Nga sot shërbimet transferohen në urgjencën e re të Kirurgjisë. Pacientët brenda tre orëve do të mund të mësojnë diagnozën e tyre, pasi nuk do t’u duhet më të sorollaten nëpër laboratorët e klinikave të ndryshme të QSUT për të bërë analiza apo procedura të tjera. Këto shërbime janë mbledhur të gjitha në shërbimin e ri të urgjencës.
Pranvera Kola
Mbyllet urgjenca e vjetër në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Duke nisur nga sot shërbimet do të ofrohen në sallat e urgjencës së re të Kirurgjisë. Lajmi u konfirmua nga kreu i kësaj qendre spitalore, Edmond Rrushi. Prej vitesh pacientët e trajtuar në urgjencën e spitalit numër dy janë përballur me probleme të shumta të shkaktuara nga mungesa e higjienës dhe amortizimi i rëndë i godinës së vjetër. Kushte të cilat për vite me radhë kanë shtuar komplikacionet tek pacientët, pasi krahas sëmundjes gjatë qëndrimit në këtë shërbim ata bëheshin pre e infeksioneve të shumta spitalore duke zgjatur edhe ditët e qëndrimit në repartet e shtrimit.
Për shkak të amortizimit të urgjencës së vjetër, Rrushi tha se godina e vjetër dykatëshe nuk do të ketë më asnjë funksion, teksa edhe shtretërit janë transferuar tek godina e re. Vënia në punë e sallave të reja të shërbimit të kirurgjisë do t’u vijë në ndihmë shëndetit të pacientëve, të cilët do jenë më pak të rrezikuar nga infeksionet spitalore, ndërkohë që do të marrin trajtim në një kohë më të shkurtër pasi sallat e urgjencës së re janë pajisur me aparatura me moderne. Investimi për dy sallat e reja kap shifrën e rreth 2 milionë eurove.
“Me këtë investim ne i japim fund një herë e mirë urgjencës së vjetër, e cila tashmë do të mbyllet. Këto pajisje për mjekët sjellin një teknologji të re dhe të avancuar, ndërkohë që për pacientët sigurojnë një mbarëvajtje më të mirë të kurimit të tyre”, bën të ditur drejtori i QSUT-së, Edmond Rrushi. Ndërsa shefi i shërbimit të urgjencës së Kirurgjisë, Ylli Ziçishti, ka pohuar se investimi i bërë sjell përcaktimin e shpejtë të diagnozës së pacientit, çka do të shtojë rezultatet pozitive në trajtimin e pacientëve.
Sipas tij, aparaturat e reja do të ndihmojnë në vendosjen e diagnozës brenda tre orësh, duke qenë se të gjitha shërbimet dhe analizat janë mbledhur tashmë në një godinë të vetme dhe pacientëve nuk u duhet më të sorollaten andej-këndej nëpër laboratorët e shpërndarë të godinave të tjera.
“Me investimin e bërë, ne tashmë kemi 2 salla operacioni, me pajisje të reja. Ky shërbim ka edhe anën funksionale të tij, pasi çdo pacient që do të paraqitet tek ne, do t’i bëhet e mundur vendosja e diagnozës brenda 3 orëve, pasi në këtë godinë do të mund të kryejë analizat, vizitat, si dhe ekzaminimet e imazherisë. Po kështu, edhe pacientët të cilët do t’i nënshtrohen operacioneve, do të reanimohen në ambientet e reja”, pohoi Ziçishti.
Sipas tij, çdo ditë në këtë shërbim kryhen 8 deri në 10 ndërhyrje kirurgjikale përgjatë 24 orëve, ndërkohë që mbi 60 pacientë kërkojnë kujdesin e specializuar. Sa i përket shërbimit të reanimacionit, ai tashmë po shkon drejt mbylljes së plotë. Lidhur me këtë çështje drejtori Edmond Rrushi ka shtuar se me një urdhër të ministrit të Shëndetësisë dhënë pak kohë më parë garantohet se brenda kësaj jave ai shërbim do të mbyllet tërësisht.
“Tashmë kemi vënë në funksion të plotë sallat e reanimacionit të ri”, deklaron Rrushi. Me mbylljen e repartit të reanimacionit në spitalin numër 2 të kësaj qendre, pacientët pas operacionit nuk do t’u duhet të lëvizin në një godinë tjetër, por do të qëndrojnë brenda godinës, konkretisht në reanimacionin e urgjencës kirurgjikale.
Ndërkohë sa i takon mungesës së barnave, një problem ky i përsëritur prej kohësh nga pacientët, kreu i spitaleve shton se po punohet me realizimin e tenderave të barnave në mënyrë që të garantohet furnizimi i shpejtë i pavijoneve mjekësore.
Vizitat në urgjencën e kirurgjisë
“Ne përballojmë një fluks të madh pacientësh, të cilët jo të gjithë janë për ndërhyrje kirurgjikale. Gjatë 24 orëve presim 50 – 60 pacientë të cilët marrin ndihmë mjekësore, operohen ose shtrohen në pavijone për të marrë të tjera trajtime ne një stad të dytë. Hapja e dy sallave të reja do të ofrojë shërbime më cilësore. Këto salla do të kenë edhe anën e tyre funksionale, pasi çdo pacient që do të paraqitet tek ne, do t’i bëhet e mundur vendosja e diagnozës brenda 3 orëve, pasi në këtë godinë do të mund të kryejë analizat, vizitat, si dhe ekzaminimet e imazherisë”, deklaron shefi i shërbimit të Kirurgjisë, Ylli Ziçishti.