se „Hamletët“ e „Makbethët“, atij i pëlqejnë „Urat e psherëtimave“, „Pranverat e vdekshme“ e romanet e verdha!”. Po ashtu, autori me tone të ashpra kritike ndonjëherë të duket edhe kundërthënës në konstatimet e veta ndërsa shkruan se: “Kjo çmenduri botimi (është fjala e drejtë kjo) do të kalojë si çdo çmenduri tjetër. Edhe për pak kohë, derisa llogaria nuk është bërë ende, ky hov do të vazhdojë…”, pavarësisht se në fillim e vlerëson riafrimin e njerëzve tek libri, apo ringjalljen e librit shqip. Në fund, autori e mbyll punën e vet me  thirrjen: Letërsia shqipe ka nevojë për dinjitet. Në këtë aspekt, artikulli i mëposhtëm përbën një burim të pazëvendësueshëm informativ e një dëshmi me vlerë për të trajtuar një problematikë si ajo e „librit shqip“ e bërë krahasime në një plan relativisht të afërt kohor, por që reflekton një periudhë jashtëzakonisht interesante, për të cilën duhet pranuar se njohuritë vijojnë akoma të jenë të kufizuara.

Në vijim, artikulli i plotë, (i përafruar me kujdes sipas normave letrare aktuale të gjuhës shqipe).
* *
Libri shqip kishte vdekur që prej shumë kohësh. Ka nja dy muaj që ka filluar të ringjallet. Prej katër vjetësh, librat shqip kishin dalë nga moda. Të paktë ishin ata që i lexonin, e më të paktë ata që i shkruanin…

„Libri italian u derdh mbi ne si një valë, si një rebesh. Jo se deri atëherë nuk njihej fare. Po pranë librit italian ishtë më i lexuar libri frëng, gjerman ose anglez. Brenda një kohe shumë të shkurtër, ky libër doli nga qarkullimi. U tërhoq nga bibliotekat, u sekuestrua, u dogj. Mbeti vetëm libri italian. Nëpër vitrinat e librave. Nëpër vitrinat e librave, nëpër raftet e barakave ku shiten cigare bashkë me libra e fletore, nëpër dërrasat e vendosura mbi dhe dhe në ndonjë shesh ose në ndonjë qoshe rruge, nuk shihje gjë tjetër përveç se libra, revista, gazeta në italisht. Po libri shqip? Edhe ai i gjori kishte humbur. Po ta kërkoje në ndonjë librari, duhet ta kërkoje vetëm të futur në ndonjë kënd të errët, të lënë në fatin e tij të zi, të mbuluar nga pluhuri e nga merimangat. Afër tij ço ku do të gjeje edhe ndonjë libër frëngjisht, nga ata të lirët, të çngjyrosur, të bërë si mos më keq. Dhe dukeshin shokë të shtrenjtë, të mërguar që i qanin hallet njëri-tjetërit. „Po sot ? Sot, kur kalon rrugëve, ndryshe të sheh libri shqip. Fytyra e tij sikur është qeshur dhe ka marrë sërish krenarinë e parë. „Hej ! Pa shiko si jam tani! – të duket se të flet. Vendi im është vendi im! E zura sërish fronin! Malli im, mall i vjetër! Në cilën zemër nuk buçet!…“

„Ky që flet kështu me pak arrogancë është libri i ri, ai që lindi porsa lindi dje. Dhe kështu janë sot këta të rinjtë; sapo lindin, duan të të urdhërojnë! Duhet dora e plakut që t‘ua mbledhë pak. Dhe libri plak është atje pranë për ta qortuar. Libri plak, ai që ka tepruar nga shokët e lashtë, i humbur, i harruar një herë, ka dalë përsëri në vitrina. E ka ngjyrën pak të zbehur në krahasim me shkëlqimin e librave të rinj. Por kjo i ka hije. Duket kështu si një bujar i lashtë me fjalë të matura e të rënda. Në mes të gjithë atyre librave të rinj, ti nuk sheh më shumë se një, e shumta dy libra të vjetër. Por janë mjaft për të mbajtur rregullin…“ „Dashuria për libra! Njarje vërtetë e jashtëzakonshme për ne! Ishte një herë një dëshirë. Sot është një punë e sosur. Të bëhet zemra mal kur sheh popullin kështu të etur për këndime. Mjafton të hysh në çfarëdo librari e të shohësh me sytë e tu. Kur kanë qënë libraritë e mbushura me njerëz dhe me libra? Kur ka pasur kaq popull këndonjës? Flas për rendin mesatar të popullit, për atë që nuk di italisht ose një gjuhë tjetër, por që di të lexojë. Isha vetë këtu nja dy javë më parë në një librari dhe po shikoja se si shiteshin librat. Erdhi më parë një burrë i pjekur, jo intelektual dhe bleu diçka. Pas tij, dy studentë kërkuan shqipërimet e Nolit. Po Kasollja, kur do të botohet? – pyeti njëri librashitësin. I qeshi fytyra kur mori vesh se do të dilte së shpejti. Erdhi dhe një vajzë e re më vonë që hyri me vrull dhe pyeti me zë të lartë: Ç‘libër të ri kemi sot, Z. B?“ Dhe ai iu përgjigj, me buzë në gaz, se për atë ditë nuk kishte libër të ri. „Oh sa keq! A të vij pra nesër ? „ Zoti B, më tha më pas se ishte një punëtore. „A s‘është për t‘u gëzuar? Kjo thirrje „Oh, sa keq!“, e dalë menjëherë nga zemra e një vajze shqiptare kur nuk gjen një libër të ri që priste, është urimi më i mirë për fatin e librit shqip.“

* *

Këtë letër ma shkruan një shok më i ri. I përgjigjem.
Libri shqip, po thonë, ka filluar „të lulëzojë“. E ndrydhur për një kohë të gjatë, mendja prodhuese shpërtheu sa gjeti rastin e parë të volitshëm. U fillua sot me librat, u vazhdua me revistat, po ndiqet sot me gazeta e revista të reja. Nuk mbahet mend një periudhë në të cilën shtypi të ketë pasur kaq përhapje. Dy gjëra janë për t’u theksuar në lidhje me „lulëzimin“ e librit e të shtypit përgjithësisht: ky lulëzim është i tillë sa shpejt do të arrijë në një superprodhim. E dyta: ky lulëzim është vetëm pjesërisht i tillë, madje më tepër është një iluzion lulëzimi. Po shpjegohem. Në rastin e parë, mjafton të bësh një statistikë rreth librave të botuar gjatë tre muajve të fundit. Ky numër është jashtëzakonisht i madh në krahasim më çfarëdo periudhe tremujore të viteve të tjerë. Në këta tre muaj është prodhuar sa për tre vitet paraardhëse. Me një farë nguti u mbush shpejt e shpejt mungesa e viteve të varfër në prodhime letrare. Por ky hov po vjen duke u shtuar gjithmonë. Sot janë sulur të botojnë të gjithë. Shtëpitë botuese kanë filluar veprimtarinë e tyre më me zell se kurrë.
Të tjera kanë dalë që kanë vënë në lëvizje letrarë e tipografi. Këta të fundit janë vazhdimisht të zënë me punë. Ka ardhur koha me zënë miq pronarët e tyre që të të shtypet libri. Nuk po flasim për çmime! Dhe sa për letrarë, është edhe ai i kategorisë së tretë që ka gjetur punë (ai më tepër dy- apo trefish më shumë se të tjerët). Problemi i botimeve ka sjellë pas tij edhe probleme të tjera, teknike dhe ekonomike. I pari ndër ta është ai i letrës që ka e nuk gjendet, shitet me çmime hiberbolike. Vala e botimeve e nisur kështu nga tryeza e shkrimtarit, e bajtur në zyrat e botuesve, e derdhur në zhurmat e makinerive të shtypshkronjave dhe e shpërndarë këndëj në magazinat e tregtarëve në vitrinat e librit, përmban një rrjet të gjërë pune që bie shpejt në sy në vendin tonë të vogël.
Kjo çmenduri botimi (është fjala e drejtë kjo) do të kalojë si çdo çmenduri tjetër. Edhe për pak kohë, derisa llogaria nuk është bërë ende, ky hov do të vazhdojë, madje edhe mund të shtohet. Por do të vijë një ditë që tregu shqiptar do të jetë plot shkojë më. Nuk do të ketë njerëz mjaftueshëm për t’i blerë.
Pasi nuk do të jetë e mundur t’i lexosh. Libri është edhe ai një send ekonomik, e prodhimi i tij rregullohet sipas ligjeve të përgjithshme të ekonomisë. Kur ka shumë libra në treg, një pjesë e tyre nuk lexohet, myket pra në ndonjë skutë dyqani e ndoshta shitet edhe me peshë, letër për kausha gështenjash. Këtë fat e kanë më tepër librat e këqinj. Se ata të mirët, herët a vonë, shiten gjithmonë. Gjithçka parashihet lehtas duke e vërejtur ritmin e prodhimeve letrare: pas krizës së shterpësisë do të vijë një krizë superprodhimi. Dëmi këtu është thjesht ekonomik: e pëson jo populli, por botuesi. Por kur shohim më mirë, dallojmë së dëm pëson edhe populli.

