Çfarë vini re në këtë foto? Është Kryetari i Parlamentit me dy njerëz të tjerë. Për të mos ju lodhur, po jua them unë se kush janë: një senator francez dhe nje diplomate. Nuk po lodhem të guglloj emrat, se realisht, nuk ka pikë rëndësie. Ky lajm doli në të gjitha televizionet dhe në shumë gazeta. Për mendimin tim, ky nuk është lajm. Kjo është vjedhje kohe e publikut nga ana e mediumeve përtacë. Nuk janë vetëm përtacë. Në fakt, nuk janë media. Janë vitrina ku njerëzit me lek ose pushtet ekspozojnë interesat e tyre.
Media të mbushura me qoka aktivitetesh
Mediat tona janë të mbushura vazhdimisht me qoka aktivitetesh pa pikë rëndësie për publikun, si p.sh., konferenca e filan shoqate, ose takimi i filan politikani. Është një turp i vërtetë, që gazetaria shqiptare nuk ka më (thuajse) asnjë investigim. Shikoni titujt kryesorë, ose janë kronikë ose ky tha këtë, ai sulmoi atë… në FB.
Janë aq të pakta gazetat që investigojnë, dhe ca nga ato, e marrin të gatshëm “investigimin” nga një palë tjetër e “interesuar” të dalin ca të palara të konkurrencës. Media shqiptare (me përjashtime të rralla) nuk ka pasur për mision këto 10-15 vitet e fundit të hetojë për interes të publikut. Meqë nuk ka motiv, nuk ka arsye as të ngrihet nga poltrona. Pse,fundja duhet një gazetar të dalë e të kërkojmë lajmin e vërtetë aty jashtë?
Lajmi u vjen me postë elektronike, madje më rëndë akoma, me FB. Nga ana tjetër, ju nuk merrni lajme. Merrni zhurmë pa vlerë.
Disa pyetje kryeredaktorëve
Kjo foto, më bën t’u përplas në sy kryeredaktorëve disa pyetje: Çfarë po ndodh aty? Asgjë. 2 burra shteti, po shkëmbejnë biseda, si ato që bëjnë disa qindra mijëra të tjerë, në të njëjtin moment në të gjithë botën.
Çfarë ka të bëjë me fatet e një kombi, a, të një njeriu? Çfarë ka të bëjë me një temë të mprehtë, dhe çfarëdo zhvillimi konkret do prodhojë nesër ky takim? Asgjë.
Çfarë mund t’i duhet publikut shqiptar biseda me një senator francez? Çfarë ka ky senator francez të veçantë ndër 348 senatorët e Senatit të Francës, në lidhje me Shqipërinë? Asgjë.
Këto pyetje, mund t’i bëni mbi shumë foto e kronika TV të tilla, përditë. Po normalisht që s’i bëni. