Sistemi ynë shëndetësor, jo vetëm që nuk ka mjekë të tepërt të punësuar, por në shumë zona të vendit vërehet mungesa e tyre, çka shpesh herë i detyron pacientët të marrin rrugët drejt zonave të tjera për të marrë shërbimin mjekësor që u nevojitet. Kjo është vetëm një ndër kërkesat e bëra nga Këshilli Kombëtar i Sindikatës së Pavarur të Punonjësve të Shëndetësisë për Ministrinë e Shëndetësisë. Duke ngritur këtë shqetësim përfaqësuesit e kësaj sindikate vënë në dukje se reforma duhet të prekë administratën e institucioneve mjekësore, e cila është fryrë se tepërmi gjatë viteve të fundit, por jo të stafit mjekësor. “Sindikata është gjithmonë në mbështetje të reformës në shëndetësi, për rritjen e cilësisë së shërbimit shëndetësor. Por, është edhe në mbrojtje të interesave të punonjësve të shëndetësisë. Kështu, ajo kërkon që reforma të mos fokusohet në lëvizje e në prekje të tyre, dhe mendon se nëse do të ketë reformë (që ne themi se duhet të ketë), ajo duhet të reformohet në administratën burokratike të institucioneve shëndetësore, të cilat janë fryrë së tepërmi dhe duhet të fillojë një menaxhim i mirë i burimeve njerëzore. Por, nuk ka për mendimin tonë punonjës të tepërt të sistemit shëndetësor, sepse ne jemi vendi që kemi më pak punonjës mjekësor që ofron shërbimet përkatëse për 1 mijë banorë”, citohet zyrtarisht nga Sindikata. Në analizën e bërë për punën një vjeçare, përfaqësia e kësaj sindikate ka vënë në dukje edhe kushtet e vështira në të cilat punojnë pjesa dërrmuese e mjekëve, infermierëve etj. Kjo veçanërisht për ata që punojnë me rrezatimet. “ Një tjetër kërkesë që i bëhet Ministrisë së Shëndetësisë, është edhe rishikimi i kushteve në të cilat punojnë bluzat e bardha, të cilat lënë shumë për të dëshiruar. Ata janë gjithmonë në kushte jo të mira pune dhe janë gjithmonë të rrezikuar nga infeksionet apo rrezatimet, si dhe probleme të tjera të mëdha, pikërisht për mungesë të kushteve mbrojtëse në punë. E në këtë drejtim është bërë shumë pak deri më sot. Sindikalistët kanë kërkuar edhe rishikimin e pagave të punonjësve të cilat vijojnë ende të jenë shumë të ulëta krahasuar me ato të vendeve të tjera evropiane. Një tjetër çështje e diskutuar gjatë mbledhjes së këshillit sindikalist është edhe mosfunksionimi siç duhet i strukturave sindikaliste në mbrojtje të interesave të punonjësve. “Jo vetëm sindikata e shëndetësisë, por në tërësi, sindikalizmi në Shqipëri, është apatik dhe në hije, e në tërësi, jo në atë nivel që kërkon Evropa”. Këshilli diskutoi mbi ngritjen e një sindikate të vetme të shëndetësisë, ose krijimin e një konfederate të përbashkët të sindikatave të punonjësve të shëndetësisë. Pra, të ketë një sindikatë të vetme në nivel kombëtar të mjekëve, të infermierëve, një të farmacistëve, një të stomatologëve, si edhe një sindikatë të punonjësve të tjerë të shëndetësisë. Të pesta këto sindikata të krijojnë Konfederatën e sindikatave të vetme të punonjësve të shëndetësisë. Fushatë kjo e cila fillon nga data 1 shkurt 2014 dhe përfundon në fund të muajit prill, pikërisht me Kongresin e Sindikatës së Pavarur të Punonjësve të Shëndetësisë, i cili do të miratojë edhe emërtimin e ri, nëse do të jetë Sindikata e re ose Konfederatë, apo do të arrihet dakord për bashkimin e pesë sindikatave.
Kërkesat e punonjësve të shëndetësisë drejtuar ministrit Ilir Beqaj
– Këshilli i drejtohet ministrit të Shëndetësisë, i cili duhet të nënshkruajë me patjetër Kontratën Kolektive të Parë me këtë Sindikatë Shëndetësie, e cila ka qenë kontraktuese që nga viti 1994 e deri në fund të këtij viti, si dhe është sindikata më e madhe në vend, e cila ka aktualisht 56 mijë kontrata të nivelit të dytë, në fuqi deri në vitet 2014 dhe 2015.
– Sindikata kërkon që reforma të mos fokusohet në lëvizje e në prekje të tyre, dhe mendon se nëse do të ketë reformë (që ne themi se duhet të ketë), ajo duhet të reformohet në administratën burokratike të institucioneve shëndetësore, të cilat janë fryrë së tepërmi dhe duhet të fillojë një menaxhim i mirë i burimeve njerëzore. Por nuk ka për mendimin tonë, punonjës të tepërt të sistemit shëndetësor, sepse ne jemi vendi që kemi më pak punonjës shëndetësorë për 1000 banorë.
– Tjetër kërkesë e bërë për ministrin e Shëndetësisë është edhe rishikimi i kushteve të punës për punonjësit e shëndetësisë, të cilat lënë shumë për të dëshiruar. Ata janë gjithmonë në kushte jo të mira pune dhe janë gjithmonë të rrezikuar nga infeksionet apo rrezatimet si dhe probleme të tjera të mëdha, pikërisht për mungesë të kushteve mbrojtëse në punë.
– Përveç kësaj, i kërkohet ministrit të Shëndetësisë që të vlerësojë edhe çështjen e pagave të punonjësve shëndetësorë, të cilët edhe pse këtë vit me heqjen e taksimit për pagat e ulëta, kanë përfituar disi, sërish mbeten me pagat më të ulëtat në Evropë.
– Gjithashtu, i pohojmë ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë që punonjësit e shëndetësisë të sektorit publik e privat (rreth 30 mijë punonjës), nuk kanë gjetur ende përfaqësimin e duhur në Këshillin Kombëtar të Punës. Ata përfaqësohen ndoshta nga disa sindikata fantazmë, persona të vetë-emëruar, ose nepotike.
Ministri Beqja takon grupet e interesit për ligjin e ri të barnave
Siguria e barnave do gjurmohet me vendosjen e kodeve unike
Krijimi i recetës elektronike, si dhe gjurmimi i sigurisë së barnave që ofrohen për pacientët shqiptarë janë pikënisja e ndryshimit të ligjit të barnave. Me ndryshimet e bëra, barnat do të kenë një kod unik, me anë të cilit pacienti por edhe personeli mjekësor do të mund të mësojë gjithçka mbi origjinën e barnave. Ndërkohë që risitë parashikohen edhe në forcimin e masave për parandalimin e barnave kontrabandë . Në një takim të zhvilluar me grupet e interesit ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja ka prezantuar projektligjin e ri të Barnave, Shërbimit Farmaceutik dhe Pajisjeve Mjekësore. “Në fillim menduam të bënim amendime në ligjin ekzistues të barnave, por kur vumë re se praktikisht prekeshin 2/3 e pikave të ligjit, vendosëm të paraqesim një ligj të ri. Para hartimit të këtij drafti, ju kemi bërë një kërkesë për të paraqitur propozimet tuaja, por për fat të keq nuk kemi pasur propozime”, nënvizoi ministri Beqja. Megjithatë, ministri shtoi se grupet e interesit kanë afat deri në 5 shkurt që jo vetëm të njihen me përmbajtjen e re të këtij drafti, por të bëjnë edhe propozimet përkatëse në lidhje me ndryshimet që duhen bërë. Më pas, projektligji do të vijojë me rrugën zyrtare, do të dërgohet për mendim në ministritë e linjës, më pas në Këshillin e Ministrave dhe më tej do të vijojnë diskutimet parlamentare në komisione, për tu miratuar në Parlament. Ky projektligj, siguron mundësinë për të krijuar një sistem gjurmimi të plotë të barnave në Shqipëri. Pra, bëhet fjalë për sistemin“track and trace”, shtoi Beqja, duke nënvizuar se që në ligjin bazë të barnave, do të kemi një mënyrë të përcaktuar qartë të gjurmimit të barit. Ky sistem, së bashku me projekte të tjera që kemi me Fondin e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor për të arritur deri te receta elektronike, do të krijojnë lehtësi dhe siguri në qarkullimin e barnave në Shqipëri.