Mbi Luftën Nacional – Çlirimtare dhe karakterin e saj është folur në të kaluarën, sot mjaft edhe aktualisht, do të flitet edhe në të ardhmen, sepse është kapitull i madh dhe me rëndësi i historisë së popullit shqiptar. Është folur e flitet mjaft, por edhe se ka edne probleme që meritojnë ed nevojitet të ndriçohen më mirë e më plotë. Si amator në fushën e historiografisë, por edhe për të qenë më i besueshëm, u drejtohem burimeve të një vargu studuuesidh të njohur dhe me autoritet, ps përjashtuar rastet që them mendimin tim modest.
Për historishkruesit dhe studjuesit kryesore janë dokumentet, autenticiteti i tyre, që pastaj të analizohen e të dilet në përfundime dhe përgjithësime.
Në të kaluarën janë botuar një varg materialesh dhe dokumentesh, duke nisur nga ato të Shtabit të Përgjithshëm, historikët e Brigadave Sulmuese, partizane, deri te kujtimet dhe ditaret e pjesëmarrësve të atë Luftë, seria “Yje të pashuar, për dëshmorët dhe heronjtë, stendat e muzeve dhe lapidarët e pllakat përkujtimore.
Pa harruar vëllime të posaçme tematike me këngë popullore për atë Luftë dhe për dëshmorët, botime të Institutit të Folklorit. Botimet zyrtare të kohës shpesh janë të politizuara, me përshkrime betejash ku forcat partizane dilnin zakonisht fitimtare, dhe roli udhëheqës i partisë ishte përcaktues. Konflikti midis popullit, ushtrisë partizane dhe pushtuesit e tradhtarët është vija e kuqe që i përshkon. Kurse dëshmitë e kundërsharëve politikë dhe të kolaboracionistëve janë bërë larg vendit si dhe pas rrëzimit të regjimit komunist. Por verdikti i historisë nuk ndryshon. Kanë dalë në dritë edhe kokumente e deklarata të ushtrive pushtuese, edhe të aleatëve, që shpesh, përmes saktësisë së riprodhimit të ngjarjeve, përmbajnë doza objektiviteti.
Lufta për Çlirimin e vendit nga pushtuesit fashisto-nazistë dhe përfundimi që solli ajo janë cilësuar por edha janë me të vërtetë një epope e popullit të bashkuar “pa dallim dallim feje, krahine dhe ideje”, një lavdi dhe krenari, çështje dinjiteti e gjithë shoqërisë shqiptare. Metodologjia shkencore mund të ndryshojë për mirë ose për keq, por sado të shkojnë vitet dhe të bëhen përpjekje për rishikim e rishkrim të saj, thelbi mbetet i njëjtë: ishte luftë Antifashiste dhe atë e bëri populli. Po cili e udhëhoqi popullin, kush i dha tonin dhe drejtimin vendimtar? Nga ata që qëndruan në anën tjetër të barrikadës, orvajtjet për të retushuar dhe shtrembëruar karakterin e Luftës për Çlirim, kanë marë përmasat e një fushate sistematike denigruese. Është shtruar një platformë e tërë kundërvënëse dhe mohuese, që merr shkas nga fakti se këtë Luftë e drejtuan komunistët.
Po, e drejtuan komunistët, por ata përbënin vetëm dy-tre përqind të armatës së luftëtarëve partizanë. Drejtimi prej tyre qëndron në programin afatshkurtër e afatgjatë që shtruan, në postet kyçe si ai i komisarit dhe i kryesimit në shtabe, por nuk mungoi edhe shembulli vetiak që dhanë jo pak kuadro, të cilët besonin në një ideal dhe dhanë jetën për çështjen e lirisë e për një Shqipëri të re. E keqja është se në vazhdim flijimet dhe frytet u përvetësuan në mënyrë të njëanshme dhe u spekulua me to. Është e vërtetë se drejtuesit e Luftës zhvillonin paralelisht edhe luftën për pushtet pas fitores, që besonin se do të ishte në anën e tyre e jo të nacionalistëve dhe kolaboracionistëve, por edhe kjo nuk e ndryshon thelbin. Ata e zhvilluan luftën për pushtet më me vendomëri se sa forcat e tjera politike dhe nuk e pritën si dhuratë, aq më pak nga pushtuesit.
Nisur nga synimi i komunistëve për të marrë pushtetin, shtrembëruesit e realitetit historik pretendojnë se Lufta Antifashiste Nacional – Çlirimtare ishte më tepër ose pothuajse vetëm luftë civile. Këtë tezë e hodhën dhe përhapën mjaft herët, midis të tjerëve zëdhënësit e politikës angleze të kohës dhe studjues të huaj, kurse prej afro një çerekshekulli e kanë bërë të vetën dhe e tjerrin, kush më shumë e dikush më pak, përfaqësuesit e së djathtës, nacionalistët dhe kolaboracionistët. Historiani dhe politikani Prof. Paskal Milo (gaz. “Dita”, 6 nëntor 2014), pohon se në Shqipëri deri në vitin 1943 kishte ndonjë element të luftës civile, por kryesore dhe me front të gjerë ishte lufta e armatosur kundër pushtuesit. Duke e shtrirë bvështrimin më gjerë, na bën të ditur se: “Në Greqi, partia homologe e Ballit Kombëtar ishte EDES e udhëhequr nga gjenerali Napoleon Zerva…EDES bashkëpunoi me pushtuesin gjerman në Greqi, iu kundërvu EAM-ELAS-it, por askush nuk thotë se aty pati luftë civile deri në dhjetor 1944. Lufta Civile në Greqi u zhvillua si luftë për pushtet vetëm në vitet 1946 – 1949, kur nuk kishte pushtues të huaj” (Prof. Paskal Milo, po aty, gaz. “Dita”, 6 nëntor 2014).
