Ismail Qemalit, Nolit, Gurakuqit etj. burrave të urtë e të mencur të kombit, nuk u ranë kurrë letrat në ujë. Dhe as u ngopën ndonjëherë me lugë bosh. Ata ishin dhe mbetën shqiptarë të mëdhenj, por edhe demokratë e luftëtarë të mëdhenj për Pavarësinë e Lirinë e vërtetë. Fillimi i shekullit të dytë të Ditës së Flamurit, vec të tjerave, është edhe moment i rëndësishëm reflektimi e meditimi. Brenda dhe jashtë Shqipërisë sonë, për lartësimin dinjitoz të vetëdijes kombëtare. Me këmbët në tokë (jo në yzengji) dhe pa ngecur nëpër grackat e nacionalizmit të rremë elektoral. Pra, ta shikojmë historinë drejt e në sy, të nxjerrim mësime për sot e për nesër. Pa i mbajtur veshët ngrehur vetëm përballë daulleve partiake. Sepse sic ka theksuar një i ditur,”kush lexon e nuk di të shkruajë, është memec”! Më konkretisht: Qeveria e Përkohëshme e Vlorës, përballë halleve e problemeve sa një mal dhe pa u bërë ende motake, nxorri një Urdhër për Gjuhën Shqipe si gjuhë zyrtare. Përkrah ngritjes së shkollave, duhej të niste udhëtimin një shtyp i ri. E jo vetëm në Vlorë, por edhe në Elbasan e gjetkë. Madje, në arkivat e kryeqytetit italian lexon sot e kësaj dite edhe shkresën informative të një konsulli se “kishte filluar shkrirja e gërmave të posacme të gjuhës shqipe”. Shtypshkronjat e para! Vecse ai Urdhër mban firmën e vlonjatit të papërsëritshëm Ismail Qemali, firmën e politikanit tepër largpamës që kish shpallur Shqipërinë “më vehte, të lirë e të mosvarme”.(Ku firmëtarët e pashuar të 1912-ës, e ku “nacionalistët” daulleshpuar të 2012-ës!). Portretin e tij e mbajtën mend gjatë edhe kancelaritë europiane. Ndërsa ne kujtojmë e flasim me zë vargjet e Poetit të madh skraparlli:
Hynte dhe dilte kancelarive plaku
Orakull.
Evropa
Akull.
Është vendi im.
Një krah shqiponje ikën tej Drinos,
Tjetri tej Drinit.
Shkon gjaku deri në bark të kalit,
Shami të zezë lidh liria.
Po ti kush je ?
Jam historia…
Nuk harrojmë. Ishte koha që mund të përgjysmonte “dilemën hamletiane nga :”Të rrosh a të mos rrosh?”-“Të rrosh!”…Rënkim i një kombi të tërë, kudo ku i thoshin bukës bukë e ujit ujë. Jo vetëm shpallja e Pavarësisë, por edhe Gjuha Shqipe ka heronjtë dhe dëshmorët e saj.(Një parantezë: Vëllait tim, diplomat karriere, unë, shokët e miqtë i vecojmë shpesh edhe një fakt jo të zakonshëm. Pas përpjekjeve të shumta në emër të shtetit tonë, realizoi vendosjen e një pllake përkujtimore shqip mu në zemër të Bukureshtit. Në ballinën e hotelit “Kontinental”, atje ku në 5 nëntor 1912 kishte qëndruar e ëndërruar fort, Ismail Qemali. Atje mori në duart drithërimë edhe Himnin e Flamurit. Ia dha Asdreni ynë plot prush atdhetarie. Dhe e solli në Vlorë…).Te ky kryeqytet i Pavarësisë do të merrte udhë “Më i bukuri Urdhër”, sic u pagëzua me të drejtë nga shtypi i kohës. Sepse në damarët e tij gurgullonte jeta, mundimet dhe gjaku i Petro Nini Luarasit, që mbylli sytë 14 muaj para 28 Nëntorit 1912. Dhe la pas të vetmin amanet: “Vritmëni, por ma ruani gjakun se do t’u duhet nipërve dhe stërnipërve tuaj të shkruajnë gjuhën shqipe”! Mësonjëtorja e Parë në Korcë, kulloi lotë të nxehtë për mësuesin dhe drejtorin e saj të parë…Më tej. Unë dhe vërsnikët e mi nëpër Shqipëri e në emigracion, jemi krenarë që mësuam në shkollën e mesme Pedagogjike të Gjirokastrës, në atë vatër të shquar që mban emrin e dashur të Pandeli Sotirit(ishnxënësit të Koto Hoxhit), veprimtarit të zjarrtë të arsimit kombëtar, botuesit të revistave “Drita” e “Dituria” etj. Dy herë e burgosën Nuci Nacin, por fjalën shqipe nuk ia burgosën dot ! Mërgimtarët i hiqnin kapelen në Stamboll e kudo. Ndërsa në Janinë hapi e drejtoi me penë e mencuri gazetën “Zgjimi i Shqipërisë”. Ose me lirikat e tij të famshme, Ndre Mjeda ndizte zemrat e delegatëve në Kongresin e Manastirit teksa diskutohej e vendosej për hartimin e Alfabetit të njësuar. U bë prift e deputet. Por jetën e mbylli si mësues i gjuhës shqipe në Shkodër !…Papa Kristo Negovani luftoi me zemër, me gojë e me penë kundër paditurisë, injorancës e përcarjes, kundër cdo oreksi shovinist e shkombëtarizues. Botoi poemën rrënqethëse “Prishja e Hormovës”, vargje për fëmijët, novela e fabula të përshtatura nga La Fonteni. 30 vjecarin atdhetar e idealist të pandreqshëm, e masakruan barbarisht andartët grekë… Në malet e Dibrës, rrëfejnë ende për Said Najdenin(Hoxhë Voka), që kullën e vet e ktheu në vatër të gjuhës së Nënës…
