Me doktoraturë, por sërish pa punë…

anazapta

Pavarësisht qëllimit, mbarimi i studimeve të doktoraturës nuk favorizon aspak drejt gjetjes së një vendi të sigurt pune. Kjo për shkak të liberalizimit të pranimeve edhe në këtë cikël studimesh, çka po sjell një superprodhim të titujve edhe në programet e doktoraturës, teksa nevojave reale që ka aktualisht tregu i punës për profesionistë të kësaj natyre është shumë herë më e ulët. Përballë kësaj situate kaotike që ka përfshirë arsimin e lartë në vend dhe po rëndon cilësinë e universiteteve, akademikët ngrenë alarmin se organet përgjegjëse duhet të ndërhyjnë sa më shpejt për të sistemuar këtë ngërç, në të kundërt pasojat do të jenë të rënda. Referuar situatës aktuale, tregu i punësimit dikton se edhe pse mund të zotërojnë diplomën e doktoraturës, shumë prej poseduesve të saj nuk gjejnë dot një vend pune, pasi klasifikohen si të  si të mbikualifikuar për vendet e punës që ofrohen. Ndërkohë që kërkesat për vende pune nga personat me këtë kualifikim është shumë herë më e lartë se sa alternativat që ofrohen. Duke u ndalur tek kjo situatë, dekani i Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Tiranës, Sulo Hadëri sqaron se duhet gjetur një zgjidhje ndaj presionit psikologjik që ka mbërthyer të rinjtë për të vijuar studimet e larta në të gjitha ciklet e studimeve universitare, pasi jo gjithmonë kjo është rruga e duhur për të çarë në tregun e punës. Një ndër format më të mira për t’i dhënë fund kësaj situate është ndalimi i masivizimit të pranimeve të reja që aprovohen çdo vit për të vijuar studimet në programet e doktoraturës. Ku në shumë raste një pjesë e mirë e titujve jepen edhe pa kriter. “Oferta e tregut të doktoraturave është shumë e madhe, sepse ka më shumë kërkesa për doktoraturë se sa është i aftë tregu i punës të ofrojë. Çdo luhatje mes ofertës dhe kërkesës shkakton shqetësim. Oferta është shumë e madhe, njerëzit shkojnë të tregun e punës dhe nuk gjejnë punë, dhe kërkojnë punë me nivel më të ulët, dhe kjo nuk pranohet sepse quhen të mbikualifikuar”, deklaron dekani Sulo Hadëri. Më tej, ai sqaron se raporti i zhdrejtë mes atyre që kërkojnë vende pune dhe asaj çka ofrohet nga tregu, ka ardhur edhe si shkak i ndryshimeve të shumta që kanë përfshirë arsimin e lartë gjatë viteve të fundit. “Unë personalisht dhe shumë të tjerë, por edhe në vendet përreth mendojnë se 4+1 është shumë më i mirë, por ishte më normale për vendet si Shqipëria, që është një vend tranzicioni. Katër vite janë të mjaftueshme për të përgatitur një specialist të arsimit të lartë për në tregun e punës”, shton Hadëri. Gjatë javëve në vijim fakultetet publike pritet të japin propozimet konkrete në lidhje me kuotat e mundshme që duhet të çelen në programet e doktoraturës. Këto propozime pritet që gjatë muajit janar të mbërrijnë edhe në Ministrinë e Arsimit. Ndërkohë që aprovimi përfundimtar i kuotave dhe tarifave të studimit për ciklin e tretë i takon Këshillit të Ministrave.

 

Kriteret aktuale për programet e doktoraturës

Programet e studimeve të doktoratës janë programe të studimeve të ciklit të tretë, me karakter plotësisht akademik, që kanë në bazë kërkim shkencor dhe veprimtari krijuese.

Në studimet e doktoratës pranohen kandidatë që kanë fituar diplomë universitare “Master i shkencave” ose “Master i arteve të bukura”.

Këto programe të studimeve zgjasin të paktën 3 vite akademike dhe përfshijnë 60 kredite për studime të organizuara teorike. Institucionet e arsimit të lartë, në bazë të rezultateve të arritura në studimet e organizuara teorike, vendosin kritere klasifikimi për kandidatët që kanë të drejtë të zhvillojnë projektin kërkimor dhe të përgatisin tezën e doktoratës. Institucionet e arsimit të lartë përcaktojnë standarde e kritere kualifikuese për njohjen e gjuhës angleze, mbi bazën e testeve të njohura ndërkombëtare, si dhe metoda për vlerësimin e nivelit teorik të përgjithshëm të kandidatëve.

Kandidatët, që nuk arrijnë të përmbushin kriteret e vendosura, nuk klasifikohen për të vazhduar më tej studimet e doktoratës dhe pajisen me një dëshmi, në të cilën jepen modulet e zhvilluara së bashku me kreditet e grumbulluara dhe vlerësimin e tyre;

Në përfundim të programeve të studimeve të doktoratës lëshohet diploma për gradën shkencore “Doktor” (Dr).

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *