MOIKOM ZEQO
(NJE DESHMI E PAZAKONTE E SHEKULLIT XVIII)
Gëtja – nga përfaqësuesit më të mëdhenj të letërsisë përparimtare botërore, në librin e tij “Italiansche Reise” (botuar më 1870) ka shkruar përshtypjet e udhëtimit që bëri në Itali në vitet 1786-1788.
Në libër thuhet se më 13 janar 1787 Gëtja ndodhet në Romë ku “në prani… të një auditori të madh u mbajt një konferencë… pastaj u paraqitën 30 seminaristë dhe deklamuan njëri pas tjetrit poezi të shkurtëra, secili në gjuhën e vet amtare”.
Gëtja shënon se poezia e dytë që u deklamua para tij ishte “epirotisht” d.m.th. shqip.
Gëtja thekson: “Poezitë m’u dukën të ndërtuara të shumtën në metrikën kombëtare dhe të deklamuara po në mënyrën kombëtare”.
Këtë fakt, për të cilin së pari bën fjalë studiuesi V. Kamsi, duhet ta shohim të lidhur me veprimtaritë kulturore e dëshmitë e poezisë shqipe në shekullin XVIII.
Pa dyshim, kjo e dhënë e Gëtes ka rëndësi të veçantë në këtë aspekt.
Jo vetëm tregon interesimin e këtij poeti e shkrimtari të madh për kulturën e popujve të tjerë, për mundësitë e tyre popullore, për mënyrat poetike e prosoditë kombëtare, që u bënë objekt studimi nga vetë Gëtja e kohëtarët e tij evropianë, si J. G. Herderi që kërkonte në poezinë popullore, në folklor “shpirtin e hershëm të popujve”, por edhe njohjen e kulturës shqiptare e jehonat e saj te personalitetet e kulturës evropiane.
Këto takime në fakt janë më të hershme.
Mjafton të përmëndim se një shekull para Gëtes një poet arbëresh i quajtur Daniel Korteze në 1638 boton një poezi të shkurtër në shqip kushtuar Klod Nikolla Pereshit, personalitet francez, dijetar, mik i filozofit materialist Gasendi dhe i Galileut, të cilin e mbrojti kur u burgos u persekutua nga inkuizicioni.
Në një libër kushtuar Pereshit me shkrime në gjuhë të ndryshme të Evropës, është në faqen 118 edhe poezia e arbëreshit Daniel Kortezit.
Në shekullin XVIII kemi disa poetë të shqipes, si; Nikollë Brankati, arbëresh; Xhusepe Barkia, Nikollë Filia, Françesk Avati, Nikollë Athanas Suli – gjithashtu të njohur për veprimtarinë poetike në gjuhën amtare.
Në 1762 Jul Variboba boton kryeveprën e tij poetike – veprën më të rëndësishme të poezisë shqipe në shekullin XVIII.
Tani le të bëjmë pyetjen kush ishte poeti i ri që deklamoi përpara Gëtes poezinë e tij?
Çfarë përmbajtje kishte kjo poezi?
Gëtja shënon karakterin e formën kombëtare.
Pra, një poezi e kultivuar, por e frymëzuar nga poetika popullore.
Nuk mund të themi asgjë të saktë dhe më shumë për poetin anonim shqiptar.
Ç’u bë me këtë poet i cili në 1787 ishte në moshën e rinisë?
A shkroi më tej poezi apo shkrime të tjera shqip?
Të mos harrojmë se poetët e mëdhenj të shqipes duken sidomos një shekull më vonë: De Rada, Naimi etj.
Poeti anonim shqiptar i shekullit XVIII është një motiv i traditave tona kulturore, i përpjekjeve të popullit tonë, i afirmimit të vetëdijes së tij kombëtare.
Kërkime më të kujdesëshme arkivore lidhur me subjektin e mësipërm mund të nxirrnin në dritë ndoshta një ditë edhe emrin e njeriut që në praninë e Gëtes tha poezinë e tij shqipe. (22 prill 1988)

Titulluar “Albanie” ,
natyrishte shkruajtur ne Gjermaisht ku ai jetoj .
Ky shpreh qarte dashurin per Atdheun e tij ,
duke e pershkruar si nji nder Damat me te Bukura mbi Toke etj etj