Mbijetesa, të voglat kanë edhe fatin kundër

redaktor

Fati përgjithësisht nuk bën aleanca me të vegjlit, dhe Elbasani e Apolonia, në këtë sezon të Superiores kanë jo pak arsye për t’u ndjerë të braktisur nga fati. Dy skuadrat kandidate për rrëzimin një kategori më poshtë, këtë vit në Superiore, përtej kontingjentit më të pakët krahasuar me 8 ekipet e tjera të kampionatit, kanë disa hesape për të larë dhe me fatin, që i ka braktisur jo pak herë në ndeshje të rëndësishme, duke i rezervuar dhe më pak pikë në renditje. Apolonia mbi të gjitha është skuadra që ka spikatur jo pak me lojën e saj, duke luajtur pothuajse si e barabartë ndaj çdo kundërshtari.

Shembulli më i fundit është dhe humbjet në Vlorë me Flamurtarin, ku pavarësisht se krijoi jo pak, në fund ekipi i Mërgjyshit doli me 0 pikë në përfundim të 90 minutave. Deri tani kanë realizuar vetëm katër gola në kampionat, shumë pak për një skuadër që mesatarisht krijon të paktën 3 mundësi të mira për shënim gjatë një ndeshje, më tepër madje se shumë ekipe që qëndrojnë mbi të në renditje. Luan mirë por nuk finalizon, dhe jo gjithmonë për shkak të paaftësisë përpara portës. Ndaj Partizanit gjithashtu një javë më parë fierakët, pas disavantazhit fillestar 0-2 krijuan shumë përpara portës së Xhikës por nuk arritën të gjenin asnjëherë golin. Dhe në Kupë ndaj Tiranës, panë t’i përmbysej rezultati nga 0-2 në 2-2. E njëjta gjë dhe me Elbasanin që 50 përqind të golave i pëson në 15 minutat e fundit të lojës. Këtë javë verdheblutë triumfuan 1-0 ndaj Teutës, duke marrë fitoren e katërt në kampionat por jo gjithmonë në fund kanë gëzuar, madje në më shumë se një rast fundi ka rezultuar i hidhur për ta. Si Apolonia dhe Elbasani në këtë sezon kanë luajtur mirë mbi të gjitha ndaj skuadrave të forta, por duke qenë se fati është virtyt i të fortëve, sigurisht që ai vështirë se do të buzëqeshte për to.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *