Cilat ishin mendimet e drejtuesit të revistës FRYMA – që botohej në Shkodër në vitin 1944, në kohën e pushtimit gjerman – në editorialin e tij të fundit në këtë platformë, mbi gjendjen aktuale të Shqipërisë, vuajtjet dhe brengat, gabimet dhe pengjet, mentalitetin popullor e atë shtetformues, e mbi të gjitha, rreth fajtorëve të asaj situate. Avokat Muzafer Pipa, njeriu i cili vetëm pak ditë më vonë do ta shihte veten në kampin nazist të Prishtinës, fajësonte për këtë një herë tregtarët e pushtetarët e një herë fshatarët, bejlerët e mentalitetin e përgjithshëm shoqëror të kohës. I gjithë shkrimi në fakt përshkohet nga një frymë tejet kritike, çka u bë shkak edhe për mbylljen e parakohshme të revistës, e cila s’kishte veçse 7-8 muaj që ishte çelur në studion e tij ligjore në Parrucë të Shkodrës, me shpenzimet e veta, ndihmuar nga një grusht bashkëpunëtorësh, të cilët për kohën përbënin elitën intelektuale, jo vetëm të kryeqendrës së Veriut. Tërësisht indinjues është fakti se ai do bëhej sërish protagonist në harkun e dy viteve, kur do i nënshtrohej proceseve të stisura të regjimit të sapovendosur në vend, të dirigjuara direkt nga Koçi Xoxe e Aranit Çela, e do të ekzekutohej në një natë të ftohtë tetori të vitit 1946 nga një batare automatiku në ambientet e Degës së Punëve të Brendshme të Shkodrës, gjoja në tentativë arratisje. E gjithë ngjarja në fjalë u bë e ditur për të vëllanë e tij (Arshi Pipa, vëlla nga babai) dhe familjarët, vetëm në vitin 1948 pas dënimit të Koçi Xoxes e grupit të tij. Arshi Pipa, pas përjetimit të eksperiencave të ngjashme, me burgosje e internime, do të arratisej në vitet ’50 e do të kthehej në njërin ndër kundërshtarët më të drejtpërdrejtë të ish-regjimit të vjetër, duke u sjellë sidomos në vëmendje gjatë procesit që pasoi (vetë)vrasjen e Mehmet Shehut në vitin 1982 e sigurisht, edhe pas ardhjes së demokracisë. Megjithatë, nëse i rikthehemi kontributit të avokat Pipës në revistën kinse kulturore, letrare e artistike FRYMA (ku siç kuptohet bëheshin shpesh edhe thirrje e analiza të mirëfillta politike), e posaçërisht editorialit në fjalë, botuar nën titullin tepër domethënës “Vetëdije apo krim?”, shohim se mendimet e tij ishin për kohën tejet të avancuara e për shumëkënd edhe “me aromë revolucionare”, ndërkohë që ai diku vë në dukje se: “U banë shpesh tentative për reformën agrare; u formuluen projekte e ligja, por kurrë ato, çuditërisht nuk u zbatuen. E sot, bujku i varfën si nga hera e punon tokën me parmendën e drunjtë prrallore të katragjyshit shekullor!”. Të gjitha këto e të tjera që botoheshin tek FRYMA, me apo pa emër autori, siç është edhe rasti i një tjetër shkrimi të botuar më parë nën inicialet R.A. (shih: “Origjina e pasunive të mëdha toksore në Shqipni”, Nr. 4, prill 1944, fq. 145-146), për pushtetin e kohës dhe “guvernatorët” nazistë të Shqipërisë, duhej të tingëllonin si “ide komuniste”, që përhapnin çoroditje në popull. Aty jo rastësisht thuhej se: “ Ato pasuni duhesh t’u ktheheshin të zotve dmth. atyne bujqve që i punojshin brez mbas brezit…. “, çka mund të përkonte me parullat e përhapura gjerësisht nga komunistët se “Toka i takon atij që e punon!”