Vllaznia u ka dërguar sinjale të qarta të gjitha skuadrave që pretendojnë titullin, me një fitore të pastër 3-0 kundër Laçit. Skuadra e Agim Canajt ka arritur fitoren e tretë në këto pesë javë, duke vërtetuar, të paktën deri tani, se humbja e javës së parë me Flamurtarin ishte thjesht një moment kalimtar. Që atëherë, kuqeblutë kanë marrë tri fitore dhe vetëm një barazim, në Lushnjë, duke vënë seriozisht kandidaturën për titullin e parë që nga viti 2001. Shkodranët e nisën mirë, teksa shënuan në minutën e 18-të, me anë të Hajdarit, ndërkohë që Bushiç dyfishoi shifrat në të 60-tën.
Takimin mund të kishte pasur tjetër histori, kur tri minuta më pas cilësoi si të parregullt një ndërhyrje të Beqirit ndaj Brkiç, por duke akorduar goditje të lirë jashtë zonës, në një kohë që faulli ishte brenda saj. Skuadra e Stavri Nicës u përpoq mjaft që të shënonte dhe krijoi disa raste, por u shfaq tepër konfuze në zonën shkodrane, ndërsa miqtë luajtën qetësisht dhe dhjetë minuta nga fundit shënuan edhe golin e tretë, sërish me Bushiç. Tani Vllaznia e sheh veten në krye, në pritje të ndeshjes së Teutës kundër Tiranës, sot në Durrës.
Është java e dytë radhazi që shkodranët vënë nën presion durrsakët, duke u marrë përkohësisht kryesimin. Një gjë të tillë mund ta kishte bërë edhe Partizani, nëse Besnik Krasniqi nuk do të kishte gabuar nga pika e penalltisë në minutën e 95-të të ndeshjes kundër Flamurtarit. Moçka i kuptoi krahun dhe ndaloi gjuajtjen e dobët, duke i dhënë një pikë skuadrës së tij pas dy humbjeve radhazi. Partizani shkon në kuotën e tetë pikëve, aq sa Teuta, ndërkohë që vazhdojnë ngjitjen Bylis dhe Kastrioti. Mallakastriotët pritën në shtëpi Besën dhe arritën fitoren e pritshme, me tre gola të shënuar nga Meto, Xhejms dhe Izuçuku, pa pësuar asnjë. Kukësi pati një fitore me vlera të mëdha, pasi e arriti në fushën e Kastriotit, një tjetër skuadër që ishte në rritje të vazhdueshme.
Fati i takimit u vendos 11 minuta para fundit, kur Sokol Cikalleshi tundi rrjetën e vendasve. Bylis e Kukësi barazohen me Lushnjën në renditje, me nga shtatë pikë. Sot, Teuta do të kërkojë të rikthehet në krye, duke mundur Tiranën në “Niko Dovana”. Bardheblutë janë në telashe të mëdha dhe aktualisht renditen në vendin e parafundit, megjithatë pritet një ndeshje e fortë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për takimin e fundit, ku Skënderbeu pret Lushnjën. Kampionët e dy kategorive përballen në Korçë dhe deri tani lushnjarët kanë një pikë më tepër se korçarët e Mirel Josës.
Kategoria Superiore
Java e 5-të
Dje
Vllaznia-Laçi 3-0
Hajdari 18′, Bushiç 60′, 80′
Kastrioti-Kukësi 0-1
Cikalleshi 79’
Partizani-Flamurtari 0-0
Bylis-Besa 3-0
Meto 45′, Xhejms 62′, Izuçuku 80′
Sot
Teuta-Tirana 14:00
Skënderbeu-Lushnja 17:00
Renditja
N Skuadra P Gol F B H
1 Vllaznia 10 9:2 3 1 1
2 Teuta 8 6:4 2 2 0
3 Partizani 8 5:3 2 2 1
4 Bylis 7 7:5 2 1 2
5 Lushnja 7 3:2 2 1 1
6 Kukësi 7 4:5 2 1 2
7 Laçi 7 2:4 2 1 2
8 Skënderbeu 6 5:5 2 0 2
9 Kastrioti 6 3:5 2 0 3
10 Flamurtari 4 4:4 2 1 2
11 Tirana 4 1:4 1 1 2
12 Besa 1 4:8 0 1 4
Flamurtari -3 pikë
