Arrihet marrëveshja, indoneziani blen 70 për qind të aksioneve për shifrën e përfolur 260 milionë euro
Inter ka ndryshuar pronësi, teksa ka kaluar nga duart e Masimo Moratit te indoneziani Erik Thohir, i cili ka blerë 70 për qind të aksioneve të klubit. Marrëveshja ishte përgatitur prej kohësh, por vetëm dje është bërë zyrtare, teksa janë hedhur firmat. Mendohet se Thohir ka paguar 260 milionë euro për të marrë shumicën e aksioneve të klubit zikaltër. Edhe pse indoneziani ka pjesën e luanit, Morati bëri të ditur se ende nuk është vendosur se cili do të jetë presidenti i klubit, ndonëse mundësitë më të mëdha janë për padronin e ri. Më 28 tetor do të mblidhet asambleja, ku do të prezantohet edhe bordi i ri drejtues, i përbërë nga pesë anëtarë nga grupi indonezian dhe tre nga familja Morati. Me kalimin e pronësisë, është mbyllur një epokë në historinë e klubit zikaltër, e cila nisi rreth 19 vjet më parë, kohë në të cilën Morati ka shpenzuar 1.5 miliardë euro për ta rikthyer Interin në ditët e lavdisë, si dikur në kohën e babait të tij, Anxhelo Morati, në vitet ‘60. Morati, i fiksuar për të qenë i suksesshëm me Interin, ndryshoi trajnerë çdo sezon, deri sa më në fund u “stabilizua” me Roberto Mançinin, me të cilin riktheu titullin kampion, veçse duke përfituar nga Calciopoli, i cili goditi rëndë Juventusin. Me ardhjen e Zhoze Murinjos, Interi riktheu pas 45 vjetësh titullin evropian, duke fituar njëherazi edhe kampionatin e Kupën e Italisë, gjë që nuk e ka bërë asnjë ekip tjetër italian. Gjatë “mbretërimit” të Moratit, kanë qenë të shumtë yjet e mëdhenj që kanë veshur fanellën zikaltër, mbi të gjithë braziliani Ronaldo, Roberto Baxho, Kristian Vieri, Luis Figo apo kapiteni legjendar Havier Zaneti, ende me ngjyrat e Interit.
