“Në kuptimin e saktë të termit, demokracia e vërtetë s’ka ekzistuar kurrë dhe as do të ekzistojë ndonjëherë” –Jean-Jacques Rousseau*
Kohët e fundit, midis dy njerëzve të nderuar të shtypit, z.Andrea Stefani dhe Fatos Tarifa, pati një debat, në qendër të të cilit ishte një thënie e Ministres së Arsimit të RSH, znj. Nikolla mbi rolin e Sali Berishës për demokracinë në Shqipëri. Nuk dëshiroj të merrem me ato që dy opinionistët thanë për njëri-tjetrin, por e shoh të nevojshme të shpreh disa mendime rreth çështjes që shkaktoi debatin.
Gjatë çerekshekullit të fundit ka pasur një inflacion kaq të madh të fjalës demokraci saqë të krijohet bindja se ka aq kuptime të saj sa është edhe numri i shqiptarëve që e përdorin vend e pa vend, me mend e pa mend, naivisht apo djallëzisht. Nëse përdorimi i këtij termi nga vulgu të ngjall thjesht keqardhje, përdorimi dhe keqpërdorimi i tij nga njerëzit e ditur të ngjall çudi, sepse duket qartë që bëhet ose nga mendjelehtësia, ose nga djallëzia ose thjesht “për modë”, për të qenë pjesë e rrymës dominuese, kombëtare dhe mbarëbotërore.
Siç dihet, fjala demokraci ka lindur rreth njëzet e pesë shekuj më parë në Greqinë e lashtë dhe nënkuptonte një lloj qeverisjeje, në të vërtetë një lloj administrimi të jetës shoqërore e politike në qytet-shtetet greke, kryesisht Athinë, ku qytetarët mblidheshin, diskutonin dhe vendosnin mbi shumë çështje të jetës së përbashkët. Vetë termi do të thotë “sundim i popullit”. Por, sundim i cilit popull? Në atë “popull” që thirrej për pjesëmarrje, diskutim dhe vendim, nuk bënin pjesë femrat, as skllevërit, as të huajt dhe, madje, as pjesa më e varfër e shoqërisë. Sipas studiuesve, në proceset vendimmarrëse nuk merrnin pjesë asnjëherë më shumë se 10-20% e popullsisë.
Në Mesjetë, në disa hapësira të Evropës, kryesisht atje ku sot shtrihen Italia, Spanja, Franca dhe Gjermania ekzistonin disa Komuna vetëqeverisëse që identifikohen me trajtat demokratike të administrimit të jetës së përbashkët. Në kohët moderne, kryesisht në dy shekujt e fundit, ideologët, politologët dhe politikanët perëndimorë kanë bërë përpjekje dhe ia kanë arritur që me fjalën demokraci të identifikojnë kapitalizmin. Edhe kur kapitalizmi pushtonte dhe shfaroste popuj të tërë, edhe kur pushtonte, kolonizonte dhe grabiste pasuritë e të tjerëve, edhe kur përdorte miliona skllevër për transformimin e vendeve përkatëse, edhe kur shfrytëzonte disa miliona punëtorë për të pasuruar disa qindra sipërmarrës, edhe kur votimin ua ndalonte grave, njerëzve me ngjyrë dhe atyre që nuk zotëronin pasuri, pra, edhe atëherë ai quhet demokratik. Madje, identifikohet me vetë fjalën demokraci, pra, me sundimin e popullit. A duhet të ketë mendje normale të pranojë si të vërtetë një eufemizëm të tillë?
Kapitalizmi modern mbështetet ideologjikisht në pluralizmin dhe lirinë e shprehjes së mendimit, politikisht në lirinë e organizimit dhe konkurrimit politik si dhe në të drejtën e votimit pa dallime dhe ekonomikisht në sipërmarrjen dhe konkurrencën e lirë të tregut. Duke u mbështetur kryesisht mbi të drejtën për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur në gjithë piramidën shtetërore, ideologët e kapitalizmit janë përpjekur ta identifikojnë këtë lloj sistemi me demokracinë. Mirëpo jo pak studiues seriozë, si “demokracinë” e Athinës, ashtu edhe këtë të sotmen, madje atë amerikane para së gjithash, e konsiderojnë oligarki dhe jo demokraci, pra sundim të një pakice dhe jo të popullit.
