Më katolik se Papa….për hir të Papës!

redaktor

Ditë pasi në median shqiptare u dha një lajm mbi mbajtjen nën vëzhgim të mbi 30 të ashtëquajturve xhihadistë në kuadër të vizitës së afërme të Papës në Tiranë, Vatikani reagon duke thënë se as nuk nuhat e as nuk ndjen asnjë shqetësim lidhur me ndonjë problematikë të mundshme që njerëz me status të tillë mund të krijojnë gjatë kësaj vizite. Dhe ky përbën rastin e “n-të” në këtë botë, ku shprehja e përbotshme “më katolik se Papa”, është e para që të vjen në majë të gjuhës për ta thënë, me veçantinë dhe koinçidencën që ka vetë Papën në qendër. Thuhet se nën vëzhgim po mbahen individë që kanë qenë në Siri, në frontin e luftës; por prej këtij çasti vëzhgimit i bie vlera si masë sigurie, derisa bëhet i ditur publikisht; që do të thotë se, edhe më katolik kërkon të bëhesh, edhe ndërkohë nuk respekton “a-në” e kësaj pune. Nga ana tjetër, lufta në Siri, as drejtpërdrejt e as tërthorazi nuk ka lidhje botën katolike e aq më pak me kreun e saj Papa Françeskun. Në funksion të sigurisë, underground mund të ndodhin shumë proçese nga instanca përkatëse, vendase apo të huaja, por kur ato bëhen publike, ndodh që të lenë një shije jo të mirë, aq më tepër kur luhet me hipoteza që u mungon dhe përqindja më minimale për të qenë hipotezë. Për vetë profilin që ka një Papë, pozitës së tij në këtë botë të trazuar dhe mënyrës se si komunikon me këtë botë, arsyeve se përse zgjedh të vijë në një vend si i yni, lajmet me ‘masa të rrepta sigurie’ dhe teprimet përkatëse duke ndërfutur aty ‘xhihadistë’ e ‘Siri’, shndërrohen në “rrezikun” më të madh për ta njollosur pa asnjë arsye dekorin vizitës së pritshme. Ndodh gjithnjë kështu, kur tenton të bëhesh më katolik se Papa!

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *