Në mbrojtje të fëmijëve që janë në situatë risku, Qeveria pritet të miratojë së shpejti tre projektvendime. Lajmi është konfirmuar sot, nga vetë ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, teksa ishte e pranishme në një nga qendrat sociale që trajton fëmijët e keqtrajtuar, të dhunuar, të braktisur dhe në vështirësi, ku prezantoi risitë e tre projektvendimeve që do të miratohen në Qeveri, pas përmbylljes së procesit të konsultimeve me aktorët e interesit.
Gjatë takimit, u diskutua për projektvendimin: “Për rregullat e funksionimit të Grupit teknik ndërsektorial”, për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve.
“Duhet pranuar se deri tani një nga problemet kryesore ka qenë segmentimi në reagimin dhe ndërhyrjet për mbrojtjen e fëmijëve. Ky vendim i ri synon pikërisht të plotësojë boshllëqet, të adresojë qartë rolin e të gjithë aktorëve dhe të integrojë shërbimet për mbrojtjen e fëmijëve në rrezik. Ky grup ad-hoc do të funksionojë në nivel vendor pranë bashkive për të ndërvepruar më mirë, më shpejt, në mbrojtje të fëmijëve në situatë rreziku”, vuri në dukje ministrja Manastirliu.
Një tjetër projektvendim i rëndësishëm është edhe ai mbi procedurat e referimit dhe menaxhimit të rastit dhe hartimit të planit individual për mbrojtjen e fëmijës.
Ky projektvendim përcakton disa masa mbrojtëse të cilat mungonin më parë dhe mundëson krijimin rishtazi të planeve individuale për mbrojtjen e fëmijëve, bashkëshoqëruar me financimin e shpenzimeve për çdo rast, përmes një fondi të posaçëm për mbrojtjen e fëmijëve.
Me anë të këtij vendimi parashikohet masë mbrojtjeje për vendosjen në përkujdesje alternative të fëmijës së rrezikuar dhe masë mbrojtjeje për vendosjen emergjente në përkujdesje alternative të fëmijës në rrezik të lartë. Gjithashtu pritet të zbatohet edhe masa e mbrojtjes për mbikëqyrje të specializuar në familje.
Dita shkruan se projektvendimi i tretë lidhet me: “Procedurat dhe rregullat për kthimin dhe riatdhesimin e fëmijës së pashoqëruar”, i cili vendos rregulla për kthimin dhe riatdhesimin e fëmijëve të pashoqëruar të huaj, apo pa shtetësi që ndodhen në territorin e vendit, apo për riatdhesimin e fëmijëve të pashoqëruar që ndodhen në territorin e një shteti të huaj, apo fëmijë të deklaruar të humbur, por që ndodhen jashtë.
p.k/dita
