U mblodh sot paradite Konferenca e Kryetarëve nën drejtimin e kryetares së Kuvendit të Shqipërisë Jozefina Topalli. Në qendër të vëmendjes ishte projektbuxheti i vitit 2013.
Projektbuxheti i shtetit pritet të nisë diskutimet që nesër në Komisionet Parlamentare. Konkretisht nesër ai do të prezantohet në Komisionin e Ekonomisë për të mbërritur për diskutim në parim në seancë plenare në datë 7 dhjetor.
Më pas p.buxheti do të kthehet për diskutim nen për nen në komisionet parlamentare, ndërsa në tërësi ai do të shkojë për miratim në seancë plenare në datë 20 dhjetor.
DRAFTI, NDRYSHOHET LIGJI ORGANIK I BUXHETIT
Ministria e Financave paraqiti sot projektligjin për menaxhimin e sistemit buxhetor, i cili do të kalojë në Komisonin e Ekonomisë për diskutim.
Drafti parashikon ndryshimin e ligjit organik dhe do të miratohetpërpara diskutimit të buxhetit 2013 në Komisionin E Ekonomisë. Drafti parashikon heqjen e kufirit 60 % të borxhit publik. Sipas draftit për vitin 2013 borxhi publik do të jetë 62.6% të PBB-së.
HALDEDA: BUXHETI KONSERVATOR, DO RRISË EKONOMINË
Zëv/ministri i Financave Nezir Haldeda gjatë prezantimit të projekt buxhetit deklaroi se fokus është vijimi i politikës së rritjes së pagave dhe pensioneve si dhe praktika lehtësues për bizneset. Sipas Haldedajt qeveria ka parashikuar një buxhet, i cili i përbahet konservatorizmit, por gjithashtu i jep shtysë rritjeve me ritme të shpejta të ekonomisë.
Ai tha se buxheti llogaritet në masën 409 miliardë lekë. “Totali i të ardhurave në projektbuxhetin e shtetit për vitin 2013 parashikohet të arrijë në nivelin e 360.6 miliardë lekëve, me një rritje prej 5.3 % kundrejt të ardhurave të pritshme për vitin 2012, ose në nivelin 25.2 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto”, tha ai. Zv.ministri i Financave bëri të ditur se të ardhurat nga tatimet e doganat parashikohet të jenë 255.2 miliardë lekë, me një rritje prej 5.4 %, krahasuar me të pritshmin për vitin 2012, ose rreth 17.8 % të PBB.
Sipas tij, të ardhurat nga fondet speciale, ku përfshihen kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore dhe të ardhurat për kompensimin në vlerë të pronarëve, parashikohen në masën 60.9 miliardë lekë, me një rritje prej 4.8 %, krahasuar me të pritshmin për vitin 2012, ose rreth 4.2 % e PBB. Ndërkohë tha ai, të ardhurat nga pushteti lokal për vitin 2013 llogariten 12 miliardë lekë me një rritje prej 5.5 %, kundrejt të pritshmit për vitin 2012, ose rreth 0.8 % e PBB.
Po ashtu u shpreh ai, të ardhurat jo-tatimore parashikohen në masën 20.6 miliardë lekë, 14.2 % më pak se i pritshmi ose rreth 1.4 % të PBB. Sipas tij, të ardhurat nga ndihmat parashikohen rreth 12 miliardë lekë, ose rreth 0.8% e PBB.
Shpenzimet totale buxhetore për vitin 2013 parashikohen në masën 409 miliardë lekë ose 28.6 % e Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Sipas Haldedajt, burimet do të përdoren kryesisht: për mbajtjen e deficitit buxhetor në nivelin 3.4 % të PBB, rritjen e diferencuar të pagave në masen 2-5 % kryesisht për sektorët arsim e shëndetësi, rritjen e diferencuar të pensioneve në masën 4 % për qytetin dhe 5 % për fshatin, si dhe për mbajtjen e një ritmi të qëndrueshëm të investimeve publike në masën 5 % të PBB.
Kryeministri Berisha pak ditë më parë e ka vlerësuar buxhetin e vitit 2013-të, si më i madhi në histori dhe dinjitoz njëkohësisht në këtë 100-vjetor.
(Balkanweb)