Çmenduria e botimeve prodhon libra të mirë e libra të këqinj: më shumë të këqinj se të mirë. Botohen libra vetëm për të fituar. Fiton shkrimtari, fiton botuesi, fiton tipografi. Është koha kur libri sjell fitim! O burra! Të rrokim penët! E mbijnë atëherë veprat si kërpudhat pas shiut! Përkthimet morën dhenë. Kush është ai që nuk e njeh një dreq gjuhe moderne? E kush është ai i marrë që nuk përkthen ndonjë send? Unë, fjala vjen, kam pasë përkthyer njëherë një roman, ndonjë romancë a roman, nga ata që të bëjnë të notosh në lot e psherëtima, ose që t’i trullosin trutë a të verbojnë sytë me thesare të gjetura në ndonjë ishull në mes të detit. E marr, e dektilografoj shpejt e shpejt dhe e çoi te ndonjë botues që e di se s’i ka shumë hundët e holla (gjendet ndonjë si këta pa hall!). Një orë pazarllëk, e puna ka mbaruar. Kam futur në xhep njëzet a dyzet lëpushka, sipas trashësisë së volumit dhe jam kthyer në shtëpi serbes! ( E jemi te shënimi i dytë). Duhet të themi se një pjesë e madhe e prodhimit letrar, të kohëve të fundit është i këtij malli. E këtu nuk hyjnë vetëm përkthimet, si ato të kallëpit të mësipërm. Por edhe ato të ashtuquajtura “origjinale”. Ke pas shkruar disa bejte dikur që edhe vetë i ke harruar. Vrap, gjeji ku i ke, mbidhi e botoji! Verju edhe ndonjë titull „origjinal“ osë së pakti „tërheqës“! Mos bëj kujdes më gjatë.
Libri shqiptar shkon! Një tjetri, duke i dalë gjumi befas, majmun kopilan, i bie ndërmend se ka shkruar njëhërë e një kohë kur e kishte kapur „spleen“-i ( shën i red: mërzia) por edhe sevdaja… dy, tri „ritochi“( shën i red: përpunime) e vëllimi është gati. E boton. I shitet. Urra! Libri shqip shkon! Është koha e gramafonave. Filani e ka pasur merak të shkruajë gjithmonë drama e romane. Që i ri i ishte përmendur emri për kësisoj marifetesh. Veç çka? I varfër i shkreti! Por tani i ka ardhur dita. Shtypi është i lirë. Mjafton sa t’ia nisësh, se pastaj fitimet janë me thes! Ndonjë mik gjendet për sherr, që i merr hua do pare (kur nuk është aq budalla sa mos t’ia marrin shtëpinë dhe rrogat peng!). Shkon, shok libri shqip ! Pak reklamë! E mos u druaj! Për një muaj shitet dymijë copë!
Çmenduria e botimit dërrmon jo vetëm stoqet e letrave të caktuara për letërsinë e këtij kallëpi (medet për atë letër që gjendet aq me zor!) Ajo prish edhe veprat e mira. Nguti ështe gjithmonë i dëmshëm. Mund të vihen re në më shumë se një prej veprave të shënuara të kohëve të fundit „kusuret“ që rrjedhin nga nguti, nga dëshira e fortë që të shohësh veprën të dalë në dritë sa më parë.

Kuptohet tani pse u tha që në fillim se ky lulëzim i librit shqip, është një iluzion lulëzimi më tepër sesa një lulëzim i njimendët. Sa për vete, do të doja më shumë një vepër të përsosur se njëqind vepra mesatare, një vepër të përsosur më shumë se… por çfarë po them? Të dobtat, kur duhet të duhen? Por populli këto libra shet, këto libra ble. Dhe sa para, bën të reçensionosh e të cilësojnë këtë ose atë vepër për të mirë a për të keqe! (Reçensime? Mjerë ne çpo na dalin në mejdan! Për çdo ashik ka një kritik, për çdo shtyllë, ka një yll!). Populli është naiv e gënjehet: më tepër se „Hamletët“ e „Makbethët“, atij i pëlqejnë „Urat e psherëtimave“, „Pranverat e vdekshme“ e romanet e verdha! Në paç marifet për t’iu zhigatur këtyre mbrëmjeve edhe ndonjë figurë (enkas për ta ilustruar) ose edhe më mirë, ndonjë surrat me ngjyra, e ke fituar davanë. Pse libri shqip shkon! Shkon, zotërinj, atëherë më tepër se kurrë!
Po si t’ia bëjmë pra? T’ia lëmë fatit ? Le të përpiqet shkrimtari, me sa t’i vijë për dore, me fjalë e me kritika, ta edukojë ndjenjën e artit të popullit. Të bëjë çfarë mundet e sa mundet. Por përpara të gjithave, të marrë përgjegjësinë ai vetë, duke mësuar me shëmbullin e vet. Vetëm në këtë mënyrë letërsia shqipe do të mund të trajtohet. Letërsia shqipe ka nevojë për dinjitet. Edukata ka dy qëllime, nga një anë formon shpirtin, nga ana tjetër, përgatit qytetarin. Athinasit ndenjën te i pari. Spartanët te i dyti. Spartanët fituan, por Athinasit u kujtuan. Bertrand Russel -Panoramë shkencore.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *