Mbytjet në Shëngjin, nën akuzë komunari

redaktor

Mbytja e dy personave një javë më parë në plazhin e Shëngjinit, shoqërohet me procedimin penal për kreun e komunës, Salvador Kaçaj, me akuzën e “shpërdorimit të detyrës”. Lajmin e bëri të ditur policia e Lezhës ditën e djeshme në një njoftim ku sqaroi se “nga ana e Komunës Shëngjin nuk janë marrë masa siç duhet për sigurinë e pushuesve gjatë sezonin turistik të këtij viti”. Dhe në shpjegimin e akuzës, bëhet me dije se kryekomunari nuk ka zbatuar vendimin e Këshillit të Ministrave, për sigurinë në plazhe, që është për detyrë e pushtetit vendor. Vetëm 10 ditë më parë, një vajzë 8-vjeçe nga Kosova, u mbyt në det në plazhin e Shëngjinit, teksa i shpëtoi syrit të prindërve. Një ngjarje tjetër ndodhi në këtë plazh vetëm tre ditë më vonë, ku një 50-vjeçar po nga Kosova u mbyt në ujërat e Shëngjinit, teksa kishte ardhur me familjen e tij me pushime në këtë zonë.

Reagon Kaçaj

Pas njoftimit për hetimet e nisura ndaj tij, kryetari i Komunës Shëngjin, Salvador Kaçaj, ka reaguar për mediat, duke e quajtur të pabazë veprën penale dhe si dëmtim të imazhit. “Unë nuk jam njoftuar për këtë procedim penal të nisur ndaj meje dhe nuk jam në dijeni. Kjo po përdoret nga policia për t’i dëmtuar imazhin Shëngjinit në kulmin e sezonit turistik. E ka për detyrë Agjencia e Bregdetit që të sjellë vullnetarët dhe kullat e vrojtimit, siç ka vepruar me plazhet e jugut. Kjo agjenci nuk ka ardhur për të bashkëpunuar me Komunën e Shëngjinit për të ngritur grupin e vullnetarëve, edhe pse komuna e ka kërkuar disa herë. Ne me aq mundësi sa kemi si komunë kemi monitoruar gjithë bregdetin me Policinë Komunare, por në këtë sezon turistik ka pasur një dyndje të pushuesve drejt këtij bregdeti dhe është dashur ndihma e qeverisë për të ngritur kullat e vrojtimit, por kjo nuk ka ardhur. Unë nuk kam përgjegjësi ligjore për ngjarjet e ndodhura dhe besoj drejtësia do të thotë të vërtetën”, tha Kaçaj.

 

Përgjigjet Tare

Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, Auron Tare, i ka kujtuar bashkive dhe komunave bregdetare të vendit të marrin masa për sigurinë e jetës së pushuesve, për të shmangur ngjarjet tragjike që kanë ndodhur muajt e fundit, pasi është një detyrim i tyre ligjor, kurse ajo ndihmë që ofron Agjencia Kombëtare është vetëm një iniciativë e saj, një model i ofruar për t’u ndjekur prej tyre. “Vendosja e rojeve bregdetare dhe kullave në plazhet shqiptare është detyrë funksionale e pushtetit lokal, dalë kjo nga vendimi i Këshillit të Ministrave, për sigurinë në plazhe dhe ruajtjen e pushuesve. Është një vendim që deri më sot, shumë pak është zbatuar nga pushteti lokal dhe nga bizneset që marrin me qira hapësirat publike dhe ngjarjet që kanë ndodhur muajt e fundit, tregojnë se aty ku komunat, bashkitë nuk janë përgatitur, nuk kanë marrë masa për ruajtjen e pushuesve, ka pasur fatkeqësisht edhe ngjarje të rënda”, tha Tare.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *