Presidenti Ilir Meta ka dekretuar këtë të premte “Rishpalljen e thirrjes për paraqitjen e kandidaturave për plotësimin e vendit vakant gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, “Vakancë e parakohshme”.
Në arsyetimin e tij Meta ka sqaruar se në bazë të procedurave, si kandidatë për zëvendësimin e ish-gjyqtarit Besnik Imeraj, janë vetëm dy emra, ndërkohë që duhet të ishin të paktën tre.
Aktualisht në garë për këtë detyrë janë Besnik Muçi dhe Regleta Panajoti.
Në dekretin zyrtar të publikuar në faqen e Presidencës thuhet:
Pasi vlerësova njoftimin dhe vendimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, nëpërmjet të cilit, KED ka vendosur pezullimin e procedurës së verifikimit të kandidaturave dhe njoftimin e Presidentit të Republikës për të vlerësuar rishpalljen e thirrjes për paraqitjen e kandidaturave për plotësimin e vendit vakant në Gjykatën Kushtetuese, vakancë e parakohshme e shpallur nga Presidenti i Republikës, për shkak se në përfundim të procedurave të verifikimit të ndjekura nga KED, rezulton se në garë për plotësimin e këtij vendi vakant kanë ngelur vetëm dy kandidatë. Presidenti dekretoi rishpalljen e procedurës së aplikimit për plotësimin e vendit vakant gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë me qëllim plotësimin e “Vakancës së parakohshme” të krijuar për shkak të përfundimit përpara kohe të mandatit të ish-gjyqtarit, zotit Besnik Imeraj.
j.l./ dita
