Drejtori i Juventusit Bepe Marota dhe trajneri i kombëtares italiane Cezare Prandeli iu përgjigjën të dy dje deklaratave të ikonës së futbollit Franc Bekenbauer lidhur me kritikat ndaj portierit veteran Xhanluixhi Bufon. Legjenda e Bajernit të Mynihut u shpreh se 35-vjeçari Bufon “dukej si pensionist” gjatë lojës së dobët të bardhezinjve në “Champions League” ku u rrahën nga Bajerni me dy gola, në stadiumin “Allianz Arena”.
Marota ka bërë një mbrojtje të fortë për portierin fitues të Kupës së Botës, duke këmbëngulur se ndaj tij duhet treguar më shumë respekt nga një tjetër ikonë e lojës. “Bufoni duhet të respektohet. Të lexosh konsiderata të tilla nga një ikonë e futbollit botëror është e rëndë, sidomos kur i drejtohen një tjetër sportisti simbol siç është Xhixhi. Ai është një njeri i veçantë dhe një model për të gjithë të rinjtë e sotëm”, u shpreh Marota për gazetarët.
Prandeli gjithashtu i mbështeti deklaratat e Marotës, i cili tha se Bekenbaueri s’ka të drejtë të kritikojë lojtarë të tillë. “Xhixhi iu përgjigj mirë, me tepër ekuilibër dhe ironi”, u shpreh Prandeli. “Ai do ta japë përgjigjen e vet në fushë. Dhe veç kësaj, të gjithë e dinë që pensionistët janë njerëz të zgjuar”, përfundoi ai.
Bekenbauer u shpreh në fund të ndeshjes Bajern – Juventus se Bufon kishte luajtur si pensionist, duke iu referuar golit të marrë vetëm pak sekonda pas fillimit të ndeshjes. Vetë Bufon reagoi vetëm duke i kërkuar falje tifozëve, ndërsa porti i Bajernit i doli në mbrojtje homologut të tij italian, duke u shprehur se Bufon është një lojtar i madh dhe një ikonë e futbollit.
“Alenën e fitova duke i treguar anët e mia më të këqija”
Në një intervistë të fundit të dhënë për jetën e tij personale, Xhixhi Bufon deklaroi për gazetarin e “RaiSport” se jashtë fushës është një person shumë normal. “Si çdo baba, i kam ndërruar pelenat fëmijëve të mi, jam krenar, por fatmërisht janë rritur shpejt, i vogli është 3 vjeç tashmë”. Dhe si çdo baba i përgjegjshëm, edhe Bufon kur është e mundur, i vë në gjumë të bijtë, ndërsa në kuzhinë lë me shumë dëshirë të shoqen Alena Seredova: “Në kuzhinë? Gruaja ime është shumë e mirë. Gatuaja kur isha beqar dhe sidomos kur isha tek Parma”.
Kështu ish-portieri i Parmës deklaroi se nuk është xheloz për të shoqen dhe në përgjithësi nuk është ziliqar: “Më pëlqen besimi dhe respekti në dashuri dhe miqësi”. E pamundur të mos e pyesësh se si e fitoi bukuroshen çeke që tashmë e ka bashkëshorte:
“Nuk ka receta për këtë. Kur njihesh me dikë, duhet t’i tregojë veten ashtu siç është. Mua më pëlqen që t’u tregoj sidomos anët negative, sepse pastaj është shumë e lehtë t’u tregosh anët pozitive. Dhe këtë kam bërë”.
Më pas portieri deklaroi se “më pëlqen të bëj shumë gjëra sepse kam shumë pasione. Nëse do të isha i lirë do të përpiqesha të mësoja anglishten siç duhet: tashmë është diçka që më merr shumë kohë”. Dhe në fund, deklarata për Papën e ri: “Ka një fytyrë të ëmbël, të Papës që kam dashur gjithnjë. Patjetër që është i tillë dhe në shpirt”.