Dëgjova z.Berisha të thotë pardje që “nacionalizmi shqiptar ka baza qytetare”. Keni dëgjuar ndonjë nacionalist, të çfarëdo kombi qofte, të thotë që nacionalizmi i tij ka baza fshatare apo barbare? Të gjithë nacionalizmat janë të bindur që kanë të drejtë dhe kur binden që kanë absolutisht të drejtë fillojnë dhe therin njëri-tjetrin në emër të qytetarisë.
Shpesh dëgjoj Shqiptarët të thonë se “ne nuk jemi aq sa duhet nacionalistë”. Unë besoj se Shqipërisë nuk i kanë munguar kurrë nacionalistët. Nacionalist ishte edhe Enver Hoxha dhe e katandisi Shqipërinë në “terror land”. Nacionalizmi i tij ishte i ndërthurur me maninë e pushtetit dhe narcizmin e tij maniak. Shqipëria sot qeveriset sërish nga narcizistë maniakë dhe vetëm një shtet të qytetëruar nuk të kujton. Ajo mbetet, fatkeqësisht, një “banana land”.
Nacionalistë, fshatarë e qytetarë, kanë patur shqiptarët sa të duan. Ajo që u ka munguar dhe u mungon me të vërtetë është patriotizmi qytetar. “Shqiptarët duan të jetojnë të lirë e të barabartë para ligjit aty ku janë” tha kryeministri shqiptar. Mbi të gjitha, z. Berisha, Shqiptarët duan të jetojnë të lirë e të barabartë para ligjit aty ku i ke. Por, fatkeqësisht, ata nuk janë të lirë e të barabartë para ligjit. Ai që bën ligjin në Shqipëri është më i forti, më i kapuri, më i dhunshmi, më i korruptuari, më i paskrupullti. Prandaj Shqipëria mbetet ende një vend që mbyt e përzë ata që janë të zgjuar, punëtorë dhe të virtytshëm.
Kombëtare nuk është të dërdëllisësh për kombin por te thuash të vërtetën, sado e hidhur qoftë. Dhe e vërteta e hidhur është se qytetarët Shqiptarë në Shqipëri ndjehen më të keqtrajtuar se në çdo vend tjetër të huaj, sado i padrejtë qoftë ai vend. Kjo është e vërteta e hidhur. Kjo është arsyeja pse shumica e të rinjve duan, akoma pas njëzet vjetëve, të emigrojnë në vise të huaja. Këtyre të rinjve që gjenden pezull, në një boshllëk të frikshëm, disa u ofrojnë tani spektrin e lavdishëm të nacionalizmit dhe të Kombit – duke iu përgatitur kështu rrugën e Kobit.
Tragjedia e Shqipërisë është se gjatë historisë së saj ka shpërblyer më shumë të dhunshmit se sa të talentuarit, demagogët dhe jo punëtorët. Ditën që kjo peshore historike do përmbyset, mund të themi se Shqiptarët janë bërë me të vërtetë patriotë. Atëherë do ndjehen faqe bardhë për vendin dhe origjinën e tyre, kudo që të jetojnë e kudo që janë.
