Shpallen datat dhe oraret e testimit për secilin kandidat
Të diplomuarit në fusha të ndryshme të mjekësisë do të jenë të parët që do t’u nënshtrohen provimeve të shtetit për të marrë licencën që lejon ushtrimin e profesioni. Agjencia Kombëtare e Provimeve ka shpallur kalendarin me datat dhe oraret e testimeve për secilin kandidat që plotëson kriteret e përcaktuara. Testimet e para do të nisin me 26 nëntor, ku kandidatët do t’i nënshtrohen provimit dy herë në ditë, përkatësisht në orën 10:00 grupi i parë dhe 14:00 grupi i dytë.
Për të mësuar datën dhe orarin e testimit secili kandidat duhet t’i drejtohet listës së shpallur në faqen zyrtare në internet të Agjencisë Kombëtare të Provimeve, www.akp.gov.al .
Për të mos rrezikuar përjashtimin nga provimi, kandidatët duhet të kenë parasysh rregullat e mëposhtme që kanë të bëjnë me paraqitjen në ambientet e provimit 30 minuta para orarit të përcaktuara, si dhe të kenë me vete mjetin e identifikimit, kartë identiteti ose pasaportë, të shoqëruar edhe nga mandat pagesën dhe fatura përkatëse që tregon se është derdhur detyrimi përkatës.
Mungesa e njërit prej këtyre dokumenteve ju përjashton nga provimi, duke vënë në rrezik edhe marrjen e licencës për të ushtruar profesionin gjatë këtij vitit.
Kandidatët që do të vlerësohen në testimin me alternativa me më pak se 50 pikë, nuk do të pajisen me licencën pasi rezultojnë mbetës. Këta të fundit do të duhet të presin sezonin e ri të muajit maj 2013 për të hyrë sërish në provim që të mund të marrin licencën. Provimet e shtetit për profesionet mjekësore do të vijojnë deri në mbyllje të javës së parë të muajit dhjetor, për t’i lënë vend testimeve për profesionin e mësuesisë, të cilat zhvillohen për herë të parë.
Nëse kandidati nuk e merr provimin me herën e parë, kur ta rijapë atë sërish do të duhet të paguajë një tarifë më të lartë. Kandidatët që nuk arrijnë që të marrin provimin pas 5 tentativash, nuk kanë të drejtë të ushtrojnë profesionin për të cilin janë diplomuar, pasi kaq është dhe numri maksimal i mundësive që ligji jep për të fituar licencën e një profesioni të rregulluar.