Antikomunizmi i njohur dhe i deklaruar i eksponentëve të Ballit Kombëtar dhe Legalitetit, ishte njera anë, por në plan të parë doli veprimtaria e tyre kolaboracionste, kompromisi dhe bashkëpunimi me pushtuesit deri në aksione të përbashkëta kundër partizanëve dhe vrasjeve në popull. “Të gjithë këta, para se të ishin antikomunistë, ishin bashkëpunëtorë të fashizmit dhe si të tillë kishin luajtur rolin e tyre për shuarjen e rezistencës antifashiste dhe asgjësimin e forcave partizane.” (Prof. Demir Dyrmishi, gaz. “Dita”, 3 nëntor 2014). Theksojmë operacionet e përbashkëta ndëshkimore, pushkatimin e njerëzve të paarmatosur, djegien e shtëpive dhe sekuestrimin e pasurisë e gjësë së gjallë.
Në librin “Përmbysja e komunizmit”, bot. 2015, (sipas“Gazeta shqiptare”, 1 maj 2015, f. 15) Prof. Servet Pëllumbi i referohet edhe italianit Augusto Bianchi, që thotë se: “Ne i kemi paguar ballistët, legalistët, kur ishim fashistë…Ne i kishim pararojë ballistët dhe legalistët, se ata njihnin vendin e i paguanim…Isa Toskës, që na diskreditoi me krimet në Fier dhe Mallakastër, i hoqëm rrogën dhe ia rritëm Muharrem Bajraktarit, Abaz Ermenjit e krerëve të tjerë. Marrëveshja Dalmaco–Këlcyra na favorizoi e konsolidoi disi pushtetin…” (S. Pëllumbi, libri i cituar, f. 15 e gazetës). Se, sipas këshilltarit politik amerikan C. Kirk, “Ballistët që si grup janë kolaboracinistë, po ia mbathin me gjermanët…kurse legalistët nuk mund t’i rezistonin dot floririt gjerman dhe premtimeve për armë” (S. Pëllumbi, po aty, f. 15).
Prof. Servet Pëllumbi, midis të tjerave thekson se “krahu ballisto-legalist në Shqipëri jo vetëm nuk luftoi okupatorët, por përkundrazi bashkëpunoi aktivisht me ta dhe duke qenë kundër Luftës Antifashiste NÇL., ishte shprehur i gatshëm për të sakrifikuar interesat dhe tërësinë terrioriale të Shqipërisë” (po aty 15).
Në Shqipëri lufta kundër tyre kishte edhe veçori. Një pjesë e atyre që iu bashkuan luftës së armatosur “pas çlirimit nuk ishin për një regjim njëpartiak, që mbartte me vete diktaturën e tij” (po atje).
Qëndrimi ndaj pushtuesit dhe lufta e armatosur ishin gur prove, katalizator dhe diferencues për forcat e ndryshme politike. Disa përfaqësues të shtresave të larta dhe nacionalistë të njohur hynë edhe në kryesinë e Këshillit Antifashist Nacional –Çlirimtar. Por rrugët e palëve të ndryshme u ndanë sipas interesave të klasës dhe programit përkatës politik. Problemi qëndron tek mungesa e pelëshimit, përpjekja për t’i kthyer doemos në anën regjimit të ri, kur ata dhe krahina të tëra nuk kishin qëllim e ndërgjegje të tillë, se ishin thjesht atdhetarë ose edhe antikomunistë.
Studjuesit e ndryshëm radhisin një varg krerësh e përfaqësuesish, që nuk ishin thjesht antikomunistë, por kishin një parahistori që binte ndesh e shkonte kundër historisë që shkroi populli deri në fitore, duke u rreshtuar me dinjitet përkrah popujve të tjerë, aleatëve të mëdhenj, të cilët e njohën dhe e vlerësuan Luftën, ndihmesën dhe flijimet e tij.
Kështu p.sh., historiani Arben Puto në librin “Lufta Nacional – Çlirimtare përballë kolaboracionizmit” thotë se Ernest Koliqi, Mustafa Kruja dhe Ali bej Këlcyra ishin kolaboracionistë. Se Ernest Koliqi, krahas meritave në fushën e arsimit kombëtar dhe të letërsisë, me vajtjen posaçërisht në Romë përgatiti pushtimin fashist të Shqipërisë të 7 prillit. Se Mustafa Kruja ishte agjent i shërbimit të fshehtë dhe i thurte himne Musolinit. Me servilizmin ndaj pushtuesve dhe pekulet me të cilat ata e rrethuan, u arrit që Mustafa Kruja të sfidojë edhe politikën ndërkombëtare. “Është fjala për deklaratën që bënë tri Fuqitë e Mëdha të koalicionit antifashist, SHBA, Anglia dhe B.R.S.S. më 17 dhjetor 1942 për rimëkëmbjen e Shqipërisë së pavarur pas lufte”. (Arben Puto, “Gazeta Shqiptare”, 19 nëntor 2014, f. 21). Se Ali bej Këlcyra nënshkroi marrëveshjen Dalmaco–Këlcyra, që pranonte kapitullimin përpara pushtuesit italian dhe ndërprerjen e veprimeve luftarake kundër tij.
A mund të quhet e pavarur dhe kombëtare Ushtria Kombëtare Shqiptare, e komanduar deri në vitin 1943 nga gjenerali Preng Previzi, kur ajo ishte nën rrënjën katrore të pushtuesve dhe nuk mund të luftonte kundër tyre? Për fat të keq, nuk del i larë as Bahri Omari, që pranimin e postit të lartë qeveritar nën rrënjën katrore të pushtuesit. E cilësojnë veprim të zgjuar diplomatik në të mirë të çështjes së Shqipërisë etnike. Lista mund të vazhdojë me Pater Anton Arapin e Gjergj Fishtën dhe përfaësues të tjerë të jetës shpirtëroe të vendit, për të cilët ka dokumente kompromentuese dhe fajësuese.
Nuk mund të harrohet kosovari Xhafer Deva, intelektual me duar e syze të përgjakura, i cili, nën pretekstin e luftës (hakmarrëse) kundër komunistëve, organizoi në Tiranë masakrën e 4 shkurtit 1944. Janë bërë nderime zyrtare për disa kolaboracionistë, midis të cilëve Osman Kazazi i kryeqytetit, ndërsa nuk është pranuar ndërhyrja e disa të tjerëve si kontributi i përmetarit Koço Tasi për të shpëtuar nga pushkatimi jetën e qindra qytetarëve, apo merita e kirurgut të shquar gjirokastrit Vasil Laboviti, që ndërhyri te komandanti pushtues gjerman për të shpëtuar nga pushkatimi dhjetra e dhjetra banorë të pafajshëm. Kurse përpjekja e zotit President Bujar Nishani për të dekoruar disa figura nergative si Myfit Bej Libohova, që batërdisi Bankën e Shtetit shqiptar, të famëkeqit Ali Bej Këlcyra etj., dekorim që përbën fyerje për luftëtarët e për popullin. Ndoshta dikush shpreson të reahabilitohet edhe Mazar Dino e ndonjë tjetër, që populli sovran, përmes pushtetit të fitimtarëve, i vari si autorë krimesh dhe tradhtarë.
Përpara dhe gjatë pushtimit të vendit propaganda musoliniane u përpoq dhe u lodh për ta paraqitur pushtimin fashist të Shqipërisë jo si agresion, por si bashkim vullnetar me Italinë. (Sikundër më pas aneksimin e ngjashëm e pretenduan edhe jugosllavët e Titos). Propagandës së “Bashkimit” i shërbeu edhe dhënia me ceremoni në Romë mbretit të Savojës e kurorës së Gjergj Kastrioti –Skënderbeut, ku në krye të dërgatës ishte Zef Sereqi. Ardhja e Francesco Jakomonit si përfaqësues dhe mëkëmbës i mbretit të Italisë, zyrtarizoi varësinë dhe suprimoi pavarësinë e Shqipërisë. Ndërsa në vitet e pushtimit fashist e nazist, makinacionet e nacionalistëve se përmes Regjencës, Asamblesë Kushtetuese, bashkimit administrativ me Kosovën gjithashtu të pushtuar, krijuan pandehma e besime pa bazë për një farë autonomi dhe politikëbërje të qëndrueshme. [(Gjermanët i njohën administratës kuslinge të Tiranës përfshirjen nën juridiksionin e saj të krahinave si, Kosova, sllavo–Maqedonia, Metohia, ndoshta edhe e një pjese të Malit të Zi]. Këto manovra e pandehma u përgënjeshtruan nga koha, kurse naivët e puthadorët u damkosën si njerëz në shpërbim të pushtuesit. Kjo nodhi nga Berlini, tek Beogradi, për të të mos shkuar pastaj në epokën e Perandorisë Otomane, ku paria dhe politikanë të ndryshëm e paraqisnin si ekzistencën e Shqipërinë si pjesë e protektorat të saj, me rëndësi jetike, me përfitim për vendin, gati si strategji kombëtare.
Sot “bashkëpunimi i nacionalistëve me pushtuesit gjermanë përligjet, dhe ato nuk qenkeshin fajtorë që miopia e tyre politike favorizoi ardhjen e Enver Hoxhës në pushtet”. (Prof. Marenglen Kasmi, Gaz. “Panorama”, 26 nëntor 2014). Sipas mendimit të këtij studjuesi, teorizimet e ndryshme orvaten të shfajësojnë e përligjin kolaboracionistët, dhe të dezinformojnë brezin e ri, me një një frymë papërgjegjësie, kapitullante, pajtimi dhe bashkëfajësie me pushtuesit. Si mund të besohen se janë të ndershëm në pohimet e veta bijtë apo nipat e të damkosurve qysh gjatë Luftës si tradhtarë e kolaboracionistë, me mbiemrat Sereqi, Butka, Filipi, Kola, Kulla etj?
Risjellim nga intervista e historianit Prof. Pëllumb Xhufi pozicionimin e mëposhtëm:“Ç’mund të ndjesh për racën e kuislingëve, që u bënë menazherë të pushtimit e të pushtuesve, që nuk folën veç për të himnizuar fashizmin e Duçes e të Hitlerit, që i përdorën armët veç për të vrarë shquptarë, për të vrarë Qemalin, Margaritën, Vojon, Perlatin, djemtë e Vigut e të Topanasë…” dhe: “Duke i denoncuar tek Shtabi Aleat kuislingët e kolaboracionistët shqiptarë, gjenerali britanik Edmund Davies, deklaroi në dhjetor 1943: Këta njerëz janë mësuar ta bëjnë rolin e kuislingut me turqit, me italianët, me gjermanët dhe tani përpiqen ta bëjnë këtë rol edhe me ne; prandaj rekomandoj t’u bëhet atyre një paralajmërim i fundit, se pas luftës do të dalin para gjyqit si kriminelë lufte”. (P. Xhufi, Gaz. “Dita”, 16 nëntor 2014, F. 2).Dhe është për të theksuar besimi i gjeneralit anglez qysh në dhjetor 1943 se fuqia e tmerrshme naziste gjermane do të thyhej dhe se fitorja do të ishte në anën e popujve, të frontit madh antifashist të krijues e drejtuar nga tre aleatët e mëdhenj.
Në disa raste dënimi i bashkëpunëtorëve të pushtuesit pas Çlirimit bëhej në një gjyq publik, pas denoncimit edhe nga populli, për krimet e kryera dhe tradhtinë. “Veprimet e forcave ushtarake të qeverisë së Tiranës për thyerjen e rezistencës së bashkëpunëtorëve të fashizmit nuk ishte një fenomen që ndodhte vetëm në Shqipëri, por në të gjitha vendet antifashiste, qofshin ato komuniste apo demokratike. Bashkëpunëtorët e fashizmit kudo u ndoqën me armë. Disa u asgjësuan, disa u dorëzuan e të tjerë dhanë llogari në organet e drejtësisë”. Kështu u veprua edhe në Shqipëri, ku u muar shembull nga ato vende dhe framëzuar edhe nga Gjyqi i Nyrenbergut.
Po cili është përfundimisht karakteri i luftës për Çlirim, quajtur rëndom Nacional – Çlirimtare? Lufta e Bashkimit Sovjetik dhe e Ushtrisë së Kuqe u quajt Lufta e Madhe Patriotike. Mund të quhet edhe lufta e Popullit shqiptar: Lufta e Madhe Çlirimtare Atdhetare. Rëndësi ka që edhe përmes emërtimit, të dëshmohet se u luftua, u marshua në drejtimin e duhur të historisë. Të tjerat, elementet e luftës civile, shmangiet e mëpasme dhe pasaktësitë e historishkrueve janë të dorës së dytë.
Lufta e Madhe Çlirimtare shkallë-shkallë u bë gjithëpërfshirëse. Nuk ishin vetëm rrethet e krahinat e Vlorës, Tepelenës, Mallakastrës, Gjirokastrës, Skraparit, Korçës, Lushnjes, Tiranës, por edhe Shkodra, Kukësi, Dibra e Tropoja, pa dashur të bëj listën e plotë dhe të privoj ndonjë. Nisi më shpejt dhe u organizua më mirë në Jugë, por u shtri edhe në Veriun shqiptar e përtej kufijve. Kjo gjithëpërfshirje ka rëndësi të theksohet, sepse tërthorazi hidhet ideja se lufta për liri ishte gati monopol i Jugut, kurse Veriu ka pak ose aspak meritë. E se, dëgjojmë, ashtu si Jugu u lidh me Komunzimin dhe më pas me partinë Socialiste, Veriu u lidh me reaksionin dhe më pas me të Djathtën politike. Kjo nuk i përgjigjet së vërtetës dhe shpie në përçarje dhe kundërvënie, që e kanë dëmtuar as shumë vendin si në të kaluarën diktatoriale edhe në periudhën më të re. Një rezervë e shfaqur mbi karakterin e Luftës dhe cilësimin Nacional-Çlirimtare, është se nuk u arrit edhe çlirimi i Kosovës e Metohisë, i trojeve të banuara nga shqiptarët. Pra, lufta ishte pjesërisht çlirimtare kombëtare. Balli Kombëtar pretendoi se do ta arrinte këtë objektiv, por si përfundim, dështoi, sepse dështuan aleatët e tij pushtimtarë…
Në qendër të debateve midis palëve të ndcryshme e të kundërta është roli drejtues dhe rrëzimi ose rehabilitimi i Enver Hoxhës. Idhujtarët e E, Hoxhës, duke i njohur meritën e drejtimit të Luftës Nacional–Çlirimtare, synojnë ta lehtësojnë edhe për periudhën e pas Çlirimit; pala tjetër, të djathtë e të persekutuar, duke u nisur nga roli si instaluesi dhe përgjegjësi kryesor për pasojat e padëshirueshme dhe të rënda gjatë sundimit të zgjatur komuniste, ngulmojnë t’i mohohet atij çdo lloj merite për periudhën e Luftës si protagonist i saj, duke e paraqitur vlerësimin e pjesshëm si nderim të papranueshëm për një diktatori në tërësi. Kjo është një logjikë konversive dhe aposteore. Edhe diktatori Metaksa i Greqisë i shpalli luftë ushtrisë musoliniane, hodhi poshtë ultimatumin e asaj qeverie, mobilizoi ushtrinë dhe popullin për të hapur frontin e luftës kundër pushtuesit fashist dhe atij ia njeh si meritë edhe historia e vendit.
Kapja me thonj e me dhëmbë pas “argumentit” se Komunizmi qenkish e keqja më e madhe ishte preteksti i sulmit të Hitlerit kundër Bashkimit Sovjetik të drejtuar nga J. V. Stalini, por edhe i amerikanëve që sulmuan Vietnamin e Jugut dhe Kamboxhian, pretekste që koha i përgënjeshtroi.
“Ka dokumente dhe dëshmitarë të gjallë në Shqipëri dhe në botë që e renditin luftën e popullit shqiptar si luftë e sukseshme ndaj pushtuesve gjatë Luftës II Botërore. Ka dokumente në arkivat shqiptare dhe ato botërore që e vërtetojnë bashkëpunimin e disa krerëve shqiptarë me fshashizmin dhe nazizmin. –Sakip Çami, ish ushtarak, artikulli “Kur do të ndalet lufta ndaj Luftës së lavdishme Antifashiste Nacional-Çlirimtare. 25 Brigadat partizane dhe drejtuesit e tyre” – gaz. “Telegraf” 28 mars 2016, f. 13). Në Europë, me shembuj si Franca dhe Greqia, atdhetarizmi është vijë demarkacioni, parim i padiskutueshëm për vlerat njerëzore dhe kombëtare. Çekosllovakia, që nuk njihet vetëm për Ushtarin e mirë Shvejk, fill pas Lufte, dëboi nga Sudetet tre miljonë banorë, shtetas të saj, si kolaboracionistë me pushtuesit nazistë dhe nuk u dëgjua ndonjë protestë se u bë padrejtësi. Sepse ky ishte konform ligjit të Aleatëve të mëdhenj, i Gjykatës së Nurenbergut.
Një arsye “lehtësuese” pse disa pinjollë të kolaboracionistëve duan t’i quajnë gati të paqena përgjegjësitë e gjyshërve dhe prindërve të tyre është fakti se Gjermania e sotme, duke hedhur poshtë trashëgiminë hitleriane, u bë lokomotiva e zhvillimit ekonomik të Evropës dhe protektore e disa shteteve që po vonojnë të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian. Edhe kjo është një logjikë aposteori dhe nuk e sfidon aspak faktin se ai shtet e popull kanë përgjegjësi për tragjedinë më të madhe të shek. XX. Është pozitive dhe në nderin e atij shteti, që përfaqësuesit e saj kërkuan botërisht ndjesë për krimet e nazistëve. Kurse populli shqiptar, që, siç përsëritet, e çliroi vendin pothuajse krejt me focat e veta (edhe pse në thellësi ishte Ushtria e Kuqe dhe Fronti i përbashkët me anglo-amerikanët, e nuk mungoi edhe ndihma e tyre e drejtpërdrejtë materiale dhe ushtarake) është një tjetër meritë dhe vlerë e padiskutueshme.
Por edhe në këtë drejtim, zëdhënësit e së së Djathtës së sotme orvaten për ta mohuar ndihmesën vendimtare të makinës ushtarake të Bashkimit Sovjetik dhe strategut J. V. Stalin, duke pretenduar se ata që luftuan për çlirimin e vendit u lidhën me aleatët anglo–amerikanë, dhe vetëm kaq! Sigurisht, roli i anglo-amerikanëve në përballimin dhe shkatërrimin e murtajës naziste ishte i madh, por të mos harrojmë se Frontin e Dytë ata e hapën me vonesë, mjaft kohë pasi B. Sovjetik i kishte vënë gjoksin agresionit nazist, duke patur në bilanc dëmet dhe humbjet më të mëdha në njerëz dhe vlera materiale. Bashkimi Sovjetik ishte një shtet me ekonomi të centralizuar, me industri të zhvilluar e burime nafte, shtet i madh që Gjermaninë e hitlerizuar e kishte afër, por Sh.B.A, shtet i zhvilluar kapitalist e pa nisur betejat për supremaci botërore, ishte matanë Oqeanit, kurse Anglia nuk e kishte peshën e tyre. Po mos vallë duhen qortuar perëndimorët pse u bashkun në një front me lindorët komunistë? Dhe dihet që më pas rrugët e tyre u ndanë sërish diametralisht.
Çështje tjetër me të cilën spekulohet është ajo e numrit të dëshmorëve që ranë në betejat për Çlirim. Me kohë u tha se ata ishin 28.000, një dëshmor për çdo kilometër katror. Më pas shifra u ul në 12.000, kurse studjuesi T. Kareco, që nga Sh.B.A. e ul shifrën në 3.800. Është e zmadhuar shifra 28.000, sepse mund të jenë brenda saj edhe ata që nuk u identifikuan, që vdiqën në kampet e internimit, ata që vdiqën më pas nga plagët e Luftës, ose u shpallën të deklasuar. Gjithesis, shifra e të rënëve në Luftë u rrit edhe sepse përmes saj do të merreshin reparacione më të mëdha. Edhe sepse E. Hoxha mëtonte gradën Gjeneralisim…Por edhe korregjimi me zvogëlim i shifrës nuk e ndryshon thelbin, që një popull i vogël bëri sakrifica aq të mëdha. Megjithatë, kjo nuk u jep të drejtë të humburve që të shpikin një shifër me të vërtetë të shpifur. Sepse e djathta shkon edhe më tej. Kështu, përmes kryetarit aktual të Ballit Kombëtar, Adriatik Alimadhi, shifra e të rënëve nacionalistë arrin në 6.000! Ku janë këta persona që u bënë theror, cilët janë emrat e tyre, në cilat beteja ranë? A ngriti populli ndonjë këngë për ta? Dhe ku janë formacionet e mëdha nacionaliste, përveç disa çetave të palavdishme? Përse z. Adriatik irritohet dhe shpërthen kur Lul Basha e quan “ballist”. A nuk quhet Organizatë e Ballit Kombëtar forca politike që kryeson? Është e qartë se e shqetëson fama e keqe që mori kjo organizatë dhe e ndjek pas si hije.
