Kryerja e rregullt e aktiviteteve fizike ndihmon jetesën e shëndetshme. Personat që respektojnë këtë rregull janë më të favorizuar për të mos u prekur nga sëmundjet kronike, veçanërisht ato kardiovaskulare, diabetit jo insulinvartës, sëmundjeve tumorale, dhe çrregulllimeve të shëndetit mendor.
Kundrejt këtyre përfitimeve, dje në Ditën Kombëtare të Aktivitetit Fizik specialistët e Institutit të Shëndetit Publik kanë risjellë në vëmendje apelin për të mos neglizhuar aktivitetet fizike, pasi vetëm në këtë formë mund të parandalohen problemet shëndetësore.
Sipas tyre, stili aktual i jetesës që bëjnë shqiptarët i ka pakësuar ritmet e aktivitetit fizik. Për rrjedhojë është shtuar edhe niveli i sëmundshmërisë, i diktuar veçanërisht nga përdorimi masiv i automjeteve, modernizimit të aparaturave elektrike, apo dhe zakone të tjera si pirja e duhanit, shtimi i peshës, të cilat kontribuojnë në rritjen e rrezikut ndaj sëmundjeve kronike.
Të dhënat e raportuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë tregojnë se nëse kryejmë së paku 30 minuta të aktivitetit fizik të moderuar gjatë 5 ditëve të javës do të reduktohej rreziku për sëmundje kronike, si: sëmundjet e zemrës, obeziteti, diabeti deri në 50 për qind dhe në mënyrë të dukshme sëmundjet hipertensive dhe pasojat psikologjike të jetës sedentare si stresi, ankthi, depression.
“Është tepër e rëndësishme që dieta e shëndetshme të kombinohet me aktivitet fizik ditor të nevojshëm për të minimizuar jetën sedentare, që është një faktor risku i zakonshëm për shumë sëmundje kronike”, deklaruan dje specialistët e promocionit në ISHP.
