Më 2 nëntor të vitit 1989, dy studentë të rinj e aktivistë për çlirimin e Kosovës u vranë nga forcat pushtuese serbe në Bregun e Diellit në Prishtinë.
Afrim Zhitia, 24 vjeç dhe Fahri Fazliu 26 vjeç.
Afrimi studionte filozofi në Universitetin e Prishtinës dhe adhuronte fort Hegelin. Fahriu, ndërkaq, studionte telekomunikacion në Zagreb të Kroacisë.
Të dy asnjëherë nuk e braktisën dashurinë për dijen, as ëndrrën për çlirimin e Kosovës. Ata ranë dëshmorë pas disa orësh luftime me pushkë në dorë dhe libër në xhep.
Deri në frymën e fundit, ata vepruan në shërbim të interesave të kombit shqiptar.
Sot, duke kujtuar Afrimin e Fahriun kujtojmë shumë më shumë se dy dëshmorë të kombit shqiptar. Motivi i një pune të nisur nga Afrimi e Fahriu tre dekada më parë duhet të na obligojë të gjithë për të menduar një trajtë më të thellë të bashkëpunimit mes Kosovës e Shqipërisë dhe unitetit kombëtar në përgjithësi – shkruan Ministri i Jashtëm në detyrë Gent Cakaj në një postim sot në rrjetet sociale.

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj ka thënë se Fahri Fazliu e Afrim Zhitia ishin ndër të parët që rezistencën e armatosur e kishin parë si mundësi të vetme për çlirimin e Kosovës dhe e mbajtën të pashuar idealin e lirisë, duke ia pasuar brezit të UÇK-së.
“Në 30-vjetorin e rënies së tyre, kam bërë homazhe në Bregun e Diellit në Prishtinë, në nderim të dy heronjve të kombit, të cilët përjetësisht do të mbesin frymëzim për sakrificën dhe heroizmin, në përpjekjet për të drejtën tonë. Lavdi e përjetshme”, ka shkruar sot ai.
Kryeministri i ardhshëm i Kosovës, Albin Kurti po sot i ka kujtuar kështu dy studentët heronj:
Viti 1989 ishte vit i demonstratave të dendura e të fuqishme. Më 1 nëntor, Afrim Zhitia, asokohe sekretar organizativ i Lëvizjes, ilegal që prej dy muajsh, mban fjalim para demonstruesve. Të nesërmen, bashkë me veprimtarin e dalluar, Fahri Fazliun, vriten nga policia e Serbisë në Bregun e Diellit në Prishtinë. Me dhimbje e krenari i kujtojmë sot, me 2 nëntor, në 30 vjetorin e rënies së tyre.
Me Afrimin e Fahriun, udhëheqja e Lëvizjes atëbotë nis e bëhet nga brenda, jo më prej jashtë vendit. Organizata rritet e aktivitetet shpeshtohen. Bëhet thirrje për sabotimin e mallrave të Serbisë, Maqedonisë e Malit të Zi (që asokohe mbanin anën e Beogradit), si dhe minohen lartpërçuesit elektrik drejt Serbisë. Veprojnë njësitet e para guerile: dëshmorët Ali Ajeti dhe Hasan Ramadani të Çetës së Llapit armët i patën marrë nga Afrim Zhitia.
Afrimi dhe Fahriu aq shumë i ngjajnë Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës për nga vendosmëria patriotike, trajektorja jetësore dhe rënia heroike. Gjersa vazhdon okupimi, edhe rezistenca vazhdon, me të tjerë veprimtarë të paepur, që duket se përsëriten, sepse populli është i njëjti.
Homazhe dhe deklarata kanë bërë sot edhe Thaçi, Veseli, politikanë dhe veprimtarë në Kosovë.

Shkrimtarja e re Jeta Zhitia, të cilën lexuesi i Ditës e njeh prej botimeve të mëparshme është mbesa e Afrimit:
DITA sjell më poshtë fjalën e mbajtur nga Jeta, sot në akademinë përkujtimore me rastin e 30 vjetorit të rënies së Afrimit dhe Fahriut:
“Zonja dhe zotërinj, në emër të familjes Zhitia, falënderoj organizatorët e kësaj akademie. Dhe falënderoj gjithë juve që keni tregu kujdes gjatë këtyre 30 viteve…
Burrat s’qahen, thuhet n’Shqip.
