Shkak i njohjes sime nga afër me poetin e mirënjohur Arben Duka, me të cilin lexuesi takohet çdo ditë në faqet e gazetës ‘DITA’, u bë një miku im i vjetër, ish-koleg i nderuar në “betejat” shqiptare për arin e zi. Ai quhet Vangjel Ndrio. Një pensionist që po i afrohet të tetëdhjetave dhe prapë s’i ndahet punës… Veçse Vangjeli nuk bën punë biznesi, por një punë “dashurie”, me të cilën i ka shpallur luftë monotonisë që ngërthen rëndom moshën e tretë. Shkurt, Vangjeli merret me pikturë në mozaik. Nuk përdor bojëra, por kryesisht rërë me ngjyrë natyrale. Është një hobi i mbetur që nga rinia, e që shpërtheu në vitet e pensionit. Një shpërthim i papritur, befasues dhe i suksesshëm. Dy ekspozita të hapura, me dhjetra vepra të vërteta arti, origjinalitet dhe tematikë shumëplanëshe. I heshtur dhe i qetë, në jetë dhe në punë, larg bujës dhe famës… Është kënaqësi të rrish me të. Të çlodh, të entuziazmon, e për më tepër, të rinon. Në çdo veprim, Vangjeli vetëm “vrapon”. Ai djersin kur ecën ngadalë dhe lodhet kur nuk punon… Të lë gojëhapur kur thotë se nuk kam qejf t’i shes pikturat…
Në një nga ditët kur shëtisnim bashkë, kisha në dorë gazetën “DITA”. E pa dhe më pyeti:
– Ç’është kjo gazetë? S’e kam parë ndonjëherë?
-Është një gazetë e re që ka dalë këto ditë, -iu përgjigja. Ti e di prirjen time për shtypin “kundra”. Ose më mirë të them që unë i përmbahem parimit se një popull që nuk është në opozitë me qeveritë që venë e vinë, është i dënuar të hiqet zvarrë. E pra kjo është një gazetë që më përqas më shumë me këtë parim. Për më tepër, unë e urrej median, pamore apo të shkruar, që i thurr lavde pushtetit. Për mendimin tim ky përbën një krim të madh ndaj popullit. Por, nejse… Sidoqoftë blije një herë dhe shihe vetë…
-Do ta blej, -më tha.
Dhe ashtu bëri.
Kaluan javë. Kur u ritakuam thirri:
-Genci! Po e blej çdo ditë atë gazetën tënde. Është ashtu si më the. Veç kësaj më pëlqen shumë satira e Arben Dukës. Po të them një gjë, por mos vër tellallin. Unë do ta koleksionoj gazetën dhe do ta lidh si libër.
I kthehem me humor:
-Të lumtë Vangjel vëllai. Dhe unë të premtoj se do ta ruaj sekretin. Vetëm tre veta do ta dinë: Ti, unë dhe gazeta.
Qeshi. Por fjalën e mbajti. Madje ca ditë kur pati një virozë të lehtë, më mori në telefon. E pyeta:
-E Vangjel, si je? Ke nevojë për ndonjë gjë? Të të sjell ndonjë vazo me komposto kollopriftesh nga Myzeqeja, apo do reçel patatesh t’i hash me simite?
-Jo or karagjoz, jo, por mos harro të më blesh gazetën…
-Allahu të ruajtë! Urdhri yt në vesh të Perëndisë dhe të Udhëheqësit tonë të madh, se nuk i shpëton gjë atij. Mos ki merak, do ta blej dhe do ta sjell.
Ca ditë, pasi ishte shëruar, më thotë:
-Më ka lindur një dëshirë. Dua t’i bëj një dhuratë Arbenit.
-Ç’është kjo dhuratë? -i them.
-Po ja… dua t’i bëj një portret në mozaik.
-Hëëëm…-mërmërita unë -më duket e çuditshme, por edhe e bukur dhe interesante njëkohësisht.
-Por më parë dua ta takoj, t’i bëj një foto dhe të shoh si do ta presë dëshirën time. Si mund të kontaktoj me të?-më thotë.