Νdaj, kur flitet për dëshmorët e Atdheut, kuptohet së pari e gati vetvetiu se është fjala për dëshmorët partizanë. Nderimi për veprën e tyre nuk është diçka sentimentale, por parimore. Nuk është çështje familjarëve, por e gjithë popullit.
Nderimi për dëshmorët jeton dhe kalon edhe tek brezi i ri, sadoqë bëhen të gjitha përpjekje e manovrime për ta stakuar nga historia dhe sidomos nga epopeja e Luftës së Madhe Çlirimtare. Edhe të rinjtë shkojnë dhe vendosin një tufë lule në varret e dëshmorëve, megjithëse dinë pak pë ta dhe nuk e kuptojnë thellë luftën dhe flijimin e tyre. Historia dëshmon se natën, në varrin e Qemal Safës, edhe pse ruhej e mbikqyrej nga rojet italiane, u vendos një buqetë lule. Kurse në regjimin e quajtur demokratik, forcat policore penguan dhe ndaluan popullin që, në ditën e shënuar të historisë, të hyjë e të vendosë lule në varrezat e Dëshmorëve të Kombit! Kështu, kreu i asaj qeverie nuk u la gjë mangut kolaboracionistëve të mirëfilltë e klasikë të së kaluarës.
Si është e mundur që nga mijëra këngë të popullit për dëshmorët dhe heronjtë nuk nuk transmetohet prej kaq vitesh në asnjë kanal televiziv dhe stacion radioje, ndërsa lejohen dhe amplifikohet fjalët e ndyra dhe aktet rrugaçërore të disa parlamentarëve, deri edhe thirrje neofashiste për dhunë? Katërmbëdhjetë vjeç ishin Fato Berberi dhe Çelo Sinani, heronj të vërtetë, që nuk dinin nga politika dhe ideologjitë, por u ngritën e ranë me zjarrin e atdhedashursisë në gji. Po kënga burrërore për heroin e Grykës së Mezhgoranit kënduar nga artisti Mentor Xchemali, ose kënga për heronjtë e Pojskës, kënduar nga artistja tjetër e shquar Vaçe Zela? Përmenda vetë dy-tre raste, sepse lista është tepër e gjatë, deri tek Nik Pjetër Ndreka i Vermoshit. E nuk më harrohet një kujtim i përpara tridhjetë viteve, kur një vizitor i huaj, duke hyrë në kalanë e Petrelës, afër Tiranës, vuri re varrin e një dëshmori. Pyeti, mësoi dhe doli jashtë mureve e u kthye me dy lule në dorë, që i vendosi mbi të. E, pra, ky ishte një i huaj, dhe dëshmori shqiptar ishte i panjohur për të, por vizitopri i huaj bëri detyrën e vet njerëzore dhe, në daçi, internacionale, tregoi përmes atij veprimi, edhe sa shumë i nderonte dëshmorët e atdheut të vet.
Por ndodh edhe tjetra: rregullojnë e lyejnë lapidaret, vendoset ndonjë pllakë përkujtimore, venë kurora me leule në përvjetorë, nderojnë edhe me grushtin partizan, por me vilat e çifligjet, në praktikë shkelin mbi idealin dhe gjakun e dëshmorëve.
Në polemikat e shumta për karakterin e Luftës secila palë, për të përligjur pozicionimin e vet, sjell fakte, por edhe të paqena, duke vështirësuar arritjen e një përfundimi sa më të drejtë dhe objektiv për epokën e Luftës për Çlirim. Lufta është luftë, janë bërë edhe gabime, veprime të nxituara, dënime të rënda të padrejta. Por ato e më pas diktatura që pasoi dhe gabimet e saj, mospërmendja si emër e asnjë meritë e E. Hoxhës si drejtues i kësaj lufte, nuk e ndryshojnë karakterin e Luftës, të vërtetën se ajo kishte fitimtarë dhe humbës, humbës që nuk mund të bëjnë alibi, aq më pak të kenë të drejtën të kalojnë në revansh e në denigrime me logjikë dritëshkurtër e mjerane.
