Në fakt, ky qytet kolumbian ka një problem me imazhin: megjithëse ka ndryshuar shumë gjatë viteve të fundit, shumëkush e lidh atë vend akoma vetëm me drogën dhe krimininalitetin. Por një vizitë në të, na orienton më mirë për ta parë realitetin në sy
Një zog të kujton akoma kohët e vjetra. Barku dhe bishti i statujës së bronzit në sheshin “San Antonio” në mes të Medelinit janë dëmtuar tërësisht. Vetëm koka me sqepin e vogël duket se përpiqet të shohë me stoicizëm nga qielli. Në vitin 1995, lëvizja guerilase “Farc” pati vendosur një bombë në këmbët e statujës së zogut të realizuar nga artisti kolumbian, Fernando Botero.
Shpërthimi që ndodhi gjatë zhvillimit të një festivali muzikor në shesh, u mori jetën të paktën 30 vetave dhe plagosi më shumë se 200 të tjerë. Botero këmbënguli në atë kohë pastaj që vepra e tij të qëndronte në atë gjendje si një kujtim ndaj tragjedisë. Ai vendosi shumë pranë saj një tjetër zog të ri, të padëmtuar. Shpërthimi i “zogut të paqes” ishte dhe kulmi i periudhës së terrorit dhe dhunës në qytetin që ndodhet në Kolumbinë veriperëndimore – dhe solli menjëherë më pas edhe kthesën e madhe.
Dy vite më parë, Pablo Escobar, vetëm disa kilometra larg atij monumenti, ishte qëlluar për vdekje në “strofullën” e tij. Baroni i fuqishëm dhe brutal i drogës dhe njëri ndër njerëzit më të pasur në botë, për dekada të tëra i vendosi banorët e Medelinit në një gjendje terrori dhe i izoloi ata thuajse tërësisht nga bota e jashtme.
“Medelin ishte si një sinonim për luftën ndaj drogës”, thotë Ricardo Rodriguez, njëri ndër shoferët e panumërt që nget taksitë e vogla të verdha nëpër rrugët kodrinore të qytetit që numëron rreth tre milionë banorë. “Përgjatë gjithë këtyre viteve, këtu nuk vinin thuajse kurrë turistë.”
E, nga ana tjetër, qyteti i dytë më i madh i Kolumbisë posedon realisht kushtet më të mira për të qenë edhe një qytet shumë i mirë për turizëm: gjendja në luginën e Aburrá-s, e cila gjendet mes gjelbërimit që mbulon malet përreth, e bën klimën gjatë gjithë vitit të butë dhe i ka dhënë metropolit kolumbian nofkën “qyteti i pranverës së përjetshme”.
Kaq shumë lule dhe para së gjithash, orkide, mund të shfaqen në këtë vend, saqë çdo vit në gusht aty zhvillohet një festival për to.
Një ndër ndryshimet më madhore të të gjitha kohërave
Veç kësaj, ka shumë ndërtesa të vjetra që ia vlen t’i kundrosh: katedralja neoromake, organo e së cilës me origjinë gjermane sapo është riparuar, pallatin e kulturës në bardhë e zi dhe një shesh publik plot me skulptura të Botero-s, për të cilin do të bëheshin xhelozë të gjithë muzetë e botës.
E veç tyre, ngado dëgjon e sheh muzikë dhe kërcime, para së gjithash salsa dhe tango. Një herë në vit, festivali Circulart sjell muzikë nga e gjithë bota në qytet.
Dhuna dhe varfëria për një kohë të gjatë e kanë mbajtur turizmin larg qytetit – deri më tani. Në vitet e shkuara, Medelin megjithatë ka ndryshuar fytyrë dhe e ka rimarrë veten dhe shpreson kësisoj që imazhi i tij të përmirësohet.
Dikur, në këtë qytet, zinin vend më shumë se 6800 turistë në vit. Ndërkaq, Medelin nuk renditet më në listën e 50 vendeve më të prekura nga përqindjet më të larta të kriminalitetit.
Kjo, megjithatë, përflitet pa e përmendur me krenari. Me projektet e mëdha infrastrukturore, metropoli kolumbian është kthyer në njërin prej qyteteve më të zhvilluara dhe më të gjalla të Amerikës Latine.
Në vitin 2013, Medelin u nderua nga një organizatë që merret me ndihmat për zhvillim “Urban Land Institute”, me çmimin si “Qyteti më inovativ i botës” – duke lënë pas madje edhe Nju Jorkun dhe Tel-Avivin. “Metropoli kolumbian ka mundur të realizojë njërin ndër ndryshimet më rrënjësore në botë”, thuhet në motivacionin e dhënies së çmimit në fjalë.
Nderim i debatueshëm i ish-bosit të drogës
Kësisoj, qyteti ka mundur të ndërtojë një sistem të transportit urban me shina në lartësi, nga më të mirët në botë dhe ka ndërtuar apo rindërtuar, plot biblioteka dhe muze, ndër të cilët edhe njërin që merret me trajtimin e së shkuarës së tij të përgjakshme.
Edhe lagjja e të varfërve që ndodhet disa kodra larg tij, tashmë është lidhur nëpërmjet shkallareve moderne dhe teleferikëve më në fund me pjesën tjetër të qytetit.
“Më parë, për të kryer një intervistë pune apo për të kryer një punë në zyrat administrative të qytetit, njerëzve nga zonat e varfra të qytetit, do t’u duhej të shpenzonin plot një ditë të tërë”, thotë studentja, Julia Colzanes. “Ata duhej që shpesh të merrnin disa autobusë. Tani çdo gjë kryhet shumë më shpejt”. Ndërkaq, teleferikët dhe shkallaret janë kthyer madje edhe në një atraksion turistik.
Edhe ish-bosi i vdekur i drogës, Escobar, është kthyer në një magnet turistik për të huajt që vijnë drejt Medelinit. Ata vizitojnë edhe varrin e tij – deri diku modest në krahasim me jetën e pasurinë e tij.
“Çdo ditë vijnë 40 deri në 50 vetë – vetëm turistë”, thotë roja i varrezave, Federico Arroyave. Edhe në çatinë ku u qëllua Escobar dhe në apartamentin e tij në çati të banesës ku qëndronte, organizohen guida speciale.
Historia e “baronit të drogës” tërheq jo vetëm vizitorët e turistët e huaj: sidomos kolumbianë të varfër vijojnë ta admirojnë atë si më parë, duke e parë si një lloj Robin Hudi. Por bashkia e qytetit flet shpeshherë qartë kundër një turizmi të frymëzuar rreth Escobar-it.
“Përse turistët po vijnë drejt Medelinit, s’ka rëndësi … Rëndësi ka që ata vijnë këtu. Dhe më pas, turistët vënë re se çfarë njerëzish miqësorë dhe të përzemërt jemi ne në Medelin – dhe kështu vendosin të qëndrojnë më gjatë e të vijnë sërish”, thotë taksisti Rodriguez.
Me projektet e mëdha infrastrukturore, metropoli kolumbian është kthyer në njërin prej qyteteve më të zhvilluara dhe më të gjalla të Amerikës Latine. Në vitin 2013, Medelin u nderua me çmimin si “Qyteti më inovativ i botës” – duke lënë pas madje edhe Nju Jorkun
Sot, qyteti ka mundur të ndërtojë një sistem të transportit urban me shina në lartësi, nga më të mirët në botë dhe ka ndërtuar apo rindërtuar plot biblioteka dhe muze, ndër të cilët edhe njërin që merret me trajtimin e së shkuarës së tij të përgjakshme./ Shqip