-Kollaj fare, i përgjigjem, – ia di unë folenë. E kemi këtu afër fare. Po të duash vemi që tani. Ra dakord dhe u drejtuam për atje…
Tavolina e çuditshme e Arbenit
Arbenin e kam njohur në fillim të viteve ’90, atëhere kur që të dy punonim në Fier. Në atë kohë njihej shumë si poet lirik. Kam debatuar për një poezi që ia kushtonte një të afërmi që kishte ndërruar jetë në moshë shumë të re. Tani skuqem për këtë se ia kam futur kot. Nejse… Pas shumë vitesh, në 2000-2002 jemi riparë. Në atë kohë ishte bërë shumë i njohur për tekstet e mrekullueshme të këngëve fituese në Festivale, për satirën therëse kundër politikanëve të mbrapshtë, të gjitha këto të konkretizuara në një goxha korpus librash të vyer, ku spikasin “epopetë”, të denja për t’u vendosur përbri të famshmes dhe të “anatemuarës” “Epopeja e Ballit Kombëtar”. Para pak muajsh e pashë përsëri. E shihja, edhe ai më shihte, por nuk e përshëndesnim njëri-tjetrin. Mbase ma kishte harruar fytyrën. Pak a shumë ishte po ai Arben i dikurshëm. Hijerëndë, me trup të madh dhe të drejtë… Në ditët në vazhdim, konstatova se ai është i pranishëm çdo ditë në atë lokal në një orë të caktuar të paradites. Si të thuash, ai ka “qoshen” e tij të rezervuar. Më shpesh e sheh vetëm dhe rrallë të shoqëruar. Ka diçka të veçantë ajo tavolinë. Kolltuku ku ulet Arbeni, ka një jastëk-mbështetës shtesë me ngjyrë të kuqe. Përsa kohë që Arbeni nuk është prezent, në atë tavolinë rrallë se mund të ulet dikush tjetër. Jo se i ndalon kush, por ndoshta prej një instikti të çuditshëm, që e ka çdo njeri normal kur kalon pranë diçkaje, të këndshme apo të mërzitshme, të bukur apo të shëmtuar, karizmatike apo të frikshme, të shenjtë apo të mallkuar. Në rastin konkret, ndër çiftet e antonimeve që përmenda, besoj se duhet t’i përkasi njërit prej atyre të sensit pozitiv. Klientët kthejnë kokën drejt asaj qosheje dhe thonë: “Aty pi kafen Arbeni.”
Tashmë më ndodh edhe mua që kur më telefonojnë, duke mos m’u kujtuar emri i lokalit, i jam përgjigjur: “Takohemi tek ai lokali ku pi kafen Arbeni…” Është edhe ky një lloj shpërblimi shprehës për një krijues. Por ka edhe më… Gjatë kohës që Arbeni nuk është i pranishëm, mbi tavolinë apo në njërin nga kolltuqet, do të gjesh patjetër letra përshëndetjesh, lule të freskëta, dhe dhurata simbolike gjithëfarë… Mbase gaboj, por them se studioja e vërtetë e Arbenit është ajo tavolinë.
Takimi me Arbenin
Por të kthehemi atje ku e lamë. Vendosëm të shkonim tek lokali për të takuar Arbenin. Gjatë rrugës, më shkrepi një ide: T’i bëja edhe një intervistë. Mallkova veten që s’kisha me vete diktofonin, megjithatë mendova se nga biseda diçka do fiksoja. Papritmas ndërrova mendje. Thashë me vete:
-Ç’kuptim ka t’i bësh intervistë Arbenit. Ç’të fshehtë mund të zbulosh tek një poet, aq më tepër tek një poet rebel si Arbeni, një opozitar i përjetshëm. Nuk ka ndjenjë, përjetim, dëshirë, dashuri, dhe urrejtje të jetës së tij, që të mos e ketë shpalosur në poezitë e tij lirike, në satirat…, në satirat që më shumë se fjalimet e politikanëve, ngrenë peshë zemrat. Ai ka vërvitur në eter lirinë e tij, më të çmuarën gjë që na dhuron Zoti, sapo lindim. Atë liri, jo rrallë të kërcënuar nga njerëz të babëzitur për pushtet. E pra, ç’duhet t’i japë tjetër poeti, intelektuali, popullit të vet kur ai ndihet i rrezikuar? Ja kështu! Por…, por ç’mund të ketë mbetur pa zhbiruar nga Arbeni? Mbase shkakun përse ai mban bastun…!? M’u kujtua kjo pyetje që ma bëri Vangjeli ditën kur do t’i dhuronim portretin në mozaik. I kishim zënë “pritë” në një cep të rrugës që ai përshkon nga shtëpia për tek ky bari ku ka tavolinën e tij. Sapo u shfaq silueta e tij, drejtova gishtin duke i thënë Vangjelit:
-Ja, ai është Arbeni!
Vangjeli, që mbase nuk e kishte parë ndonjëherë, befas më pyeti:
-Po pse mban bastun?
I përgjigjem me një nënqeshje:
-Vangjel! Nuk e ditke se Arbeni mban gjithmonë me vete dy armë? Njëra është pena–shigjetë, me të cilën gudulis dhe pickon egërsirat dhe tjetra është bastuni me të cilën i godet ato kur i afrohen për ta kafshuar. Po si nuk e ke vënë re ti Vangjel kur i bëre portretin se midis atyre të zezave dhe të kuqeve që ngjyrosin portretin e tij ka ndonjë copëz të bardhë. Ti që je piktor, a s’të ka shkuar mendja se ato i japin portretit pamjen e një rrapi madhështor, vende-vende paksa të djegur? E pra ato s’janë veçse gjurmët e rrufeve të kohës që e kanë goditur herë pas here…
-Sa mirë të ka vajtur mendja, – ma ktheu Vangjeli, duke i hedhur edhe një vështrim tjetër Arbenit.