Me kalimin e kohës, polemikat për karakterin e Luftës Çlirimtare vijnë duke anuar nga afirmimi i fitores nën drejtimin e Enver Hoxhës, Spiro Mojsiut dhe të tjerëve rreth tij e në bazë. Nuk mungojnë provokimet edhe nga të huajt. Ndaj nuk u miratua mesazhi me rastin e përvjetorit të njëzetepestë të 20 shkurtit 1991, ditës së rrëzimit të përmendores së Enver Hoxhës në qendër të Tiranës, në deklaratën e ambasadorit gjerman Hoffman, se ky priste një miting madhështor me atë rast, nuk u prizt mirë. Iu kundërvunë kryesisht zërat e së majtës komuniste. Muharrem Xhafa tha se ambasadori gjerman bëri thirrje për trazira dhe se nuk mund të mohohet fakti i madh historik që Enver Hoxha fitoi në vendin e vet mbi forcat pushtuese naziste. Tregues i heshtur mospranimi është se, ndërsa ambasadori gjerman nxjerr mllefin e urrejtjes kundër Enver Hoxhës, ambasadorët e tjerë në Shqipëri nuk u pronocuan si ai, sepse, theksojnë polemikat, i njohin meritat e Enver Hoxhës.
Kurse kryetari tjetër i majtë, Marko Dajti deklaroi: “Enver Hoxha ishte komandant i Luftës. Enver Hoxha ka luftuar nazistët e Hitlerit në Shqipëri. Enver Hoxha kontribuoi për ta rradhitur Shqipërinë në anën e duhur të historisë, në anën e fituesit, në anën e koalicionit të madh botëror kundër nazifashistëve, të keqes më të madhe që ka parë rruzulli tokësor. Nuk e di nëse ambasadori gjerman rrjedh nga ndonjë familje naziste, nëse ka pasur babanë ose gjyshin ushtar të Hitlerit, por ne nuk habitemi me deklaratat e tij kundër Enver Hoxhës”, (gazeta “Sot”, 28 shkurt 2016, f. 7). Nga disa kategori njerëzish kërkohet të hiqen krejt e pa dallim dekoratat për merita në Luftën çlirimtare, me arsyetimin se ato janë dhënë në periudhën përpara vitit 1990. Dhe indinjata për këtë kërkesë dhe orvajtje përfshiu jo vetëm pjesëmarrësit e gjallë dhe pasardhësit e tyre, por shumicën e popullit shqiptar, edhe kundër kësaj propagandës denigruese, që shpie ujë në mullirin e kolaboracionistëve dhe të tradhtarëve të vendit. “Argumentet” e tyre janë me këmbë prej argjili. Sepse, edhe po të hiqen dekoratat e një pjese që mbajnë përgjegjësi për bëmat e rënda të pushtetit komunist, këta janë pak, kurse vepra e masës së luftëtarëve partizanë janë njohur botërisht e kanë nderuar Shqipërinë. Heqja e dekoratave nuk është veprim aq i thjeshtë sa heqja e pensionit simbolik znj. Nexhmije Hoxha për merita lufte, apo mosnjohja e të qenit partizan për Enver Hoxhën, deklaruar nga ish ministri i Mbrojtjes Pandeli Majko, me gjyshin gjerman. Le të fillojë një herë procesi i dekriminalizimit, të dalin fakte e personat e inkriminuar, dhe të mos zhvendoset vëmendja kritike nga kriminelët, tek heronjtë.
Sot veteranët ngrenë zërin kundër projekt–orvajtjes së qeverisë së sotme për të shkrirë me dekret e për t’i ndryshuar karakterin dhe misionin organizatës së Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional–Çlirimtare (dhe pasardhësve të denjë të tyre), për ta përzier sipas modelit amerikan të veteranëve, ish profesionistë dhe mercenarë, ndoshta edhe për ta kthyer në shoqatë gjuetarësh për thëllëza dhe laraska. Luftëtarët e lirisë, të quajtur ndryshe partizanë, dolën vullnetarisht, pa pagesë, dhe nuk shkuan të pushtojnë ndonjë vend tjetër.
Atentati denigrues i veprës pavdekshme të dëshmorëve të lirisë dhe vlerave që ata investuan për brezat, tregon se vendi rrezikohet nga një katastrofe të plotë dhe e pandreqshme morale dhe shpirtërore.
Disa nga retushuesit dhe denigruesit e Luftës së Madhe Çlirimtare i kanë blerë diplomat e titujt me para, në periudhën e sistemit të Korrupsionit kalbëzues, por e vërteta historike nuk mund të shitet e të blihet. Këta kalemxhinj janë të parët që mbyllin sytë përpara tatëpjetës, shitjes së interesave të vendit përmes koncensioneve skllavëruese dhe grabitjes së paskrupull të pasurive e të djersës së popullit.
Të flasësh për 7 Prillin e vitit 1939, nuk mund të mos ndalesh tek figura e Ahmet Zogut, i vetëshpallur mbret, me shtojcën “i Parë”, që do të thotë se shpresonte dhe besonte që të kishte edhe trashëgimtarë të tjerë në fron. E shpalli veten edhe “Skënderbeu i Tretë”! Napoleon Bonaparti u kthye në Perandor, por pasi dha beteja që i përmend hoistoria, kurse Ahmet bej Zogji betejën më të madhe, të palavdishme të jetës, e dha për të shpëtuar lëkurën dhe, thonë, princin trashëgimtar të sapolindur, Lekën. Në azilin politik ai përfaqësonte Legalitetin, pra, qeverinë e ligjshme të vendit, duke pritur ta merrte sërish fronin, pa hedhur një pushkë, por duke marrë me vete si hajn 7 (shtatë) valixhe me flori të Bankës së Shtetit e duke e sabotuar qëndresën (veglat e tij u hoqën paraprakisht gjilpërat pushkëve të ushtarëve). Bëri disa reforma me prirje shtetformuese, por më të mëdha janë ato që nuk bëri, më saktë: i bëri në mënyrën më të keqe. Përse, pra, duhet vendosur ai në altarin e kombit, thjesht sepse edhe Shqipëria duhet të ketë në analet e historisë një monark?
Dikur në propagandën partiake puniste thuhej: “Shtatë prilli nuk do të përsëritet më”. Sot ka ardhur dita të jepet alarmi: 7 Prillin e kemi te pragu! Kambana e alarmit ka rënë me kohë, por ajo mund të dëgjohet vetëm nga ata që kanë veshë dhe u dhimbset atdheu dhe populli.
“Ku e lamë e ku na mbeti,/ Vaj vatani e mjerë mileti!” këndoi dhe rrënkoi Theofan S. Noli përpara afro një shekulli “anës Elbës, anës Spressë”.
Në mbyllje u rikujtoj disave që rendin pas berihajt, vargjet e poetit Naim Bej Frashëri tek vjersha “Tradhëtorët“”: “Hiqni dorë, hiqni dorë./ Kini turp të turpërohi,/ Mos u bëni tradhëtorë,/ Se më pas do të pendohi!”.

Xhaferr Deva ishte kombetar shqiptar, kundra sllaveve, kunder komunizmit sllav, kunder tradhetareve te kombit shqiptar qe i sherbenin sllaveve, ruseve, serbeve, grekeve. Xhaferr Deva eshte hero kombtar i kombit shqiptar. Ai ishte armik i xhihadisteve komuniste shqiptare qe i sherbenin xhihadizmit sllav.
Po “çlirimtaret” pushtues xhihadiste komuniste a kishin te drejte te ishin kollaboracioniste te sllaveve dhe te kryenin krime para dhe pas “çlirimit”?
Xhihadiste komuniste qe futen ne Shqiperi ideologjine sllave te komunizmit, bolshevizmit te BRSS, dhe si “çlirimtare” (pushtues) kryen krime kundra kombit shqiptar. Ato ishin te njejte si sot xhihadistet vahabiste te ISISit qe zbatojne ideologjine vahabiste te Arabise Saudite.
Perse tjerterson ne menyre “tallese” emrin e Ahmet Zogut?!? Perse ia mohon betejat e verteta luftarake qe ai ka bere qysh i ri ne te mire te vendit e kombit?
Jo vetem kaq, por edhe i atribuon beteje largimin nga Shqiperia. A jeni ne gjendje te thoni se cili nga mbreterit europiane moren pushken dhe u ngjiten ne mal per te luftuar pushtuesit nazi-fashiste?
Ka edhe me shume. 7 Prillin Zogu e kish nuhatur me kohe, por ai u gjend i braktisur, si nga jashte, ashtu edhe brenda. A kishte ndonje komunist ne perberje te ushtarakeve, mirditoreve, etj qe i bene rezistence psuhtuesve italiane qysh ne diten e pare? (Apo akoma nuk kishte ndonje direktive kominterni, apo “te deleguar” te partise komuniste jugosllave qe ti jepnin drejtim puneve ne interes te tyre, kunder interesave Shqiptare.
Kendveshtrimi i juaj per 7 Prillin eshte i ndotur (apo si i thone sot i kontaminuar) me historine propagandistike te enverit, qe e ndryshonte ate sa here i donte qejfi, per tiu pershtatur situatave, per mprehjen e shpatave kunder Shqiptareve, per te bere te perhershem, ne mos te perjetshem sundimin e tij djallezor e paranojak, shtazarak.
Jeni te “okupuar” si humanoide edhe si shqiptare. Mos harroni se e vertata iu çliron.
Sa gomar na ka lane pas Enver Hoxha-i çilin bile ishte i mireformuar – shihet ne kete artikel! Nuk lexohen gjithe keto citate te gjithe ketyre Historine komunist qe shtremberojne Historine! Abaz kupi u vleresuar si luftetar kunder fashizmit nga vete Enver Hoxha’udheheqjesi’ i yt …
Akoma me dokrra te L2B, partizanet trima ne Shqiperi, Greqi, Jugosllavi etj luftuan heroikisht dhe shporren gjermanet….!
Po Bullgaret, Rumunet, Holandezet, Hungarezet etj qe bashkepunuan ne okupatorin cka humben ata?
Po si mor s`paska pasur lufte civile ne Greqi para 44?Deportimet e cameve ne ishuj,internimet masive gjate vitit 1940-41,cfare ishin?Masakrat e tmerrshme mbi popullsine e pambrojtur shqiptare te Camerise ne qershor-dhjetor 1944,cfare ishin?Apo camet ishin pushtuesit nazifashiste?
Artikull i ekuilibruar, por nga komentet qe lexova e kuptoj se populli shqiptar ka marre fund.
Me ju puna qenka e cuditeshme sa do qe tju a regullosh fytyren prap e shtrember ju mbetet Luften e bene partizanet ndaj pushtuesve dhe jo tradhetaret qe nuk mudemi ti eleminojme dhe sot e kesaj dite
Ore me ju puna qeka ndryshe ? Sa do qe tju regullosh prap e shtrember ju mbetet Flasim per luften kunder pushtuesit e ben partizanet jo thote debili cfar i gjeti shtetet e tjera qe nuk kishin partizan