-Dëgjomë pak, miku im, mos e harro kurrë mësuesin tonë të Abetares, Stathi Kume dhe as të mirin Murat Kociaj(“Mësues i Merituar”),-më thotë shpesh Kiço Peshtanaku, që jeton e punon te Grykat e Këlcyrë-Mezhgoranit.-Xha Murati ishte nga krahina e Lopësit, por gjurmët e tij nuk fshihen gjer në Konispol. Nga ai mësuam për herë të parë edhe për Nine Fështin, bashkëfshatarin tonë trim që hoqi rrason dhe mjekrën e priftit, i mbylli në një pako dhe ia nisi dhespotit me mbishkrimin:”Merrini pacavuret tuaja, shqipja na është e dhimbsur !”…Thuaj dy fjalë edhe për mirditorin kokëplot Nikoll Kacorrin, të lutem. Se nuk më ikën nga mendja zemërimi e trishtimi i “filozofit të politikës shqiptare”, Arbën Xhaferi, pas pritjes së turpshme në Rinas të eshtrave të ishnënkryetarit të Qeverisë së Vlorës…Politikanët e Pavarësisë janë disa minare më lart nga politikanët e sotëm të babëzisë. Po kështu punëtorët e martirët e Gjuhës Shqipe, deri te Dhaskal Todri, Anastas Kullurioti, Shtjefën Gjecovi, Aleksandër Xhuvani, Eqrem Cabej, Gjergj Fishta etj.etj. Në nahijen tonë e kudo, jo më kot duket se edhe pyjet me bredha e lisa ligjërojnë ende këngët e bilbilit të rrallë, Naim Frashëri !…
Fjala nget fjalën e mikut tim në Jug. Po vlerësonte seriozisht edhe kontributin e cmuar të akademikut të mirënjohur, Arben Puto, për 100 vjetorin e Pavarësisë. Por pyetja pa doreza se “a u begenis nga ata lart”(sic shprehet ai), nuk më la të qetë. Brezi im, pati fat që hyri në auditorët e Universitetit të Tiranës ku profesori i nderuar jepte leksione jo dosido për marrëdhëniet ndërkombëtare publike. Mund të jetë nga të rrallët pedagogë që nuk derdhte asnjë pikë ujë të tepërt e as mediokritete nga katedra. Konciz, modest, i kthjellët, besnik i dokumentacionit arkivor të pasur dhe shumë larg militantizmit me maskë e pa maskë (dukuri irrituese që gjatë tranzicionit po e bën corbë historinë e vërtetë). Po u afrohet të nëntëdhjetave, por ai moshën e mat me punë. Qysh në vitet ’60 të shekullit që iku, Profesori mori një barrë kolosale në fushën e historisë diplomatike të Pavarësisë. Të mos harrojmë: Deri në dhjetor 1912, disa kalemxhinj të huaj e quanin vendin tonë thjesht “një shprehje gjeografike”(?!). Se Arben Puto nuk ka qenë e nuk është nga ata aguridhë që dehen edhe me ujë. Mbaj mend kur leksionet e tij të shkurtra e plot bukë, qarkullonin dorë më dorë. As të lodhnin e as të linin bosh. Përkundrazi. Studimet dhe tekstet aspak amatoreske kërkoheshin dhe u “përtypën” jo vetëm nga elita intelektuale, por edhe nga lexuesi i gjerë. Sepse njeriu i aftë e me kulturë solide, nuk bie asnjëherë në grackat e nacionalizmit shterp që synon të mbajë nën gunë pelivanllëqet partiake, pushtetare e elektorale. Profesori ynë nuk bën alibira e as ka frikë nga e kaluara, e sotmja dhe e ardhmja. Jo rastësisht la pasurinë në Gjirokastër e gjetkë dhe përqafoi idealin e Lirisë e të Demokracisë së vërtetë, lëvizjen Antifashiste Nacionalclirimtare. Dhe jo rastësisht u zgjodh (1990) në krye të organizatës joqeveritare “Forumi për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut”(sot Komiteti Shqiptar i Helsinkit), plot një dekadë pune e përkushtimi. Sepse mund t’i gëzohej moshës së pensionit…