Dhe ja ku mbërritëm në “strofkën” e Arbenit. Ishte me një tjetër, koleg. U prezantuam. Mua më dha të njohur, ndërsa Vangjelin nuk e mbante mend. I bëmë propozimin, të cilin e mirëpriti me një falenderim të ëmbël që shprehej më qartë në sytë e tij. Na ftoi të pinim diçka, por ne e refuzuam me mirësjellje dhe u larguam. Vangjeli, si zakonisht, nuk ecte por vraponte. U nda shpejt me mua.
Dhurata
S’kaluan as katër ditë, kur më telefonon:
-E mbarova atë. -më tha.
-Me vrap, t’ia çojmë. -i thashë unë.
E gjetëm prapë aty. Ishte vetëm. Po “hante” mëngjesin e zakonshëm: një kokër vezë të zier, të shoqëruar me një gotë ujë. U duk nga çerja e fytyrës që u entuziazmua, por nuk e dha veten. Pasi falenderoi e mbylli me këto fjalë:
-Nuk di si të ta shpërblej. Por kam edhe unë mënyrën time. Do ta kthej me të njëjtën monedhë. U ngritëm, e përshëndetëm dhe u larguam.
S’m’u durua dhe fola:
-Vangjel! Sot ke marrë një dhuratë që do ta kishte zili çdokush prej nesh. Ai do të të kushtojë ty një poezi. Kjo është qershia mbi tortën tënde të gatuar me pension ziun, dy ekspozitat dhe dashurinë për njerëzit dhe natyrën…
Dhe tani që po e mbyll, më duhet të them diçka. Prej kohësh i kisha premtuar Vangjelit se do t’i dedikoja një reportazh. Por, hë sot, hë nesër dhe po e zvarrisja ca si shumë. Por rasti apo fati, ky mbret i botës, më ndihmoi. Nuk dola keq apo jo? Me një të shtënë… tre zogj. Dhe nuk ishin zogj por shqiponja dhe për më tepër të gjallë: Një POET, një PIKTOR dhe një GAZETË…
*Inxhinier, autor i librit disa vëllimësh, “Këshilla nga Djalli”, i një sërë librash të përkthyer (“Gjeodinamika e naftës”, “100 citate të mëdha të komentuara”, “Kataklizmat më të mëdha të botës”, “Historia e magjive”, “Vdekja e një anarkisti”(Dario Fo), opinione dhe ese të botuara në shtypin e përditshëm

Pershendetje autorit te reportazhit, zotit Genc.
Nje reportazh i goditur, i shkruar me emocion e dashuri.
Por nje pershendetje edhe per Z. Vangjel, pensionistin artist. Njeriu qe gjithe jeten ka bere gjera te dobishme, nuk mund ti rrije dora dhe mendja te punoje per shoqerine.
Vetem njerzit e perkushtuar dhe fisnik punojne edhe ne pleqerine e thelle te jene te dobishem per shoqerine.
Ndersa mendimin tim per Poetin qe jeton vrullshem dhe pasionant me popullin e vet , perpiqem ta them sa here lexoj poezit e tij.
Ndoshta do gjej dhe une ti bej nje dhurate modeste Poetit Rrebel te shqiptareve….
Me pelqen vleresimi qe i behet Arben Dukes, dhe fakti i lidhjes se gazetes ne forme libri. Kjo per faktin se kam qelluar edhe une ne kete ide, apo deshire te them. Kam nxierr nga interneti ndoshta shumicen e poezive te Arben Dukes, i kam printuar dhe kam lidhur deri tani tre libra, qe gjithesej shkojne afersisht 300 faqe formati. Me pelqejne shume se jane te goditura, artistikisht te kendeshme dhe me problematike jetesore qe duhet te gudulisin cdo shqiptare, per te qene sadopak opozitare qe te shohim per me mire e me larg. Suksese: Arbenit, autorit te shkrimit dhe shokut te tij.
Shkrim i bukur ne kohen e duhur per te respektuar Poetin …
Genci, ju uroj mbaresi ne “profesionin” e intervistuesit! Kam bindjen qe do te shkelqesh edhe ne kete profesion, duke sfiduar te shkolluarit ne gazetari.
Genci, do te desha te beje nje interviste me Drejtuesit kryesor te Albpetrolit, ndermarjes tende te zemres, te shoqeruar me fotografi ose edhe filmime, ke per tu befasuar nga pershtypjet, opinionet e tyre persa i perket degradimit te Albpetrolit, shkaqeve qe e shkaterruan ate.
Genci, mirardhesh ne Gjeofiziken tone, mos vono sepse edhe koha eshte e mrekullueshme per te takuar shoqerine e vjeter, (ata qe kane ngelur)!