Qeveria Berisha ka deklaruar se vendimet i merr duke u bazuar në studime të hollësishme. Le të bëhet më objektive dhe të konsultojë edhe këto studime të nëncituara që bien ndesh me botëkuptimin e saj të ngushtë në lidhje me këtë çështje
Debati i taksave është kthyer së fundmi në një nga temat më të diskutuara e të analizuara prej mediave shqiptare. E si mund të ishte ndryshe? Është një çështje jetike e cila prek thelbësisht interesin e të gjithëve, sidomos kur bëhet fjalë për para që dalin nga xhepat e gjithsecilit prej nesh. Të gjithë jemi fokusuar mbi çështjen e vendosjes së taksës progresive dhe ndikimin e kësaj takse mbi ekonominë e vendit tonë, apo edhe mbi ekonominë personale të secilit prej nesh. Si do të ndikonte tek ne një sistem i tillë taksimi dhe më e rëndësishmja, a është vërtet i nevojshëm për ne ky sistem?
Europa dhe SHBA-të
Taksa progresive aplikohet në vendet më të zhvilluara të Europës dhe në SHBA. Një nga karakteristikat kryesore të keëtij sistemi taksues është mbrojtja e shtresave me të ardhura të ulëta, duke hequr taksimin në nivele të caktuara tavan, mbi të ardhurat e këtyre shtresave. Kjo do t’i mundësonte kësaj pjese të popullsisë të kishte më shumë të ardhura për të shpenzuar në të mira jetike , më shumë mundësi investimi për përmirësimin e aftësive profesionale dhe rritjen e shanseve për një jetesë më të mirë. Kosumatorët më të mëdhenj janë përfaqësuesit e shtresë së mesme dhe te ulet dhe prandaj në këtë kohë krize , do të ishte e udhës që në këto shtresa të kenë më shumë para për të shpenzuar dhe konsumuar. Në të njejtën kohë sistemi progresiv i taksimit, nëpërmjet parimit të mirëqënies sociale do të rriste shpenzimet qeveritare në shërbime sociale, aq të nevojshme në Shqiperi , si në shendëtësi, arsim, infrastrukturë , subvencione në agrikulture e industri.
E mira e përbashkët
Ndryshe nga sa pretendon kryeministri, nëpërmjet këtij sistemi qeveria ka më shumë të ardhura për të balancuar deficitin buxhetor i cili në Shqipëri ka arritur nivelin më të lartë historik, duke rrezikuar të përfundojmë si fqinji ynë Greqia, ku rrogat dhe pensionet janë përgjysmuar dhe ekonomia ka pësuar rënie drastike. Aq dritëshkurtër është politika fiskale e qeverisë, sa edhe ne momentin kur në arkat e shtetit nuk gjendet më asnjë qindarkë, me zell dhe verberi mbron bizneset monopol dhe klientë të pushtetit nga një sistem taksash më i drejtë për shumicën e shqiptarëve.
Taksa progresive është një taksë e drejtë. Duket sikur e diskriminon shtresën e pasur? Në fakt po te mbështetemi në të dhëna, shtresa e pasur është perdoruesi më i madh i të mirave sociale dhe shërbimeve të ofruara nga shteti. Një familje normale konsumon më pak në shërbime krahasuar me një korporatë, në infrastrukturë , energji, kohë dhe informacion, prandaj është mëse normale që të paguajë ne proporcion me shfrytëzimin e ketyrë shërbimeve të ofruara nga e mira e përbashkët. Gjithashtu po të mbështetemi në studimet e nobelistit për ekonominë Daniel Kahneman dhe studiuesit me fame botërore Nassim Taleb, (autori i librit The Black Sëan, shitja e të cilit ka arritur shifra shumë të larta), merita e suksesit nuk varet plotësisht nga zotësia dhe aftësia e individit për të arritur suksesin por nga një sërë faktorësh ,të cilët janë të pakontrollueshëm nga vetë individi.
