Në emisionin e së enjtes Opinion të B.Fevziut, një panel me 4 opinionistë dhe 2 politikanë-opinionistë diskutuan mbi gjasat e një rotacioni politik këtë vit dhe mbi shkaqet e tij, në qoftë se ndodh. I ndarë në dy krahë të kundërt (politikisht dhe fizikisht), paneli nuk ra dakord mbi gjasat e rotacionit. Por kur u diskutua se cilët mund të jenë shkaqet e tij, nëse ndodh, paneli ra dakord se rotacioni mund të vijë si rezultat i pakënaqësisë së elektoratit me qeverisjen 8-vjeçare të Berishës, e jo prej shpresës për një qeverisje demokratike e të pakorruptuar të Ramës.
Fatos Lubonja, njëri prej panelistëve, e përmblodhi me një paragraf këtë opinion. Në 1992-shin, tha ai, rotacioni erdhi si rezultat i shpresës për një qeverisje demokratike; në 1997-ën erdhi si rezultat i shpresës për një qeverisje joautoritariste; në 2005-ën erdhi si rezultat i shpresës për një qeverisje të pakorruptuar; ndërsa këtë vit, po ndodhi rotacioni, do të vijë prej pakënaqësisë me qeverisjen 8-vjeçare të Berishës, e jo prej shpresës për një qeverisje demokratike e të pakorruptuar të Ramës.
Ky konkluzion, kuptohet, nuk bazohet mbi studime të kryera para e pas çdo rotacioni politik në Shqipëri (në vende më të zhvilluara demokratike, studime të tilla ka kohë që kryen periodikisht). Ky konkluzion, me gjasë, është bazuar në perceptimet individuale të panelistëve të sipërpërmendur. Por realiteti i rotacioneve shqiptare të pushtetit na ka treguar se, perveç segmentëve të elektoratit që janë motivuar nga shpresa për një qeverisje më demokratike e të pakorruptuar, ka patur edhe segmentë që janë motivuar nga pakënaqësia ndaj qeverisë paraardhëse.
Për shembull, në vitin 1992, elektorati që votoi në mënyrë masive PD-në, nuk ta do mendja se përbëhej i tëri nga partizanë të thekur të demokracisë xhefersoniane – në të përfshiheshin familje komuniste, balliste, legaliste, të persekutura, të shpronësuara dhe familje thjesht apolitike. Motori kryesor që i bashkonte ato në një front ndoshta ishte pakënaqësia ndaj qeverisjes puniste. Pakënaqësi kjo që mund të kishte arsye politike, ideologjike, por dhe jo pak ekonomike.
Madje, duke bërë një hamendje retrospektive, mund të thuhet se, në qoftë se PPSH-ja nuk do t’i kishte prishur mardhëniet me Tien Siao Pinin në vitin 1978, Shqipëria do të kishte patur një zhvillim të ngjashëm ekonomik me të Kinës, falë ndihmës dhe shembullit të saj. Dhe në atë rast, ndoshta s’do të kishte ndodhur fare rotacioni. Studentët shqiptarë të Dhjetorit 1990 thjesht mund të kishin pësuar fatin që studentët kinezë kishin pësuar një vit më parë në sheshin Tienian Men…
Le të vijmë tani tek rotacioni i vitit 1997. A ishte ai i motivuar vetëm nga dëshira për një qeverisje joautoritariste? Po të ishte vërtet kështu, elektorati shqiptar nuk do të kishte votuar në mënyrë masive për PD-në në zgjedhjet lokale të tetorit 1996, të cilat u zhvilluan vetëm 5 muaj pas zgjedhjeve skandaloze të majit 1996. Berisha po e tregonte veten pothuaj diktator ndaj opozitës pas majit, por në tetor 1996, skemat piramidale ende u siguronin qindra mijra shqiptarëve të ardhura të majme pa u lodhur fare. Dhe ata e shpërblyen masivisht me votë PD-në, e cila garantonte publikisht se skemat piramidale ishin krejt të pastra e të sigurta. U desh që shqiptarët të humbisnin krejt kursimet e tyre në skemat piramidale, që të ngriheshin në revoltë ndaj qeverisë dhe ta dënonin pastaj masivisht me votë partinë në pushtet.
Në lidhje me rotacionin politik të vitit 2005, pothuaj i gjithë paneli i Fevziut kishte opinionin se Berisha krijoi një frymë shprese për rotacion me anë të demokratizimit dhe hapjes së PD-së (riafrimi i ish-themeluesve të përzënë, plus afrimi në KOP-in e famshëm të të rinjve të diplomuar jashtë), si dhe nëpërmjet premtimeve të tij të fuqishme për tolerancë zero ndaj korrupsionit (fushata e “duarve të pastra”). Në fakt, kësaj ideje i mëshojnë edhe shumë opininionistë të tjerë, si pro-qeveritarë dhe pro-opozitarë.
Por problemi është se fryma e presupozuar e shpresës për rotacion nuk u përkthye në numra. Koalicionit “shpresëdhënës” të Berishës nuk ia dha votën as gjysma e elektoratit në vitin 2005 – ai mori vetëm 41.2% të votës popullore. Ndërkohë, që të ndodhte rotacioni, u desh që të majtët e pakënaqur me Fatos Nanon, në shenjë proteste, të votonin për LSI-në (plot 8.4% në rang vendi). Dhe të mos harrojmë se LSI-ja udhëhiqej nga njerëz që ishin akuzuar për korrupsion të paktën po aq sa ç’ishte akuzuar vetë Nano…
Në mënyrë të ngjashme, ta do mendja se sot ka votues të majtë që do t’ia japin votën Ramës me shpresën se do të mbajë premtimet për një “rilindje shqiptare”, por ka edhe votues të majtë që do t’ia japin atij votën, thjesht që t’u shporret nga sytë Berisha. Dhe ç’është më e rëndësishmja, rotacioni mund të mos ndodhë vetëm nga votimi i të majtve për PS-në dhe aleatët e saj tradicionalë, por edhe nga votimi i disa të djathtëve për FRD-në dhe AK-në, si protestë ndaj Berishës.
Déjà vu 2005! Kuptohet, në qoftë se Berisha pranon ta dorëzojë pushtetin siç e dorëzoi Nano…
Ne tere keta 23 vjet mender-politika me ka lene ,me dhune te vetmen alternative,ate te votes
se protestes.Dua t’i them Zaloshnjes se Edi Rama po me jep edhe nje alternative tjeter;ate te SHPRESES dhe per kete i jam mirenjohese.TUNG.
Edhe një herë: Votues! ruhuni e mos u gënjeni nga premtimet për punë apo thesin e miellit të Ilir Sanço Panços! Ai mbetet një një nga figurat më të komprometuara në shërbim të Sali Berishës e të thasëve të tij me para të pa ligjëshme. Mos u mashtroni nga retorikat e tij për integrimin apo për sukseset e mëdha që do korri nesër, pas 23 qershorit. Demaskojeni pa kursim e pa hezitim!
Ketu tek ne ujku vesh lekure qengji nje here ne kater vjet. Vota duhet dhene vetem pasi syte te kene depertuar poshte lekures. Sidoqofte zemerimi e mpreh vete intuiten. Rotacioni do te vije per te tera: edhe per pakenaqesi (per shporrjen), qe ne fakt eshte nje zemrim i frikshem, edhe per shprese, edhe per besim (natyrisht, te moderuar lidhur me mbajtjen e premtimeve).