Burime nga policia e Shkodrës bëjnë të ditur se një turist çek ka humbur jetën, teksa po bënte rafting në lumin Kir në Shkodër.
30-vjeçari çek ka qenë bashkë me bashkëshorten e tij, një 25-vjeçare, kur varka me të cilin po bënin rafting është përmbysur. Gruaja e çekut ka mundur t’i shpëtojë mbytjes. Sakaq trupi i çekut rezulton i humbur në ujërat e lumit Kir, teksa policia ka nisur kërkimet për gjetjen e tij.
Ndërkaq, Federata Shqiptare e Rafting (FShR) shpreh keqardhjen për aksidentin e turistëve çekë gjatë lundrimit në lumin Kir dhe distancohet totalisht nga kjo mënyrë organizimi e aktiviteteve sportivo-turistike të palicencuara nga Federata.
Për të shmangur përsëritjen e ngjarjeve të tilla të rënda e për të diskutuar vetëm mbi pjesën e bukur të sporteve ujore dhe aktiviteteve turistike në natyrë FShR komunikon se guidat sportive-turistike duhet të ofrohen nga subjekte të ligjshme dhe të licencuara nga Federata Shqiptare e Rafting për organizimin e këtyre itinerareve sportivo-turistike.
Rafting në Shqipëri është një aktivitet që duhet të organizohet nga kompanitë/personat juridikë të njohura nga Federata Shqiptare e Rafting, të drejtohet nga guida profesionale të licencuara nga kjo federatë, të pajisura me lejen përkatëse të drejtimit, si dhe të jenë të kompletuara me pajisjet dhe veshjet e destinuara për këtë përdorim.
Zbritja e turistëve çekë në lumin Kir është bërë pa shoqërimin e guidave profesionale dhe të licencuara nga shteti shqiptar.

Gjynah! Ishallah e gjejne.