. Reagimi i tij në këtë shkrim është një pamflet i mirëfilltë politik kundër kastës së pushtetarëve të çdo lloj kohe, “kundër triumfit të politikës së egoistave, dallkaukve, e dallaverexhive”, siç do të shprehej ai. I vetëdijshëm mbi potencialin real natyror e njerëzor vendit të vet, Pipa indinjohet si pakkush tjetër me atë çka shqiptarët kishin mundur të ndërtonin deri në atë kohë, dhe i kërkon më së shumti fajtorët tek vetvetja. Në një duf indinjate, diku ai shkruan se: “Nuk u edukue kurrë ky popull. Nuk muer kurrë frymë si duhet pse e deshti beun e aganë dhe e deshti auktoritetin jo real, por feudal të shtetit. E prandej mbetme mbrapa”. Më tej ai ngre nga një pyetje për çdo sektor të jetës në vend, duke ia kujtuar ministrave e ish-ministrave premtimet e pambajtura e gjendjen e mjerueshme në të cilën ndodheshin ekonomia, investimet e punët publike, shëndetësia, arsimi, arti dhe kultura etj. Për ndokënd tjetër, idetë e Pipës në këtë editorial mund të tingëllonin nihiliste e dashakeqe, duke sjellë ndërmend edhe ndonjë hatërmbetje konkrete të tij me pushtetmbajtësit e kohës, porse në një aspekt më të gjerë, artikulli i tij tek numri i fundit i revistës FRYMA, mbetet sigurisht një kontribut me vlera tashmë edhe dokumentare për të rrëfyer shpirtin reaktiv të intelektualëve të vërtetë shqiptarë dhe kundërshtinë e paepur me çdo regjim e kastë pushtetarësh, që si synim primar kanë pasurimin personal, duke lenë pas dore interesat madhore të vendit. Më poshtë artikulli i avokat Muzafer Pipës (shih: Revista Fryma, Nr. 7-8. Korrik-gusht 1944, fq. 289-293), përcjellë në versionin origjinal:
* *
Vetëdije apo krim?
Në zemër t’Europës, si kyç i Adriatikut, Shqipnija shtet ndërballkanas, fatalisht dihet se gjindet shum mbrapa nga shtetet e tjerë perëndimorë. E pra, duhej t’ishte shtet model Shqipnija e jonë, mbasi nuk i mungojnë influencat natyrore e mundësit ekonomike për riformimin e vendit, si dhe lëvizja intelektuale sidomos e 30 vjetëve të fundit për me mëkambë livelin e jetës e të kulturës dhe me përftue kështu Shqipni të vërtetë e të mirë me Shqiptarë të denjë e të lirë. Gjinden asish që thonë se Shqipnija asht nji Zvicër e dytë! Të tjerë kan guximin të shprehen se Shqipnija=Abisinija! Njena dhe as tjetra, por nji mediokritet. Dhe mediokriteti asht i rrezikshëm. Nuk asht nevoja të na sugjerojnë të tjerët se kemi mbetë mbrapa. E pohojmë edhe na vetë kët të vërtetë t’idhët, por nuk dijmë a po hezitojmë ta shërojmë kët plagë. Thuhet: Përgjegjësia e kësaj fatkeqësije i përplaset politikës së jashtëme dhe faji bie kështu ndër armiqt shekullorë Turq e Sllavë, Latinë e neolatinë. Në kët mënyrë kujtojmë se justifikohemi dhe numërojmë prap në vend. Por fajin e kemi vetë. Përgjegjës për vendin asht jo katundari e malësori, por kryesisht qytetari: qytetari borgjez sikurse tregtari, industriali e profesionisti i papërgjegjshëm qi manovojnë kapitale në kurriz të popullit e në dam të shtetit. Përgjegjës gjithashtu asht funksionari i naltë që nuk don me punue me ndërgejgje e vullnet por, me spekulue e me bashkëveprue me të parët. Kjo asht e vërteta e idhët në kët fortunë mbrapështish. Liri kërkuem e liri do të kemi por, ndërgjegje personale e kolektive nuk patme kurrë. Nuk u edukue kurrë ky popull. Nuk muer kurrë frymë si duhet pse e deshti beun e aganë dhe e deshti auktoritetin jo real, por feudal të shtetit. E prandej mbetme mbrapa.