Por është shumë më e komplikume se kaq. Ata burra dhe ato gra kanë qenë djem e vajza, vëllezër dhe motra.
Për mu që nuk e kom njoft, Afrim Zhitia gjithmonë ka qenë vëllai i Mamit ose edhe Axhi për Dritëron dhe Flamurin, dy njerëz të dashur, të cilët Mamit i thojnë hallë.
Një mengjes veror të vitit t’kalum e ndjeva për herë të parë që Afrim Zhitia nuk ka qenë vetëm vëllai i mamit dhe me këtë vëllai i Dajës Sylë dhe Dajës Naim ose edhe djali i Babushit – se Babushi ma tregon këtu e aty një fjalë të Afrimit – ndjeva që ka qenë dhe djali i Nonës Qamë.
Atë mëngjes shkova n’kuzhine dhe Nona Qamë ishte t‘u pjek speca. Rrinte heshtur dhe nuk i hjeke sytë prej pllake.
-Mirëmengjes, Nona Qamë, – i thashë.
-Mirë, çfarë miri! Mu pergjigj me një za nervoz, po nga ato nervozat që mundohen me fsheh dhimbje.
Pas këmbënguljes time për fjalë të qeta mes nesh, ende me kurrizin prej meje, tuj rrutullu specat më tha me një za të përlotun:
-Mos u kanë për kurgjo që ka vdek Afrimi? Tash po naj merr djemtë Specialja.
Mrena meje diçka u thy.
Iu afrova edhe ia preka kurrizin me një dorë.
Çka i thuhet një Nane n’këtë rast – i cili nuk është i vetmi n’këtë Kosovë – çka i thuhet kur mirë e din që asgjë n’këtë jetë, asnjë fjalë nuk do ia lehtësoj dhimbjen, kurrë.
E unë në atë çast vetëm fjalë kisha. Fjalë edhe një bindje.
-Nuk i ka shku poshtë vdekja Afrimit, jo. Jon tu luftu, oj Nona Qamë. Jon tu luftu dhe tu punu përditë.
Sikur mblodhi vetën, se u kthy ka unë dhe prapë me atë zanin nervoz, m’tha:
-Duhet me ia dit kimetin jetës!
Unë, tu mos e dit një fjalë këtu a aty, e pyta:
-Po, mire oj Nona Qamë, po kimeti çka osht?
Poget këtë llojë pyetje nuk e priti, se u qetësoj dhe keshi. Kapi specin ma t’vogël n’pllakë, dhe e qoj n’ajër që dy ftyrat tona e kishin n’mes dhe m’shihte n’sy. Speci ishte i vogël sa një pëllëmbë e dorës.
-A pe sheh sa i vogel? Këtij duhet me ia dit kimetin. Duhesh me kanë falenderues për çdo gjë n’jetë. Jetës duhet me ja dit kimetin. Qaq.

Për këtë jetë, të cilës duhet me ia ditë kimetin, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu dhe tepër shumë dëshmorë tjerë kanë dhanë të vetën.
Liria e atdheut dhe e dheut mëmë, kjo është e drejta e individit për një jetë n’liri.
Me dhanë jetën për një bindje është veprimi më radikal i mundshëm për me deshmu vlerën e besimit tënd. Në rastin e deshmorëve tanë besimi i tyre ishte ky që çdo njëri prej nesh këtu dhe në të gjithë Kosovën meriton një jetë sovrane, një jetë dinjitoze, një jetë veprimtare.
Me të njëjtin radikalitet ne sot duhet t’luftojmë për lirinë. Se lufta për të nuk ka mbaru.
Hannah Arendt e ka thanë saktë: “Liria nuk është çlirimi prej emergjencës, mjerimit ose frikës. Liria e vërtet vjen më pas. Liria është mundësia me vepru lirshëm”.
Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu kanë ditë që kanë pas të drejtë me kërku ma shume nga jeta se çka u kanë e mundshme në kohën e tyre, me kërku jo më pak se çka e kanë ditë që kishin meritu.
Kanë pas mjaft besim në vete që kanë guxu me luftu për një popull të tërë, për neve.
A kemi ne sot të njejtin vetëbesim sa me kërku më shumë nga bashkqytetarët që kanë marrë sipër detyrën e qeverisjes? Dhe ata me kërku më shume nga popujt fqinj?
