Anëtarët e Këshillit të Ministrave u mblodhën dje në shtëpinë muze të Vlorës, ngucur me sho-shoqin, të ulur në ndenjëset ku Ismail Qemali mbajti mbledhjen e qeverisë së parë 100 vjet më parë. Ishte një ngjarje e paralajmëruar ditë më parë nga kryeministri, dhe aty ai vijoi me litaninë e tij patriotike, të cilën s’duket se mund ta pushojë deri në zgjedhje. “Askush nuk mund të mohojë që shqiptarët në padrejtësitë më të mëdha të kohës u copëtuan në 5 shtete. Ata të cilët kishin krijuar shtet dekada para nesh dhe u vërsulën mbi këtë komb me projektet më ogurzeza …. Sot shqiptarët janë të lirë, por sërish jetojnë në 5 shtete dhe kudo ato ndodhen në tokat dhe trojet e tyre, ata janë të përkushtuar në projektin e integrimit Evropian, si e ardhmja e tyre më e shkëlqyer”, tha ai.
Kjo pritej pra. Por ajo që s’pritej, ish diçka tjetër. “T’ua japim shtetësinë shqiptare të gjithë shqiptarëqve, kudo që ndodhen”, u shpreh në thelb Berisha, duke garantuar se kjo nismë nuk ka funksione elektorale. “Ligji do hyjë në fuqi pas zgjedhjeve të qershorit; pas kësaj do shohim si do shkojmë me të drejtën e votës për gjithë shqiptarët”.
Ndoshta një gjuhë e tillë të bën popullor përpara turmës, apo dhe në shtresa të caktuara të popullsisë shqiptare në Maqedoni, Kosovë, apo dhe në Shqipëri. Por…
DITA rendit në kryeartikullin e sotëm disa qëndrime mbi efektin bumerang të kësaj ideje. Mero Baze shkruan: “…Në të vërtetë kjo ka qenë një nga idetë më infantile që ka shpalosur përpara Berishës Aleanca Kuqezi një vit më parë, kur ende nuk ishte një parti. Më tej, qoftë dhe me 1 përqind tentativë për ta zbatuar, ajo bëhet antishqiptare, e rrezikshme dhe destabilizuese për integritetin e kombit shqiptar në Ballkan. Përfytyroni sikur Berisha të mos jetë qesharak dhe folklorik në këtë ide, por të jetë serioz në muajin korrik. Përveç torturës fizike që Bujar Nishani me një dorë të firmosë dhjetë milionë shtetësi, Shqipëria do të ndeshet me një torturë të pashembullt izolimi ndërkombëtar. Brenda ditës database i Shqipërisë bllokohet nga lëvizja e lirë në zonën Shengen, Shqipëria humbet çdo shans të avancojë statusin e saj evropian, vendet fqinje si Maqedonia, Serbia dhe Mali i Zi, që kanë pakica shqiptare brenda tyre, kanë të drejtë t’i çregjistrojnë ata nga database e tyre nëse adoptojnë një ligj shtetësie të ngjashëm me Austrinë p.sh, dhe Kosova të humbas tërësisht indipendencën e saj shtetformuese, që dhe kështu i ka hyrë në një ngërç ndërkombëtar. Unë nuk di ndonjë lider me vizion më anti-shqiptar se kaq, që mund ta shkatërrojë faktorin shqiptar në Ballkan brenda javës, se sa kjo ide e Sali Berishës! Shqipëria do të bëhet atdheu i gjithë shqiptarëve, jo kur të shpërndajë copa letrash, por kur të shpërndajë dinjitet, krenari kombëtare dhe mirëqenie të bazuar mbi vlera të krahasuara me fqinjët…”
Edhe për kryeradktorin e DITA-s, Adrian Thano ndoshta është e vërtetë që një gjuhë e tillë të bën popullor përpara turmës, por nëse imagjinojmë një moment se kjo realizohet, pasojat e saj boomerang janë të shumta.
Shkruan Thano: “Dikush mund ta mendojë si kurimin e problemit tonë kombëtar, por jemi në rastet kur kura është më e rrezikshme se vetë sëmundja. Duket paradoksale por në thelb është e njëjta gjë që kanë tentuar serbët që në vitet ’70, vetëm se kësaj here pastrimi etnik kthehet në një (vetë)pastrim etnik. Efekti i i dytë do binte mbi marrëveshjen e lëvizjes pa viza të Shqipërisë. BE e ka vënë që tani në pikëpyetje për vetëm një numër të konsiderueshëm azilantësh, përfytyroni në kushte fluksi. Ka plot arsye të tjera për të mos bërë hapa të tillë fare të panevojshëm në kohët e sotme të hapjes së tregjeve dhe kufijve. Aq më pak mund t’u besohen të tilla projekte politikanëve si Berisha që kanë dëshmuar në të shkuarën se për pushtet janë gati t’i venë flakën vendit në kuptimin e parë të fjalës. Atij i duhen thënë edhe dy fjalë të tjera: Jepu të drejtat që u ke vrarë atyre që e kanë shtetësinë, – pastaj mendojmë për shtetësinë e atyre që nuk e kanë”.
Për Pirro Mishën e gjithë kjo retorikë e beftë nacionaliste nga një anë të kujton shprehjen popullore, ‘të hash me lugë zbrazur’. “Nga historia dihet se projekte të ngjashëm si ai i Shqipërisë etnike, me fjalë të tjera, pretendimi për t’i bashkuar gjithë shqiptarët etnikë në një shtet të vetëm, kërkojnë më së paku një sërë parakushtesh që sot mungojnë tërësisht. Një nga rreziqet kryesore që mbartin me vete politikat populiste, është pikërisht efekti boomerang. Le të mos harrojmë se shumë nga dramat e fundit në gadishullin tonë kanë pasur si shkaktarë pikërisht politikanë që pa shumë skrupuj e për llogari e interesa të çastit të luftës për pushtet, kanë nxjerrë djallin nga shishja, pa qenë më pas në gjendje ta kontrollojnë. Duhet të shqetësohemi nga kjo garë, që nga shenjat duket se mund ta kthejë fushatën elektorale nga një përballje vizionesh e politikash, në një garë se kush është në gjendje të ofrojë më shumë retorikë e ëndrra mashtruese për të ndezur turmat, duke luajtur me shpresat naive të segmenteve të caktuara të zhgënjyera të popullsisë – shkruan Misha.
Për Ardian Vehbiun është tamam rasti “kur varfëria intelektuale dhe shpirtërore shërben si platformë për një lloj kombëtarizmi kitsch, në të cilin përzihen pasionet e stadiumit të futbollit, me imagjinatën e fëmijëve të çerdhes”.
“Nëse ndonjëri prej fqinjëve do t’i merrte seriozisht këto vringëllima kartografike, do të kishim dëgjuar për ndonjë protestë diku, një tërheqje ambasadori, një letër të ndonjë ministri ndaj homologut të vet në Tiranë. Që asgjë nuk ka ndodhur, kjo e shndërron rivizatimin tonë të hartave në një ushtrim patetik dhe mjeran; një psherëtimë të vonuar, e cila nuk i lë mbresa askujt; një buri autobuzi tifozësh, skuadra e të cilëve ka mbetur, prej nuk dihet sa sezonësh, në kategorinë e tretë – shkruan ai.
Këto dhe të tjera mund t’i lexoni në DITA-n e sotme.

Zotrinj, a njihni ndonje komb-shtet qw u mohon bashkwkombasve te vete shtetsine. Dy shtetwsia wshtw normale. Kete e kuptojne edhe analfabetet. Ju keni frike se mos verioret behen akoma me shume.kjo tashme eshte realitet.
O z. tradita, une analfabet jam dhe s’e kuptoj kete qe thua. Sepse kam nje shqetesim, ti thua te jetojne ne te s’emes keta dhe te vijne nje here ne 4 vjet vetem per te hedhe voten se keshtu ka qejf partia? Po une qe jetoj 365 dite te vitit ketu dhe heq mbi supe kusuret e keqqeverisjes te vazhdueshme? Vota ime te jete e barabarte me te tyren??? Sepse per kete behet fjale, te themi te drejten, per ca vota me shume qe u mungojne partive.