Kjo ndodh për faktin se, pas pjesëmarrjes në votim, forca dhe ndikimi i popullit në vendimmarrjet shtetërore është pothuajse zero. Është forca ndikuese e një pakice të pasur, të ushtruar me një mijë mënyra, kryesisht të kamufluara, ajo që përcakton drejtimet kryesore të qeverisjeve, politikat e brendshme dhe të jashtme. Kjo pakicë pasanikësh, duke pasur në dorë mjetet e përpunimit të opinionit publik, bën çmos dhe ia del që të realizojë shpëlarjen e trurit të shumicës së popullit. Trushplarja krijon truall për t’u rrënjëzuar e shtatlartësuar iluzioni se po gjen zbatim vullneti popullor. Me këto forma përligjen luftërat si dhe argumentohen shumë ligje e vendime që në të vërtetë janë kundër interesave të shumicës së popujve përkatës. E drejta për të zgjedhur mes ujkut, tigrit dhe luanit se cili do të të hajë në darkë nuk është ndonjë e drejtë për t’u pasur zili. Sikur kjo e drejtë të të jepte mundësinë që ujkun, tigrin, luanin dhe gjithë grabitësit e tjerë të “pyllit” t’i mbyllje përgjithmonë në kafaz, atëherë ajo do të ishte një e drejtë efektive dhe jo formale, skenike. Dhimbjet që vijnë nga ujkshqyerja varen nga sasia e kapitalit që zotëron çdo shtet, d.m.th. në vendet ekonomikisht të pasura dhimbjet janë më të lehta për shkak të anestezisë më të përparuar, ndërsa në vendet e varfra këto dhimbje bëhen të padurueshme, siç ndodh me Shqipërinë tonë.
Sikur parimet e kapitalizmit modern të zbatoheshin vërtetë në praktikë, bankat më të mëdha të botës që, pak vite më parë, shkuan drejt falimentimit do të ishin mbyllur, drejtuesit e tyre do të kishin shkuar në burg dhe jo t’iu jepeshin triliona dollarë për t’i rifutur në biznes, ndërkohë që sivëllezërit e këtyre bankierëve nxirrnin qindra mijëra njerëz nga puna duke i detyruar të humbin edhe banesat e vetme familjare. Respekti për arsyen njerëzore nuk më lejon që të quaj demokraci, pra sundim të popullit, një sistem ku 1% e popullsisë zotëron gjysmën e pasurive botërore apo ku, sa herë ka kriza ekonomiko-politike miliona njerëz mbesin pa punë dhe vuajnë për minimumin jetik, ndërsa një grusht pasanikësh shumëfishojnë pasuritë. Nuk mund të quhet demokraci një sistem politik ku ata që i shkaktojnë më shumë dëme popullit dhe njerëzimit nuk japin kurrë llogari dhe as shkojnë në burg, kurse qytetari i thjeshtë bëhet banor i burgut edhe po të thyejë xhamin e makinës së zotërisë. E drejta e popullit shkon deri tek mundësia të ndërrojë me votë një kastë të paprekshmish me një kastë tjetër si ajo, dhe kështu mbetet pambarimisht në rrethrrotullim.
Nga ana tjetër, vetëidentifikimi me demokracinë apo përdorimi pa hesap i përcaktorit “demokratik” nuk më thonë asgjë nga pikëpamja e realitetit. Të gjitha vendet e Evropës Lindore pretendonin se ishin “demokraci popullore”, qeveri demokratike. Edhe sot, vende të tilla si Koreja e Veriut apo Kongo quhen republika demokratike. India, me një varfëri të skajshme të miliona njerëzve, me shfrytëzimin skllavërues të miliona personave dhe fëmijëve, konsiderohet “demokraci”, madje, sipas ndonjë lideri amerikan, si “demokracia më e madhe në botë”. Ndërkaq, duket qartë se njerëzimi nuk ka arritur ende të ndërtojë dhe vërë në funksionim një sistem politiko-shoqëror që të quhet demokraci. E vetmja gjë e drejtë do të ishte të flitej për sisteme politike më pak ose më shumë demokratike, apo për qeverisje politike më pak ose më shumë demokratike, brenda të njëjtit sistem politik. Si komunizmi, në trajtën e tij përfundimtare, ashtu edhe demokracia reale duket se do të mbesin utopi edhe për shumë shekuj. I pari, për aq kohë sa ndërgjegjja njerëzore të mos ketë arritur në atë nivel që shumica e njerëzimit të punojë për shoqërinë me të njëjtin përkushtim si për vete dhe e dyta, demokracia, për aq kohë sa do të ekzistojnë dallime marramendëse në zotërimet ekonomike dhe politike midis individëve, grup-individëve dhe shteteve.
Meqenëse kjo është një temë shumë më e gjatë dhe e thellë, le të vijmë tek kontributi i S. Berishës për “demokracinë” shqiptare. Që të jemi më të qartë dhe më të saktë në këtë vlerësim, le ta quajmë sistemin politik të pas 1990 si “demokraci” dhe të ballafaqojmë sjelljet e Berishës me parimet e gjithëpranuara dhe të propaganduara të këtij sistemi.
Sipas njërit prej dy polemistëve të sipërpërmendur, “… në fillimet e tranzicionit ai (S.Berisha-V.M) ka dhënë një kontribut në përshpejtimin e rënies së sistemit të socializmit shtetëror dhe në vendosjen e themeleve të një sistemi politik pluralist e demokratik”. Nuk e di saktë se çfarë nënkupton zotëria i nderuar me momentin e rënies së sistemit njëpartiak të socializmit shtetëror, por do të ishte cektësi gjykuese dhe pasaktësi historike nëse ne besojmë se sistemi i para 1990 ra për katër ditë apo se atë e rrëzoi e ashtuquajtura Lëvizje e Dhjetorit. Në dhjetor 1990 ai sistem politik ishte pothuajse në koma, ishte i rënë, i rënë nga brenda dhe nevojitej vetëm gjetja e formës teatrale të mbylljes në arkivolin e historisë. Për këtë fakt, pavarësisht nëse ishin ose jo dakord, nëse u pëlqente ose jo, ishin të vetëdijshëm edhe ata që përbënin kastën udhëheqëse të sistemit dhe thuajse gjithë masa e komunistëve shqiptarë. Unë nuk besoj se ka pasur atëherë shqiptarë që nuk dëshironin ndryshimin e gjendjes. Diferenca në mendime ka qenë vetëm në formën dhe thellësinë e ndryshimeve. Të besosh se shkrimet e njëpasnjëshme në shtypin zyrtar të kohës, që godisnin regjimin dhe i bënin jehonë ekonomisë së tregut (kapitalizmit) janë botuar pa dijeninë dhe, madje, miratimin e udhëheqjes kryesore të kohës, do të thotë të jesh naiv. Të besosh se “Lëvizja e Dhjetorit” ishte spontane, se e zuri regjimin në befasi dhe se ishte ajo që e detyroi të vendoste pluralizmin politik është njëlloj sikur ta kalosh ditën i lumtur me ëndrrat që ke parë gjatë natës.
Siç dihet, vendimi për lejimin e pluralizmit politik u mor nga kupola udhëheqëse e partisë-shtet në 11 dhjetor 1990 me 98% të votave pro. Një vendim i tillë ishte vendimi për rrëzimin de jure të sistemit të socializmit shtetëror dhe vendosjen e sistemit kapitalist. Deri në këtë datë roli i Sali Berishës në “shtrëngimin” e udhëheqjes për lejimin e pluralizmit ka qenë zero. Këtë fakt e ka pohuar edhe vetë Berisha kur tha: “Unë thjesht iu bashkova lëvizjes së studentëve si simpatizant i saj…”. Nga ana tjetër, ne e dimë dhe është e provuar plotësisht se ai u dërgua atje si ndërmjetës i Ramiz Alisë me studentët dhe, përveç kësaj, në fjalimin e tij të parë përpara studentëve protestues S. Berisha ia njeh rolin kryesor në vendosjes e pluralizmit dhe zhvillimin e proceseve demokratike z. Ramiz Alia, udhëheqësit kryesor komunist të kohës.