Porsi nji rrebesh i madh fortune qi me tym e pluhun, e shi e breshën merr me vedi rrëmbyeshëm gjithshka gjen përpara në fushë të hapët tue lanë të paprekun llumin e skutuliqave, ashtu kohët e rrymat politike të kalueme por të harrueme, vuene përpara shum figura e ia ndruen pamjen vendit t’onë tue heqë e zavendësue personalitete të mbdhenj: ministra e deputeta, këshilltarë e komisera të naltë, generala e komandanta, profesora e akademista politikaj por,…kushedi, në bazë të së drejtës së trashëgimis e të parimeve spekulative, mbetën po aty pasardhësit e po atyne zotnive të shquem. Dhe kështu vazhdoi me triumfue politika e egoistave, e dallkaukve, e dallaverexhive e të tillëve qi e ndreqën vedin dhe nuk deshtën m’e përdorë kapitalin e tyne landuer e menduer për të mirën e përbashkët. Në çdo kohë dhe në çdo rasë, veprimet inkoshiente të nëpunsave e funksionarëve të naltë të shtetit dhe, në kohë turbullimi e luftash, krimet e tregtarve dhe t’industrialve shpirtë-ultë, nuk e lanë me marrë frymë kët popull dhe nuk dhanë mundësi me ba asedhe nji hap përparimi të vërtetë.
Për me formue bindje rreth gjendjes s’onë të status quo-s, rreth apatisë, indiferentizmit e pasivitetit për të gjitha punët e detyrat e qytetarve përgjegjësa, na vjen me pyetë: Cili qe deri tash ay ministër qi së pakut vuni vetëm nji gur në themelin e ktij tempulli qi po ndërtohet me gjakun e djersën e popullit? Ku janë veprat dokumentare e monumentare të këtyne prijsave e dirigjuesave të masave,përveç pallateve e çifliqeve private nëpër Tiranë, Romë e gjetkë? Janë këto pyetje të thjeshta e spontane qi sot përgjegjen e tyne e prêt me kërshëri gjithkushi. Dhe përgjegje nuk vjen, pse problemi paska në vetvedi shum mistere! – Mistere e jo mistere, por Shqiptari ndërkaq asht zgjue dhe nuk han bar: Ay i ka kuptue mirë ngjarjet e jetës së mbrendshme dhe të jashtme dhe e ka kostatue bukur fort veprimtarinë e autoriteteve dhe të dikastereve nga të cillat mëvaret. Din populli dhe kupton gjithshka.
Din b.f. se Arsimi, qysh mbas vj. 1934 dha shenjë dobësijet e shkatrrimit. Rrëshqiti mbrapa. Shënojmë për titull kronake se, kur ministri i asaj kohe i pat parashtrue parlamentit nji projekt-ligjë shkollore, përgjegja skandaloze e nji deputetit personalitet qe kjo: “Shkëlqesë, ç’i doni gjithato shkolla në vendin t’onë; neve kemi nevojë për bujqër; ky milet është bile më tëpër bari”! Le të mos harrohet pra dhe qarkorja e atij ministrit të kohës s’Italjanëve qi i detyronte profesorat dhe u imponohej atyne me krye akte spiunazhi kundra xansave! Populli përditë ankohet edhe për shkollat e mesme tregtare, normale e industriale qi u mbyllën pa ndonji arsye për m’i lanë vend, ndoshta për oportunitet politik e jo për nevojë, hapjes së shkollave gjysëm-zyrtare. Dhe ndërsa ndodhshin këto ndër qytete, nëpër katunde ku fëmijt ishin të djegun për shkrim e këndim, jo vetëm qi nuk hapeshin shkolla të reja si mbas projektit të caktuem, por suprimoheshin e mbylleshin edhe disa prej atyne shum të domosdoshme e të nevojshme për ato vende. Këto e të tjera banë për arsim ministrat qi kaluen.
