Një fotografe kanadeze ka paraqitur sipas opinionit të saj lidhjen që ekziston mes gjatësisë së fundit të një femre dhe perceptimit që kjo e fundit krijon tek të tjerët. Përmes një fotoje të postuar në Tumblr, Rosea Lake jep “epitetin” që shoqëron çdo gjatësi të fundit. Fotoja është shpërndarë 200 mijë herë që nga publikimi i parë.
Në foto shfaqen këmbët e një femre dhe një fund i zi i shkurtër që mbulon një pjesë të vogël të tyre. Në këmbën e saj janë shkruar etiketimet që shoqërojnë pothuajse çdo centimetër, që nga “vajzë e mbarë”, provokuese apo lavire.
Fotoja ka hapur një diskutim interesant për gjatësinë e fundeve e fustaneve dhe seksualitetin e femrave. Edhe pse gjatësia e vogël lidhet me etiketimet negative, edhe fundet e gjata kanë epitete me doza ironie si vejushë apo puritane.
“Sa herë dal nga shtëpia me një fund të shkurtër apo një bluzë të hapur, pyes veten se si do të perceptohem nga njerëzit dhe nëse do të bëhem shënjestër për ngacmime verbale apo seksuale”, thotë fotografja.
Një foto dhe diskutim i tillë nuk mund të vinte në një moment më të përshtatshëm. Vetëm pak javë më parë në Indi një vajzë vdiq si pasojë e përdhunimit shtazarak të gjashtë meshkujve, rast që ndezi një valë zemërimi në të gjithë botën kundër dhunës seksuale te femrat.
Miliona komente e kanë shoqëruar foton në rrjetet sociale. Pasi u postua në faqen në Facebook të UniteWomen.org, shumë opinione u postuan si nga meshkujt, edhe nga femrat.
Një përdorues thotë “Fatkeqësisht, kjo foto është një përshkrim i qartë i stereotipeve. Duhet të them se unë i gjykoj njerëzit nga ajo çka kanë në kokë, nga fjalët dhe veprimet e tyre”. Përgatiti: Gazmira Sokoli
Është më se e drejtë që njerzit të vlerësohen nga ajo çka kanë në kokë,nga fjalët dhe veprimet e tyre por, jo rallë ajo çka kemi në kokë pasqyrohet në atë se si vishemi.