Pranvera Kola
Për të mos rrezikuar mbylljen në kohë të vitit akademik 2020-2021, studentët e të gjitha cikleve duhet që të shlyejnë tarifat vjetore të shkollimit para nisjes së sezonit të provimeve përmbyllëse të vitit. Fakulteti Ekonomik në Universitetin e Tiranës ka zbardhur tashmë tarifat vjetore që duhet të shlyejnë të gjithë studentët që ndjekin programet në nivelin e parë të studimeve “Bachelor”, si dhe nivelin e dytë “Master profesional” dhe “Master shkencor”.
Në varësi të kategorisë në të cilën bëjnë pjesë, si dhe rezultateve të arritura, edhe për këtë vit akademik studentët do të paguajnë tarifën e plotë, ose të përgjysmuar, sipas kritereve që përmbushin. Studentët e ciklit të parë (Bachelor) të cilët kanë mesataren mbi notën 6 dhe që kanë shlyer të gjitha detyrimet e vitit paraardhës (viti i dytë dhe i tretë) do të paguajnë 50 për qind të tarifës së përcaktuar të studimit në programin që janë duke ndjekur. Për studentët e vitit të parë do të merret parasysh lista e dërguar nga Qendra e Shërbimeve Arsimore. Ndërsa studentët që e kanë mesataren më të ulët se sa nota 6 do të duhet të paguajnë vetë tarifën e plotë të vitit akademik. Reduktimi i tarifave aplikohet edhe ne programet e nivelit të dytë “Master”.
Sipas vendimit të marrë, studentët e ciklit “Bachelor” që plotësojnë kushtet për të përfituar reduktimin e tarifës deri në masën 50 për qind do të paguajnë 17,500 lekë, ndërsa tarifa e plotë është 35 000 lekë. Për ciklin e dytë, tarifat variojnë nga 27,000 lekë në 105,000 lekë, sipas kushteve që plotësojnë studentët. Në vijim të shkrimit do të gjeni të detajuara tarifat që duhet të shlyjenë studentët në rastet kur duhet të mbulojnë vetë koston e plotë të studimit, si dhe kur përfitojnë reduktim të saj në masën 50 për qind të tarifës së përcaktuar, si në programet e nivelit të parë, ashtu dhe në ato të nivelit të dytë “Master”
“Për shkak të situatës së krijuar nga pandemia Covid-19, në faqen zyrtare të Fakultetit Ekonomik gjenden të gjitha mandatet e tarifave të shkollimit, të cilat mund të printohen dhe pasi të plotësohen me të dhënat e kërkuara nga vetë studenti (dega dhe viti i studimit), me mandatin e printuar dhe të plotësuar mund të paraqiteni në çdo bankë të nivelit të dytë ose pranë Postës Shqiptare për të kryer pagesën e tarifës së shkollimit. Mandatin e marrë nga banka duhet që më pas ta dorëzoni pranë strukturave përgjegjëse të fakultetit”, sqarojnë autoritetet e Fakultetit Ekonomik rreth procedurës që duhet të ndjekin studentët për shlyerjen e këtyre tarifave
Që nga nisja e vitit akademik e deri pak ditë më parë, i gjithë procesi studimor është zhvilluar online për shkak të situatës së krijuar nga pandemia e Covid-19. Pak ditë më parë MASR dhe Komiteti Teknik i Ekspertëve lajmëruan rikthimin e pjesshëm të studentëve në auditore për të vijuar me konsultimet dhe përgatitjet e nevojshme për sezonin përmbyllës të provimeve.
Sipas kushteve të përcaktuara në ligjin e arsimit të lartë, programet e ciklit të parë të organizohen me jo më pak se 180 kredite europiane (ECTS) dhe kohëzgjatja normale e tyre është tri vite akademike. Pranimi në programet e studimit të ciklit të parë është i mundur për çdo kandidat që ka përfunduar me sukses ciklin e arsimit të mesëm dhe që plotëson kriterin e notës mesatare të përcaktuar çdo vit me vendim të Këshillit të Ministrave. Studentët në programet e ciklit të parë të studimeve diplomohen me provim të përgjithshëm përfundimtar ose punim diplome. Institucionet e arsimit të lartë përcaktojnë në rregulloren e tyre pragun e notës mesatare, që i jep të drejtë studentit të ciklit të parë të diplomohet, duke përgatitur dhe mbrojtur një punim diplome. Në përfundim të programeve të ciklit të parë lëshohet diploma “Bachelor” në fushën e arsimimit të kryer.
Ndërsa cikli i dytë i studimeve përfshin programet e studimit “Master i shkencave”, “Master i arteve” dhe “Master profesional”, referuar nivelit 7 të Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve. Programet e studimit “Master i shkencave” pajisin të diplomuarit me njohuri të thelluara teorike, si edhe me aftësim për kërkim shkencor në një fushë të caktuar. Këto programe organizohen në programe që realizohen me jo më pak se 120 kredite formimi në vijim të ciklit të parë dhe me kohëzgjatje normale dy vite akademike. Studimet e ciklit të dytë “Master i shkencave” përmbyllen me punim diplome dhe në përfundim të tyre lëshohet diplomë “Master i shkencave” në fushën e arsimimit të kryer.
Programet e studimeve “Master profesional” pajisin të diplomuarit me njohuri të thelluara, profesionale në një fushë të caktuar. Këto programe organizohen me 60 ose 120 kredite dhe kohëzgjatja normale e tyre është një vit ose dy vite akademike. Studimet e ciklit të dytë “Master profesional” përmbyllen me provim përfundimtar formimi ose punim diplome dhe në përfundim të tyre lëshohet diplomë “Master profesional” në fushën e arsimimit të kryer.
Tarifat për ciklin e parë të studimeve “Bachelor”
- Tarifë shkollimi vjetore për ciklin e parë “Bachelor” programi i parë 35 000
- Tarifë shkollimi vjetore për ciklin e parë “Bachelor” programi i dytë 86 374
- Tarifë shkollimi për ciklin e parë “Bachelor” e reduktuar me 50% 17 500
Tarifat për ciklin e dytë të studimeve “Master Shkencor”
- Tarifë shkollimi vjetore “Master shkencor” programi i parë 105000
- Tarifë shkollimi vjetore “Master shkencor”programi i dytë 126000
- Tarifë shkollimi e reduktuar me 50% “Master shkencor”program i parë 52 500
Tarifat për ciklin e dytë të studimeve në “Master profesional”
- Tarifë shkollimi vjetore “Master profesional” 90 kredite programi i parë 54000
- Tarifë shkollimi vjetore “Master profesional” 90 kredite programi i dytë 64800
- Tarifë shkollimi e reduktuar me 50% “Master profesional” 90 kredite programi i parë 27000
- Tarifë shkollimi vjetore “Master profesional” 120 kredite programi i parë 72000
- Tarifë shkollimi vjetore “Master profesional” 120 kredite programi i dytë 86400
- Tarifë shkollimi e reduktuar me 50% “Master profesional” 120 kredite programi i parë 36000