Përballë historisë sonë kombëtare, asnjë erë a suferinë politike nuk ia përtheu shtyllën kurrizore studiuesit të ekuilibruar. Përballë cdo dinjiteti firaunësh me pushtet kalimtar a pa pushtet, do të flasin gjatë veprat e tij. Shqiptarët e vërtetë kanë sy e lexojnë, kanë mendje të kthjellët dhe gjykojnë e vlerësojnë vlera të tilla shkencore-atdhetare. Disa pinjollë të kolaboracionistëve të djeshëm , fjala vjen, nuk mund ta errësojnë dot një nga faqet më të ndritura të Shqipërisë: Luftën Antifashiste Nacionalclirimtare ! Apo sipas tyre, hardhia bën rrushin, ferra merr uratën ?! Cdo tymnajë për “rishkrim” a “defalsifikim”, në fund të fundit con ujë te mullinjtë shovenë që bluajnë krunde e jo bereqet të vërtetë. Ndonjë vrapim tinzari e kolltukofagu për të shfuqizuar Vlorën e Flamurit të Pavarësisë, sic ndodhi sivjet, u bë gazi i botës. Jashtë protokollit zyrtar dhe brenda vatrës së ndezur patriotike, ky qytet i shenjtë priti e përcolli nga tërë viset shqiptare…Por nga studimet e larta në degën e gazetarisë (ku Profesori pikaste fakte edhe nga historia e kësaj fushe, pa u kycur në “shtëpinë” e së Drejtës Ndërkombëtare),kujtoj ende “më të bukurin Urdhër të Qeverisë së Përkohëshme të Vlorës” për Gjuhën Shqipe. Urdhër që botohej në disa numra të gazetës “Përlindja e Shqypnies”. Një kërkesë e prerë për cdo nëpunës që do të emërohej në Administratë e më gjerë. Me gojë e me shkrim. Dhe kur ? Plot një shekull më parë e përballë Fuqive të Mëdha të kohës !…Mirëpo vërsnikut tim te Grykat e Këlcyrë-Mezhgoranit, jo rrallë i shkon gjuha tek dhemb dhëmbi:
-Ore babam, sot, nëse akademikët e gjuhëtarët tanë do të organizojnë një provim a “testim”(si i thoni ju në metropol),me nëpunësit e administratës shtetërore, shumica do të marrin notë pakaluese ose dobët. Deri drejtorë e titullarë të rrethuar nga Demkat e cdo sistemi. Mendoni, 100 vjet më parë u quajt “kob i madh” rendja e myteberëve për të zënë postet në shtetin e ri, pa ditur shkrim e këndim. Po tani ? Po derdhen rrëkerat e diplomave të blera në tregun e korrupsionit “vec shqipes së mësuar me veshë”(!).Ky lloj “kobi” nuk po na shqitet edhe pas një shekulli. Si do vejë halli ynë ?…Nuk po flas për arratisjet nga shkollat në fshat e në qytet. As për të ngujuarit nga hakmarrja e gjakmarrja mesjetare. As për qindra vogëlushët e udhëve të mërgimit etj. Gjetkë rreh cekani: Shpesh këndoj ca gazeta me habere për vende të lira pune në Administratën Publike. Kërkohen vërtetime edhe për gjuhët e huaja. Dhe mirë bëhet. Por të kam rixha, më gjej qoftë edhe një haber zyrtar që kërkon përvetësimin me gojë e me shkrim të Gjuhës Shqipe ! O Zot,të flasësh për analfabetizëm në 2012-ën?!…
Realiteti i hidhur nuk më nxit ta kundërshtoj. Gjurmët e tij të trishtojnë gati në cdo shkallë të Administratës. Po shtohen taborët me nëpunës memecë… Kongresi historik i Drejtshkrimit lartësoi kulturën gjuhësore të popullit tonë. Sivjet mbushi 40 vjet, por kjo ngjarje madhore u la prapa shpinës qeveritare.”Antikomunizmi” kallp, po i vë bërrylin e mohimit ?! Gjatë tranzicionit pa fund, sikur vetëm 2 Thirrjet e atij kuvendi të vlerësoheshin në praktikë nga qeveritë e majta e të djathta, nuk do të fërkonin duart “kundërshtarët shekullorë të shqipes”. Së pari, Thirrja për shkollat tona dhe ajo për institucionet botuese. Po sot,pas 4 dekadave ?…Janë me dhjetra gazeta, radio, revista, televizione, shtypshkronja e shtëpi botuese private. Po korrektorët teknikë e letrarë, c’u bënë ? Apo nxirr sytë e vur vetulla ! Gjuha letrare e njësuar dhe Drejtshkrimi ishin fitore të mëdha. Ato ruhen në zemrën e kombit. Sepse dihet, një nga kështjellat e fuqishme të atdhedashurisë është edhe Gjuha e Nënës !…
1 Comment
Perulemi me respekt para te pareve tane qe nuk kursyen asgje per kete vend me emrin Shqiperi.
Respekt dhe per autorin e shkrimit, zotni Kristo Mertiri, pena e te cilit kurre nuk le menjane njerezit e medhej te kombit shqiptar, por dhe ata te thjeshtet me zemer arbenore, qe shqipen e kane bibel apo kuran te tyre.
Mirenjohje ketej nga Selenica.
Mitat Lika