Po ekonomija me industri e me tregti dhe me gjith komisariate të naltë, ç’fryt i dha ktij vendi? Pak ose aspak! Le t’a gjykojë vetë populli, mbasi gjithkushi asht në dijeni të gjithshkafes. Na këtu shënojmë se inisiativa private për qëllime private, përfitoi nga rastet e ndryshme, por shteti si shtet nuk bani asgja të dukëshme në dobi të popullit, me gjith konditat e favorshme natyrorë. U banë shpesh tentative për reformën agrare; u formuluen projekte e ligja, por kurrë ato, çuditërisht nuk u zbatuen. E sot, bujku i varfën si nga hera e punon tokën me parmendën e drunjtë prrallore të katragjyshit shekullor! Nuk kemi kanalizime nga të cillat të përfitojshim qindra-mija hektarësh tokë e të shpëtojshim për çdo verë ndoshta jetën e qinda banorëve e të mija bagtive nga innondatat e lumenjve irruenta. Nuk kemi nji energji elektrike nga këta lumenj me gjithse pasunit hydro-elektrike të vendit t’onë janë jashtëzakonisht të mjafta për ne dhe nuk kemi shum të tjera. Kemi vetëm tregtarë qi, në fushën e tregtis spekulative kan tregue aktivitet kontrabanditesk të mbrekullueshëm në misionin e tyne; por qi nuk i kan sjellë asedhe ma të vogëlën dobi popullit e vendit.
Tue vezhgue rezultatet e deritashme, na epet me pyetë: Ç’bani deri tash Botoreja? Formuloi projekte e sistemoi plane apo goditi rruga e ndërtoi ura e pallate? Përgjegja asht natyrisht negative: Asgja. Për ç’farë reforme kodifikimi u orvat Drejtësija? Ç’ligja të reja dekretoi përveç atyne të vjetrave? Ku asht letërsija juridike e jona e ku janë revistat e duhuna të këtij lloji? – Ku asht vepra e Drejtoris së Shëndetsis? Ku janë sanatoriumet o së pakut spitalet e kompletueme me mjete dhe vegla përkatëse? Ku asht lufta kundër tuberkulozit, sifilizit e malarjes qi janë përhapë aqe shumë në kët vend? – Ku asht rezultati i punës së Istituteve të naltë për studime; ku asht harti e muzika e jonë; ku janë bibliothekat e muzeumet; ku asht kultura popullore? E në fund, ku qindroi deri tash lirija personale: ajo e fjalës dhe e shtypit? Ndoshta ndër burgje, ndër internime, ndër persekutime?
Po të bahet pra qoftë përciptas diagnoza e të gjitha këtyne veprimeve dhe po t’u përgjegjet pa-anësisht dhe pa frigë pyetjeve të sipërme, problem qi përpara ishte mister zgjidhet vetvetiut dhe rezulton të dalin fajtorë të gjith ata intelektualë qi nuk ishin intelektualë, por matrapaza në funksionin apor në misionin e detyrave qi u ishin besue. Dhe senkserë e matrapaza, asish qi harruen shpesh se ishin Shqiptarë, braktisën anën positive të mendësis e të karakterit të tyne, qi u lëshuen me i rrokë me passion bastardhimet, e importueme nga të huejt bastardha, qenë ata zotnij të shquem pra dhe shkëlqesa qi, bashkë me buono-t e famshme të mallnave shitën turpësisht edhe vendin, familjen dhe shtetin. E në proporcion me numrin e intelektualëve të vendit dhe në relacion me funksionin e tyne, bashkë me tregtarët kapitalista, rezulton gjithashtu të jenë përgjegjësa, të gjithë ata qi tue pasë mundësin me dhanë kontributin e tyne të domosdoshëm umanitar për popullin kolektivitet e për shtetin entitet, kan qenë jo vetëm indiferenta dhe pasivë, por shpesh dhe anmiq të vërtetë të vendit t’onë.