Tani, le të shohim rolin që ka luajtur Berisha në vendosjen e themeleve të sistemit pluralist e demokratik. Njëri nga parimet themelore të këtij sistemi është realizimi i zgjedhjeve politike të lira e të drejta dhe respektimi i vullnetit popullor të shprehur nëpërmjet tyre. Siç dihet, zgjedhjet e para pluraliste u zhvilluan në 31 mars 1991 dhe u shpallën të lira dhe të drejta nga gjithë komuniteti ndërkombëtar. Ato u pranuan edhe nga opozita e kohës e drejtuar nga Berisha. Qëndrimi i një demokrati të vërtetë duhej të ishte respektimi i vullnetit popullor dhe zhvillimi i luftës së ndershme politike me synim ardhjen në pushtet në zgjedhjet e radhës, pas katër vjetësh. I shtyrë nga etja e madhe për pushtet të menjëhershëm e të pakufishëm dhe i instruktuar nga ekspertët e krimit politik ndërkombëtar që janë mësuar të sajojnë gjithfarë skenarësh dhe “revolucionesh” ngjyra-ngjyra kudo dhe sa herë vullnetet e lira të popujve sjellin në pushtet qeveri të papëlqyeshme për ta, Sali Berisha iu vu punës për përmbysjen e vullnetit të popullit shqiptar, duke nxitur greva për ta paralizuar për vdekje ekonominë e drobitur, si dhe duke përdorur presionin e rrugës për të rrëzuar njëra pas tjetrës disa qeveri, madje edhe të votuara prej atij vetë. Qëllimi: afrimi me çdo kusht i zgjedhjeve pasardhëse nga afati katërvjeçar në atë njëvjeçar. Pas ardhjes në pushtet dhe pas goditjeve popullore në zgjedhjet lokale të korrikut 1992 dhe referendumit për kushtetutën të vitit 1994 ai mendoi seriozisht për deformimin me çdo kusht të vullnetit popullor. Në këtë mënyrë ai realizoi dhunimin me përmasa të mëdha të zgjedhjeve të vitit 1996 dhe e çoi vendin drejt luftës civile në fillim të 1997. Zgjedhjet në fjalë, të organizuara dhe dhunuara prej tij u shpallën si të padrejta nga bashkësia ndërkombëtare. Një qëndrim të tillë, por më të kamufluar mbajti edhe në zgjedhjet e vitit 2009. Edhe korrespondenca diplomatike amerikane e përcaktonte si “kreu i trukimit të zgjedhjeve të vitit 2009”. Vulën e tij mban edhe “loja” me rezultatin e zgjedhjeve për bashkinë e Tiranës në vitin 2011. 
Një element tjetër themelor i sistemit të kapitalizmit demokratik është edhe respektimi i normave të ekonomisë së tregut. Nëse ndokush në Shqipëri beson se lejimi dhe inkurajimi i firmave piramidale, miratimi dhe zbatimi i ligjit 7501, kioskëzimi i qyteteve, pushtimi i tokave pronë e të tjerëve dhe ndërtimet pa leje apo kontrabandat e naftës, armëve, drogës dhe trafikimi i qenieve njerëzore janë elemente të pranueshëm të ekonomisë së tregut, atëherë ky (ndokush) ka të drejtë ta konsiderojë Sali Berishën si themelues të sistemit kapitalist në Shqipëri. Por kushdo që ka njohuri elementare për funksionimin e kapitalizmit nuk mund ta pranojë një rol të tillë përveçse si shmangie dhe shpërfytyrim të ligjeve ekonomike të këtij sistemi.
