Në SHBA, një numër senatorësh, përfshirë dhe disa republikanë, po bëjnë thirrje për të shtyrë procesin e votimit të kandidatit për Gjykatën e Lartë Brett Kavanaugh, pas deklaratave publike të një gruaje, se ai e ka sulmuar seksualisht kur të dy ishin në shkollë të mesme. Christine Blasey Ford, pedagoge në universitetin e Palo Alto-s në Kaliforni, tha për gazetën “Washington Post” se gjatë sulmit ishte frikësuar për vdekje. Avokatja e zonjës Ford, Debra Katz bëri të ditur se ajo është gati të dëshmojë përpara Kongresit rreth incidentit.
Në një koment të zonjës Christine Blasey Ford të botuar të dielën ajo thoshte se gjatë sulmit “kishte menduar se Brett Kavanaugh mund ta vriste pa dashje”.
Sipas saj incidenti kishte ndodhur gjatë një feste në Maryland në vitet ‘80, kur ajo dhe Brett Kavanaugh ishin në shkollë të mesme.
Ajo tha se Brett Kavanaugh dhe një shok i tij e patën rrethuar në një dhomë gjumi. Më pas Kavanaugh e kishte hedhur në një krevat dhe ishte përpjekur t’i hiqte rrobat. Sipas saj të dy djemtë ishin “të dehur dhe mezi mbaheshin në këmbë”. Por Brett Kavanaugh i ka mohuar akuzat.
“I mohoj këto akuza kategorikisht dhe pa mëdyshje”, thuhej në një deklatë të tij javën e kaluar. “Nuk i kam bërë këto gjëra as në shkollë mesme dhe as në çdo periudhë tjetër”.
Të enjten pritet që komisioni juridik i Senatit të votojë për kandidaturën e zotit Kavanaugh. Në një deklaratë të komisionit të dielën akuzoheshin demokratët për fshehjen e akuzave Christine Blasey Ford deri në prag të votimit.
Senatorja Lisa Murkowski, i tha të dielën rrjetit televiziv CNN se komisionit duhet të marrë në konsideratë shtyrjen e votimit.
“Kjo nuk është diçka që doli gjatë seancave dëgjimore dhe nëse ka diçka të vërtetë në ato që thuhen, çështja kërkon një përgjigje”, tha ajo.
Demokratja më e lartë e komisionit senatorja Dianne Feinstein, në krye të një numri demokratësh bëri thirrje për shtyrje të votimit.
“E mbështes vendimin e zonjës Ford për të ndarë publikisht historinë e saj. Tani që e ajo e bëri këtë gjë është në duart e FBI-së të kryejë një hetim. Kjo duhet të ndodhë përpara se Senati të bëjë përpara lidhur me kandidaturën e zotit Kavanaugh”, thuhej në një deklaratë të zonjës Feinstein të lëshuar të dielën.
Udhëheqësi i pakicës në Senat Chuck Schumer bëri gjithashtu thirrje për shtyrje të procesit të konfirmimit, ndërsa po hetohen akuzat e zonjës Ford.
“Të ushtrosh presion për të kryer një votim tani, do të ishte një fyerje për gratë e Amerikës dhe integritetin e Gjykatës së Lartë” tha ai në një deklaratë.
M.H/ Dita