Dhe po t’i studiojmë pakëz këta tipa për karakter, nder e burrni të tyne si mbas temperamentit e zakonit Shqiptar, do të shofim se këto cillsi të dallueme ata i kan bjerrë krejtësisht për me i lëshue vendin pikpamjeve moderne jo aqe të shëndosha e të qindrueshme se sa të plogëta e oportuniste. Në vend të mësimeve të urta e të qytetnimit të vërtetë, ata kan importue fundëri zakonesh të klasave të degenerueme, të cillat tue i fuzionue me ato t’onat, të mira e të këqija, kan shkaktue prishjen e racës thjesht Shqiptare. Ata u janë shmangë perceptive dhe parimeve të kanunit të Lek Dukagjinit, të zakoneve të mira e të ndershme qi të parët na lanë trashgim. Pra, kan kopjue negativitetin e popujve jashtëballkanas. Shkurt: janë bastardhue jo vetëm shpirtnisht, por edhe fizikisht. Gjinden asish qi nuk iu ban aspak përshtypje me gënjye, me vjedhë, m’e pre në besë mikun; asish njerz të naltë ( siç) qi, po t’u shkojë tymi i tyne drejtë, thonë: “të rroposet bota për mue”!. Janë të pandërgjegjshëm ata qi mendojnë e veprojnë në kët mënyrë. Janë kriminela të tillë qi mundohen t’ia marrin frymën popullit dhe, t’a fusin shpejtazi në greminë Shtetin. Dihet se të gjith kemi të drejta, por edhe detyra. Detyrat përpara të drejtave. Jo me jetue hipokritisht, jo si parasite. Kontributi qi seicili do t’i api këtij vendi, duhet të jetë i vetëdishëm. Vetëm kështu shërohen plagët t’ona. Dhe barka, duhet me pasë jo vetëm motor të fortë, por edhe kapidana të zot e të sakrificës. Përndryshe, ajo do të mbytet me gjith njerz që ka mbrenda.

Pershendetje nga nastradini o zoti Armand Plaka qe publikove kete material te jashtezakonshem per mikun e nastradinit Muzafer Pipa. Vetem AMAN mos i ngjit Muzaferit ide komuniste se ai ishte nje antikomunist, antifashist dhe patriot shqyptar i vertete dhe si i tille mbeti deri ne fund te jetes. Avokati i talentuar Muzafer Pika pergjigjej per depot tregetare te mallrave me shumice, qe italianet paten ndertuar poshte nivelit te Bunes. Shkodranet e vjeter, por edhe shume te huaj tregojne ne kujtimet e tyre per kete veper fantastike arkitekturore qe mund te krahahsohej me ndertimet e Kohes ne Venecia duke e krahasuar Shkodren me qytetet e zhvilluara perendimore.
Ky shkrim eshte shkruar e botuar ne Shqiperi, gjate pushtimit gjerman. Pyetja ime eshte kjo: Si ka mundesi te botohej nje shkrim i tille, nen pushtim – nderkohe qe ne periudhen pasardhes, te komunizmit, dikcka e tille as qe mund te bisedohej e jo me botohej?!
a nje citim si shembull ilustrues nga Myzafer Pipa:
….Për me formue bindje rreth gjendjes s’onë të status quo-s, rreth apatisë, indiferentizmit e pasivitetit për të gjitha punët e detyrat e qytetarve përgjegjësa, na vjen me pyetë: Cili qe deri tash ay ministër qi së pakut vuni vetëm nji gur në themelin e ktij tempulli qi po ndërtohet me gjakun e djersën e popullit? Ku janë veprat dokumentare e monumentare të këtyne prijsave e dirigjuesave të masave,përveç pallateve e çifliqeve private nëpër Tiranë, Romë e gjetkë?….
Nje fraze e tille nuk mund te shkruhej gjate kohes se komunizmit, dhe une besoj qe kemi qene me te lire ne kohen e pushtimit, sesa pas ardhjes ne pushtet te clirimtareve me ylll moskovit ne balle!