Kriter i rëndësishëm i vlerësimit të regjimeve demokratike është edhe liria e shtypit dhe qëndrimet e qeverive ndaj saj. Tashmë dihet nga çdo shqiptar sadopak i informuar se S. Berisha dhe regjimi i tij kanë qenë përndjekës të gazetarëve, burgosës, rrahës, gjymtues dhe dhunues të tyre dhe, madje, djegës të redaksisë së gazetës “Koha Jonë”. Institucione ndërkombëtare e patën përcaktuar atë si “armik i lirisë së shtypit…”.
Ndërtimi, ekzistenca dhe respektimi i një sistemi të pavarur dhe të pakorruptuar të drejtësisë mbetet një element bazë i tipareve të një sistemi demokratik. Se sa i shkallmuar moralisht dhe sa i ndikuar politikisht ka qenë dhe mbetet sistemi shqiptar i drejtësisë, se sa shumë ka luajtur dhe është tallur S. Berisha me drejtësinë shqiptare dhe se sa i madh është roli i tij në shpërfytyrimin e plotë të këtij sistemi, nuk besoj se është e nevojshme të shkruhet gjatë pasi kjo ka qenë dhe është krejt e dukshme.
Para tre vitesh, vetë Sali Berisha tha se “Ne duhet t’i kthejmë mjekësisë dinjitetin që ka pasur dikur”. Siç del qartë edhe nga pohimet e tij, ky sistem jetik për popullin (demosin) ka bërë hapa mbrapa krahasuar me të kaluarën. Dhe, në këtë regres nuk ka dyshim që pjesa kryesore e kontributit i takon atij që ka sunduar më gjatë ose, siç thotë një dishepull i tij, “personalitetit politik më të rëndësishëm të këtyre 25 viteve”. Pra, populli ka qenë i lirë, ka jetuar në “demokraci” por shërbimet ndaj tij kanë bërë regres, janë pakësuar dhe përkeqësuar.
Një fushë shumë e rëndësishme dhe, madje, jetike për një popull, sidomos gjykuar në perspektivë, është edhe arsimi. Përveç shumë shpërfytyrimeve të tjera, si blerja e diplomave nga “prurësi më i parë i parave”, degradimi i figurës së mësuesit si edukator, depërtimi i drogës, pornografisë dhe prostitucionit nëpër shkolla, krijimi i një shtrese të rinjsh analfabetë, veçanërisht në zonat fshatare, është një turp dhe krim i pafalshëm i politikës shqiptare në “demokraci”, ku përgjegjësia kryesore bie mbi “personalitetin më të rëndësishëm politik”.
Megjithëse ka këto raporte me parimet e sistemit që identifikohet me demokracinë; megjithëse i ka shkelur sa e si ka dashur ato parime; megjithëse e pati shndërruar Shqipërinë në një oaz ku fjala ligj tingëllonte e huaj dhe respektimi i ligjit sillte çudi; megjithëse e pati çuar Shqipërinë në prag të luftës civile (1997) dhe, ai dhe kupola politike drejtuese që e rrethonte u shfaqën shumë më intransigjentë dhe antipopullorë se Ramiz Alia dhe azili i pleqve të Byrosë Politike të dhjetorit 1990; megjithëse pati frymëzuar dhe drejtuar një akt antikushtetues të marrjes së pushtetit me dhunë (shtator 1998); megjithëse pati burgosur dhe vrarë kundërshtarë politikë, fshehu e manipuloi provat dhe pengoi haptas (pohuar edhe prej vetë atij) organet e drejtësisë; me gjithë këto e shumë të tjera ai vazhdon të konsiderohet “demokrat” dhe t’i atribuohen kontribute të rreme.
