Kështu e kanë shkrimtarët e mëdhenj që gjithmonë nxjerrin nga një trill të fshehur diku në skutat e pafund të botës që të thonë se përsëri janë gjallë dhe mes njerëzve. Vepra e tij më e re mban një titull shumë simbolik që përputhet me atmosferën festive të këtij fundviti dhe me festën tradicionale të Krishtlindjes, quhet “Qiriri prej dhjami”. Dorëshkrimi iu nënshtrua shqyrtimit të ekspertëve të cilët janë të një mendje se është një vepër e hershme që i përket rinisë së autorit të përrallave, e shkruar rreth vitit 1820, kur ndiqte ende shkollën e mesme. Një e përditëshme daneze e botoi versionin e plotë të përkthyer në anglisht dhe njëri prej ekspertëve më në zë të tij, Askgaardi, e quajti një zbulim shumë sensacional. Deklaroi se s’ka asnjë dyshim se vepra i përket atij, dhe është e shkruar me dorën e tij.
Zbuluesi i rastësishëm po kërkonte mes kutive të arkivit kombëtar të Funenit dhe krejt papritur e gjeti dorëshkrimin që përmabnte gjithësej 700 fjalë. Mbi të dukej qartë edhe dedikimi i tij: “Për Zonjën Bunkelfod.. Me dashuri Andersen”. Sipas ekspertëve mund të bëhet fjalë për ndonjë grua të ve, tek shtëpia e së cilës ai shkonte që të lexonte dhe të merrte hua librat e bibliotekës së saj.
Përralla ka monologun e qiririt që pyet veten, i mbytur nga trishtimi, lidhur me kuptimin e jetës së vet. Por kthesa vjen menjëherë sapo takon një tinder box që e ndez qiririn, duke i dhënë kështu mundësinë e munguar, por të lumtur që të ndriçojë gjithçka përreth vetes në vite . Edhe pse sipas ekspertëve tregimi nuk ka finesën stilistike të veprave më të pjekura, në përrallë ka elementë tipikë të shkrimit andersenian, si p.sh tema e bukurisë së humbur dhe zakoni i autorit (në gjurmët e Ezopit dhe të La Fontenit) që të përdorë prozopopenë (personazhe të veprave bëhen kafshë dhe sende me karakteristika, dilema dhe difekte tipike njerëzore).
Letër e nënshkruar: Arjan Th. Kallço