U mbajtën të dielën në Maqedoni zgjedhjet presidenciale, ku katër kandidatët kryesorë për postin e presidentit ishin: Gjorge Ivanov nga koalicioni i VMRO-DPMNE-së, Stevo Pendarovski nga LSDM-ja, Zoran Popovski nga “Opsioni Qytetar të Maqedonisë” dhe kandidati i Partisë Demokratike Shqiptare, Iljaz Halimi. Të 1.780.000 qytetarët e Maqedonisë me të drejtë vote kishin mundësi të ushtronin vullnetin e tyre nga ora 07:00 e mëngjesit deri në orën 19:00 të mbrëmjes, por vetëm 41% e tyre iu drejtuan kutive të votimit.
Zgjedhjet janë një test i mirë për reflektimin e Maqedonisë në sytë e Perëndimit, për mënyrën se si ky shtet multietnik arrin të përballojë procesin aq shumë të debatuar për parregullsi në zgjedhjet e kaluara. Megjithatë analistët vendas e kanë vlerësuar si negative fushatën e kandidatëve për president pasi ajo nuk pasqyroi realitetin e problemeve me të cilat përballen qytetarët, e aq më pak mund të identifikohen ofertat konkrete për të dalë nga kjo situatë. Zgjedhjet do t’i drejtohen balotazhit pas dy javësh, nëse asnjë prej kandidatëve nuk merr shumicën (50%+1) e votave. Ndërsa rezultatet zyrtare pritet të publikohen në orët e para të mëngjesit të së hënës, ai që shihet si i avantazhuar është kandidati i koalicionit në pushtetVMRO-DPMNE, Gjorge Ivanov.
Incidentët
Ministria e Brendshme maqedonase ka njoftuar për proces të rregullt zgjedhor, por ai është shoqëruar edhe me disa incidente të vogla. Vëzhguesit (rreth 8.000 vendorë dhe 320 të huaj) thanë se në orët e hershme të mëngjesit të së dielës, në Gjorçe Petrov dy persona të vdekur rezultonin si të regjistruar për të votuar. Vëzhguesit e shoqatës ‘Civil’ kanë vërejtur parregullsi deri në orën 12:00, ku persona nga Pusteci arritën në Shkup për të votuar me letërnjoftime që i kishin marrë një vit më parë. Ndërkaq nuk kanë munguar as episode parodike ku një votues në Strugë, me shumë mundësi, pak i interesuar për të zgjedhur ndërmjet kandidatëve, nuk ka votuar asnjë nga ata por ka shkruar një emër në fletë: “Sali Berisha”. Parregullsi ka pasur në Shuto Orizarë, ku është njoftuar se zgjedhësit janë transportuar në mënyrë të organizuar për të votuar. Në Shutk u transportuan me makina qytetarë të shumtë të cilët në xhamat e makinave kishin të ngjitur një letër me numrin 1, pra një apel për të votuar Gjorge Ivanov. Disa automjete të tilla silleshin rreth qendrës së banimit në Shuto Orizarit, i merrnin votuesit nga shtëpitë e tyre dhe më pas i shoqëronin në vendin ku kryhej votimi.
Shqiptarët bojkotojnë zgjedhjet
Një pjesë e madhe e shqiptarëve në Maqedoni i kanë bojkotuar votimet pas apelit të partisë më të madhe shqiptare në Maqedoni, BDI e Ali Ahmetit, e cila është pjesë e qeverisë aktuale. Sipas tyre edhe presidentët e kaluar nuk janë zgjedhur me vullnetin e shqiptarëve dhe nuk kanë bërë asgjë për këtë etni. “Jam 18-vjeçar dhe nuk e shfrytëzoj të drejtën e votës në këto zgjedhje, sepse vota ime nuk do të shkonte në favorin e shqiptarëve”, u shpreh Armend Ademi. Ndërsa qytetarët shqiptarë që vendosën të merrnin pjesë në zgjedhje, thanë se dolën në votime për të mbështetur kandidatin e vetëm shqiptar në këto presidenciale, Iljaz Halimi. “E shfrytëzova të drejtën time si qytetar, votova për një kandidat shqiptar, që t’i artikulojë të drejtat tona në mënyrë demokratike”, tha Adbyl Berisha.
Kryetari i PDSH-së Menduh Thaçi, i cili doli në konferencën e parë për shtyp pas mbylljes së qendrave të votimit, kritikoi ashpër procesin duke thënë se votat për Iljaz Halimin kanë qenë vota të hapura. Sipas tij, dy partitë tjera shqiptare kanë lobuar për t’u votuar kandidatët maqedonas dhe 15% e votuesve shqiptarë votuan pikërisht për këta të fundit. / Përgatiti: Dorina Gjuzi