A kemi mjaft vetëbesim sa me kërku më shume nga vetja? Më shume nga njëri-tjetri? Me guxu me kërku atë që meritojmë?
Duhet. Se nuk ka qenë për kurrgjo që është vra Afrimi. Nuk ka qenë për kurgjo që është vra Fahriu.
Duhet të marrim guximin me këmbëngul në kërkesën tonë për më mirë.
Çdo akt jete është një akt lufte për lirinë.
Çdo ditë duhet t‘i perkujtojmë deshmorët nëpërmes veprimeve tona.
Çdo herë që lëvizim mrena sistemit demokratik për të cilin ata kanë luftu, ne duhet të qëndrojmë të vetëdijshem për pergjigjësinë tonë si qytetar të këtij vendi dhe anëtarë të këtij populli.
Jo i gjithë populli atëherë e ka pa të domosdoshme luftën çlirimtare. Kanë qenë disa, dhe disa nga ata sot nuk janë më.
Po ne sot që jemi duhet të ruajmë me sy shqiponjësh lirinë e çdo njërit prej nesh,
Rëndësia e të cilës është dëshmu me gjak nga tepër shumë anëtarë të popullit tanë.
Nuk ka kompromise kur është n’pyetje jeta e njeriut.
Nuk ka kompromise kur janë n’pyetje drejtat e individit.
Nuk ka kompromise kur është n’pyetje liria e popullit shqiptar.
Këtë kanë deshmu Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, këtë kanë deshmu tepër shumë tjerë.
Këtë e përkujtojmë sot, për këtë duhet të jemi të vetëdijshem çdo ditë.
Faleminderit.”
a.d. / dita

Të nderuara familje Zhitia dhe Fazliu…
Jam shumë i lumtur që sot u gjenda në mesin tuaj, në këtë përvjetor të rënies heroike të filizave të lirisë së Kosovës – dëshmorëve të kombit, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu.
Shqiptarët kanë kaluar nëpër shumë periudha të errëta të historisë, duke u përballur me regjime antidemokratike, secili më i zi se tjetri. Por fatmirësisht, nëpër të gjitha periudhat, kombi ynë lindi trima që për asnjë çast nuk iu përkulën asnjë pushtuesi, dhe guximshëm trasuan rrugën e lirisë.
Në kohën e kulmit të mitit serb për Kosovën, në fundin e viteve të 80-ta të shekullit të kaluar, Afrim Zhitia, Fahri Fazliu, dhe rinia më e guximshme shqiptare, e të gjitha viseve nën Jugosllavi, bëri përpjekjet e para serioze për shporrjen e pushtuesit shekullor. Ata ndezën shkëndijat e para të rezistencës së armatosur. Duke e flijuar veten e tyre, ata projektuan një të ardhme më të mirë për brezat që do vinin. Kështu, me veprën e tyre heroike, ata treguan më së miri se si duhet Atdheu dhe si duhet liria.
Afrimi e Fahriu, ishin dhe mbeten flakadanët e parë të luftërave të fundit çlirimtare të shqiptarëve në Ballkan, dhe si të tillë gjithmonë do të kujtohen nga të gjithë shqiptarët kudo që janë.
Të nderuara familje Zhitia dhe Fazliu…
E dimë që për ju ka qenë dhimbje e madhe humbja fizike e djemve tuaj, 30 vjet më parë, por gjithmonë duhet të jeni krenarë, se pikërisht në gjirin tuaj, u lindën e u rritën këta viganë sypatrembur, u lindën e u rritën lajmëtarët e lirisë së Atdheut.
Afrimi dhe Fahriu janë pjesë e çdo qelize të lirisë së Kosovës.
Afrimi e Fahriu janë vetë liria!
Lavdi e përjetshme jetës dhe veprës së tyre heroike.
Ju faleminderit shumë!
Dr. Skender Asani, drejtor i ITSHKSH-Shkup,
Keta kan qene fillesat e lirise se Kosoves,
I perjeteshem heroizmi i tyre.
VENDIT TEM
Kur të vdes , le të bahem bar
Në malet e mia në pranverë
Në vjeshtë do të bahem farë.
Kur të vdes, le të bahem ujë
E fryma eme avull
Në fushë do të bie shi.
Kur të vdes , le të bahem gur
Në skajin e vendit tim
Të qindroj kufi.
(Martin Camaj)