Raportet e tij me demokracinë, pra me vullnetin e popullit, përcaktohen nga qëndrimet që ai ka mbajtur sa herë ka ardhur puna të vihen në krahët e peshores interesat popullore dhe ato të pushtetit të tij vetjak. E kaluara e afërt na rezervon dhjetëra prova të pakundërshtueshme që tregojnë sakrifikimin e interesave të popullit e të vendit për shuarjen e epsheve të tij politike dhe popullsunduese. Jo vetëm sjelljet e tij, por edhe pohimi i tij, bërë gazetarit amerikan Peter Lucas në vitin 1997 se “Apres moi le deluge” (pas meje u bëftë kiameti) tregojnë se “simpatia për studentët e dhjetorit” nuk ka ardhur si rezultat i idealeve dhe dashurisë së tij për popullin e vendin, por vetëm si rrjedhojë e zgjimit të instinktit të fshehur e të ndrydhur (nga rrethanat) të sundimit dhe pushtetit. Adhuruesit e tij na thonë se ai nuk ka vrarë, burgosur apo internuar sa e si Zogu apo Hoxha. Kjo është e vërtetë, por, po kaq e vërtetë është se rrethanat politike e shoqërore në të cilat ka vepruar Berisha kanë qenë krejt të ndryshme dhe të pamundura për t’u sjellë njësoj si paraardhësit. Edhe dy personazhet e tjerë politikë, po të jetonin e vepronin në rrethanat e pas 1990 nuk do të kishin mundur të bënin siç kanë bërë. Sali Berisha i ka shkelur parimet demokratike dhe ligjet e shtetit deri në skajin e mundshëm që rrethanat ia kanë lejuar.
Se cili ka qenë qëllimi i vërtetë i angazhimit të tij politik dhe shkaku i vrazhdësisë së tij tribale në marrëdhënie me të drejtën, moralin dhe parimet e tregon edhe kontrasti shumë i madh dhe mjaft domethënës midis mirëqenies pambarimisht të madhe të familjes së tij dhe numrit pambarimisht të madh të shqiptarëve të dëshpëruar që lënë vendin edhe sot pas 25 viteve “demokraci” apo listës pambarimisht të gjatë të shqiptarëve që marrin bukën e fëmijëve kundrejt firmës, ngaqë nuk kanë mundësi financiare të paguajnë. Këto fakte dhe ky kontrast janë një akuzë e rëndë për gjithë klasën politike shqiptare por, më shumë se mbi gjithkënd tjetër, ato bien mbi Sali Berishën, kontribuesin kryesor të “demokracisë”.
A ka ndonjë meritë Sali Berisha? Sigurisht që po. Më shumë se askush dhe më mirë se askush, por edhe më turpshëm se askush, ka mundur të shfrytëzojë psikologjinë popullore shqiptare, rrethanat e brendshme dhe të jashtme, naivitetin dhe budallallëkun e brendshëm si dhe pasivitetin, ligësinë dhe pafytyrësinë e huaj për të ardhur apo ndenjur në pushtet me mënyra, mjete dhe rrugë krejtësisht në kundërshtim me parimet e sistemit që ai dhe borizanët e tij propagandojnë me bujë prej një çerek shekulli. Kjo është merita që duhet t’ia njohë dhe ka për t’ia njohur historia.
Në këto rrethana, ndërsa ai duhej të ishte me kohë në burg, nuk ka vend për t’u çuditur që edhe ndonjë pjesëtar i qeverisë, e cila vetëm për shkak të disa përjashtimeve nuk quhet si “kabineti i puplave”, t’i atribuojë atij merita historike që as i ka pasur dhe as mund t’i fitojë ndonjëherë. Nuk duhet të çuditemi gjithashtu që, përveç një numri pambarimisht të madh dhe përjetësisht të pashërueshëm budallenjsh, kulti i Sali Berishës si demokrat të ujitet e plehërohet me propagandë edhe nga individë që pasi pohojnë se kanë studiuar jashtë, kanë doktoruar e botuar, na japin statistika “mbresëlënëse” se “Berisha është 100 herë më liberal, më tolerant dhe më demokrat se Edi Rama”. Për mua që s’i konsideroj asnjërin demokrat, nuk do më prishnin punë që pas shifrës 100 të viheshin edhe zero të tjera për ta bërë krahasimin po aq qesharak dhe të padenjë sa ç’janë kuptimet dhe vlerësimet tona për të drejtën, moralin dhe demokracinë.