Ambienti ku vendoset një biznes, infrastruktura, politikat lehtësuese dhe klima favorizuese janë elemente këto të cilët i perkasin shtetit dhe të mirës së përbashkët. Pra kurrsesi taksa progresive nuk mund të quhet e padrejte me justifikimin që penalizon më të zotët dhe ato që janë më të aftë. Të aftë jemi nga mundësia e dhënë nga e mira e përbashkët, kështu pra të gjithë duhet të kontribuojmë në proporcion dhe ne menyre te të drejtë për sa kohë e shfrytezojmë këtë të mirë.
Disa studime të fundit
Studime të tjera të kohëve të fundit tregojnë qartë avantazhet që ka një sistem taksash, i cili është më i drejtë dhe promovon një mirëqenië më të madhe për shumicën e shtresave të shoqërisë. Profesor Richard G. Ëilkinson në Universitetin e Notinghamit dhe Universitetin e College London pas një kohë të gjatë studimesh, në librin e tij The Spirit level, provon në mënyrë të pakundërshtueshme problemet që sjell një shoqëri me ndarje të thellë klasore mes të varfërve dhe të pasurve, një fenomen ky i vënë re në Shqipëri vitet e fundit. Sipas tij shoqëritë ku shpërndarja e të ardhurave është më e drejtë , janë më të shëndetshme , kanë më pak probleme me dhunen, krimin,me lindjet në adoleshencë, sëmundjet mendore dhe sidomos kanë nivele më të ulëta stresi. Pra shoqërite me sistem të drejtë taksimi, janë shoqëri me vlera më të larta njerëzore, ku vlerat e familjes dhe komunitetit nuk janë gërryer dhe ku njerëzit gëzojnë një jetë më të qetë dhe më të shëndetshme.
Një studim i vitit 2011 i kryer nga studiues të Universiteteve të Virginias, Torontos, Illinoisit dhe nga Organizata Gallup krahasoi sistemet e taksimit dhe impaktin e tyre ne 54 shtete dhe doli në përfundim që taksa e sheshtë e ulë mirëqënien sociale të këtyre shteteve: sa më progresive të jetë taksa aq më e madhe është mirëqenia e popullsisë ne total, perfshire dhe te pasurit.
Pra një taksë progresive krijon një klimë ku niveli i mirëqënies rritet dhe popullsia ndihet më e lumtur. Qeveria jonë ka deklaruar se vendimet i merr duke u bazuar në studime të hollësishme dhe unë shpresoj që të bëhet më objektive dhe të konsultojë edhe këto studime të sipërcituara që bien ndesh me botëkuptimin e saj të ngushtë në lidhje me këtë cështje. Nëqoftëse mirëqenia dhe lumturia janë objektivat kryesore të një shoqerie, provat tregojnë qartë që një sistem progresiv tatimi është sistemi më i drejtë dhe më i favorshëm.
Imirjon me dashamiresi, po ju komentoj disa paragrafe ne thonjeza pjese nga artikulli yt :
“Një nga karakteristikat kryesore të keëtij sistemi taksues është mbrojtja e shtresave me të ardhura të ulëta”
Nuk eshte egzakt ashtu. Kjo takse bazohet te parimi , ai qe fiton me shume paguan proporcionalisht me shume; kjo nuk do te thote se mbrohet i varferi, por vihet me shume ne kontribut i pasuri; ne finish , te gjithe paguajne…
“Në të njejtën kohë sistemi progresiv i taksimit, nëpërmjet parimit të mirëqënies sociale do të rriste shpenzimet qeveritare në shërbime sociale”,
Lidhja nuk me duket aspak evidente.Edhe me takse te sheshte, nje qeveri po te doje mund te rrise shpenzimet sociale. Ashtu si me nje takse progresive qeveria mund te beje pak shpenzime sociale (Shba, BM)
“…nëpërmjet këtij sistemi -takses progresive- qeveria ka më shumë të ardhura …”
Ah sikur te ishte keshtu. Pikerisht , kete s’po na thote PS-ja, cilat do te jene shkallet e takses se saj progresive e me pas fare lehte per ta llogaritur nese arka shtetit fiton e shume apo me pak ne krahasim me taksen e sheshte
” …deficiti buxhetor i cili në Shqipëri ka arritur nivelin më të lartë historik…”
Absolutisht jo. S’duhet ngaterruar defiçiti buxhetor me borxhin publik. Per 2012 kemi nje defiçit buxhetor shume afer normes se Maastrichtit (3% te GDP), kulmi arriti pas krizes se piramidave (rreth 10% i GDP). Perkundrazi, borxhi publik po arrin kulm historik pasi parashikohet te tejkaloje masen 60% te GDP me 2013 , ndonese dhe ne kete rast jemi ne nje norme te maastrishtit (greqia sot ka nje borxh 120% te GDP)
” Greqia, ku rrogat dhe pensionet janë përgjysmuar”
Mos ta egzagjerojme. Te pakten jo rroga nominale; nese shihet ajo reale qe peson rritjen e taksave dhe te inflacionit, pse jo duhet pare .