Se pari, respekt per mendimet e autorit te ndjere Myzafer Pipa. Se dyti, pak sqarime per Tonin: Artikulli ka mundur te botohej ne vitin 1944 sepse ne ate kohe Shqiperia ishte e pushtuar dhe e sunduar nga Gjermania naziste dhe artikulli nuk e atakon askund pushtuesin nazist ( nuk mund te fajesohet Pipa per kete ). Vec kesaj, aty, me te drejte vihen ne dukej gabimet dhe fajet por nuk permendet asnje emer dhe, kryesisht, fajesohet regjimi monarkist i A. Zogut ( me te drejte ) por eksponentet e atij regjimi as nuk ishin ne fuqi dhe, shumica, nuk ndodheshin ne Shqiperi. Kjo eshte arsyeja e mundesise per t’u botuar nje shkrim si ky.
Toni, e lexove pjesen ku thuhet se disa dite pas botimit te ketij artikulli Myzaferi perfundoi ne kampin nazist te Prishtines? Ai e botoi se e kishte gazete private por e pagoi shtrenjt botimin e ketij Artikulli. Pra nuk kemi qene me te lire ne kohen e pushtimit. Mos i rrutullo fjalet si te do qefi. Por jam dakort me ty ne nje pike, qe eshte fatkeqesi dhe teper ironike qe njerez si Myzafer Pipa u persekuatuan e u pushkatuan nga regjimi komunist. Jetojme ne vendin e paradokseve qe vazhduan edhe keto 23 vjet te demkracise.
Shumë faleminderit për këtë artikull që na servirët edhe pse i shkruar në 44 ky artikull i përket edhe realitetit të sotshëm . Ju përgëzoj dhe ju lutem sa më shumë artikuj të tillë
Pershendetje. sigurisht qe eshte e vertete. ne artikullin e botuar ne versionin e printuar te gazetes, pervecse permendet disa here burimi origjinal, jane edhe dy faksimilet e editorialit te M.Pipes dhe ajo e kopertines se revistes Fryma. Une nuk mund t’ia fusja kot dhe jo me kot eshte sjelle aty teksti origjinal, i pakorrektuar sipas normave te shqipes se sotme, per ta bere me origjinale prurjen. keshtu qe pa merak ne ate aspekt, zoteri i nderuar. me respekt, Armand Plaka
I lutem shume redaksise se gazetes Dita te me ndihmoje mbi kete artikull. Eshte e vertete qe eshte botuar ne 1944 apo eshte e vertete ajo qe thone Nastradini dhe Toni ? Mendoj se sqarimi i kesaj pyetje hedh drite mbi karakterin e shqiptarit qe dyshon tek e mira dhe beson shume te keqen. Ju lutem me ndihmoni me nje pergjigje ose orientim se ku mund ta gjej te verteten.
Per te gjitha qe ka shkruar dakort, por a e ka lexuar dikush ne ate kohe kete artikull. Ne ate vit besoj se te tjera gjera ishin me emergjente dhe mendoj se kritika qe i ben Italianeve eshte si kofini pas te vjelave.Sa per kritikat mbi jeten dhe kulturen e popullit me duket se me te shumtat qe ai ka anatemuar u permiresuan ne menyre te ndjeshme me ardhje e komunistave ne pushtet. Si malarja, tuberkulozi, ujitja e tokave, shtimi i tokes se punuar, degjenerimi i pushtetareve,gjakmarja dhe shkollimi profesional. Megjithate shkruar bukur. Te me falni qe nuk e njoh autorin por po gjykoj mbi cfar ka permbajtja e shkrimit. Ju falenderoj gazetaret per informacionin qe na jepni.
falemnderit Nico Maloku. Mendoj se ky artikull i shkruar ne 1944 po ta botonim sot do ishte 100% i pershtatshem dhe eshte nje tjeter prove qe i pergjigjet pyetjes qe i bej shpesh vehtes si ka mundesi qe ky vend kaq i begat ska patur kurre fat? Po te bisedoja sot me zotin Pipa duke zhdukur distancen e 70 vjeteve do te hiqja nga lista e ajit enverin, saliun, te huajt, dhe do ti jepja doren fishtes per fjalen e pjekur qe nuk dua ta marr si te vertete se armiku me i madh i shqiptarit eshte shqiptari. Prandaj me sa duket kemi tendencen historike te zhdukemi si komb sepse ne zhdukim vetvehten.