Mbrojtja e fortë është kyçi për të marrë një rezultat pozitiv në ndeshjen e nesërme, kundër Norvegjisë. Qendërmbrojtësi Mërgim Mavraj kërkon që skuadra të shfaqë stabilitet, duke mos lejuar hapësira për t’u shfrytëzuar nga vendasit, të cilët do të kërkojnë me çdo kusht fitoren. “Ndeshja me Norvegjinë është një ndeshje ku kërkohet shumë stabilitet në mbrojtje, sidomos nisur nga fakti se nuk luajmë në fushën tonë. Na duhet të qëndrojmë të përqendruar dhe të mos i lejojmë norvegjezët të bëjnë lojën e tyre”, thotë kapiteni i Greuther Furth. Mavraj shton se kuqezinjtë do të hyjnë në fushë për të marrë maksimumin, por nga ana tjetër shprehet se kjo ndeshje nuk është e fundit në grup dhe nuk do të përcaktojë gjithçka për renditjen përfundimtare. “Pavarësisht se si mund të dalim të premten, kemi edhe disa ndeshje të tjera dhe gjithçka mund të ndodhë në grup. Por, ne duhet të shkojmë në Norvegji për të fituar dhe jo për të barazuar. Se çfarë do të sjellë fundi, nuk i dihet kurrë, por qëndrimi ynë duhet të jetë për të marrë maksimumin”, thotë mbrojtësi.
Takim i nesërm pritet të luhet në kushte të vështira, në temperatura nën zero, pasi dimri në Norvegji është i gjatë, por për Mavrajn kjo nuk vlen si alibi dhe thotë se skuadra do të luftojë pavarësisht kushteve të motit. “Për ne nuk ka kurrfarë problemi, qoftë borë, apo shi, ngrohtë apo ftohtë. E rëndësishme është të jemi kompaktë dhe solidë. Pra, moti nuk ka rëndësi, sepse si për ne, ashtu edhe për ata, do të jetë njësoj. E përsëris, do të japim maksimumin për të marrë tri pikët”.
Mbrojtësi kosovar e vlerëson Norvegjinë, por thotë se ajo që ka vërtet rëndësi është se si do të paraqitet Shqipëria. Nëse kuqezinjtë bëjnë detyrën dhe shfaqin shpirtin e duhur, Norvegjia do ta ketë tepër të vështirë ta thyejë Shqipërinë. “Trajneri dhe stafi i tij kanë punuar shumë për të njohur e zbërthyer lojën e kundërshtarit, por nuk është kjo më e rëndësishmja. Ne duhet të shfaqim shpirt luftarak. Asnjë skuadër nuk na tremb dhe mendoj se çdo kundërshtar, përfshirë edhe Norvegjinë, do ta ketë shumë të vështirë për të na mundur”.
Ashtu eshte ……Mbrojtja e mire eshte kyci i suksesit
–Nje fitore na jep krahe te gjitheve
Me teper duhet fitorja per te ngritur lart prestigjin e futbollit shqiptar
Forca Shqiperia , forca cuna ! Fati qofte me ju neser !