“…shtresa e pasur është perdoruesi më i madh i të mirave sociale dhe shërbimeve të ofruara nga shteti. Një familje normale konsumon më pak në shërbime krahasuar me një korporatë, në infrastrukturë , energji, kohë dhe informacion, prandaj është mëse normale që të paguajë kjo me shume…”
Gabimi qe s’duhet bere ne ekonomi, eshte ai kur barazohet para takses subjekti fizik (familja) me subjektin moral (ndermarrja , korporata). E para paguan takse mbi te ardhurat, e dyta paguan takse mbi fitimin, plus taksen mbi te ardhurat qe paguan pronari i korporates. Reforma fiskale merret me njeren pale dhe tjetren veçmas
“Nëqoftëse mirëqenia dhe lumturia janë objektivat kryesore të një shoqerie, provat tregojnë qartë që një sistem progresiv tatimi është sistemi më i drejtë dhe më i favorshëm.”
Une do ta formuloja pak ndryshe kete fjali mbyllese te ketij artikulli i prire nga intencione shume te drejta: Nëqoftëse mirëqenia dhe lumturia janë objektivat kryesore të një shoqerie, provat tregojnë qartë që një sistem ekonomik qe krijon punesim ne mase eshte sistemi më i drejtë dhe më i favorshëm. Pasi i dashur Imirjon, kur je papune , sic eshte rasti ne mase ne Shqiperi, dhe te humbasesh kohen me debate mbi llojin e taksave mbi te ardhurat sic eshte rasti mes PD/PS, eshte njesoj sikur ne nje spital administrata humb kohe per t’i vene nje çmim krevatit per te varferit e nje tjeter per te pasurit, nderkohe qe nje epidemi vdekjeprurese ka mbytur vendin, dhe krevatet do te jene vetem per morgun…
Me respekt
Genc Burimi
Shkrim i drejperdrejte dhe shume i qarte. Me duket i lehte per tu lexuar dhe eshte shume informues.
Per sa i perket kritikave te zotit Burimi duken qarte qe shohin vetem njeren ane te medaljes dhe bien ne kundershti me studime shume serioze instituconesh prestogjoze si Gllup International. Jam i sigurte qe keto institucione jane shume me te specializuara se kushdo pseudo-ekonomist shqiptar.
Pastaj jemi lodhur me shifra dhe me shkrime specialistash, kemi nevoje per shkrime te qarta dhe lehtesisht te kuptueshme.
Imirjon te pergezoj per iniciativen e shkrimit qe keni bere lidhur me kete teme shume te debatueshme. Per sa i perket komenteve te bera nga Z.Burimi jam e mendimit qe gjithesecili arsyeton dhe vlereson ato argumenta qe i duken te rendesishme dhe aq me shume per kete teme delikate argumenta pro dhe kundra gjenden pa limit. Keshtu qe ne fund mbetet vetem ceshtje opinioni, megjithate ne kete shkrim gjejme fakte te prodhuara nga institucione dhe studime shume serioze…
Artikull teper interesant. Komplimente. Shkime te tilla i mungojne shoqerise tone dhe duhen bere edhe me shpesh ….