Europiani po afron dhe mediet franceze kanë nisur të shkruajnë për skuadrat kundërshtare të bluve të drejtuar nga Didier Deshamp.
Ato e vlerësojnë kombëtaren e De Biazit si një ekip që mund të jetë problematik në grup.
“Ouest France” shkruan se rreth 100 ditë para fillimit të “Euro 2016”, Zvicra është e shqetësuar për drejtuesit e tyre, ndërsa te Rumania ka konfuzion për mungesën e unitetit ndaj seleksionimeve. Ndryshe paraqitet Shqipëria, e cila përshkruhet si ekipi që “mezi po pret orën që të niset”.
Gazeta franceze bën një përshkrim të pozicionit të 36 që Shqipëria zë në renditjen e FIFA-s dhe të deklaratave të fundit të bëra nga drejtues të FSHF-së dhe lojtarë të Kombëtares.
Në komentin e dedikuar për kuqezinjtë, përmenden dy ndeshjet miqësore të konfirmuara në mars dhe mbërritja në Francë 5 ditë para fillimit të turneut.
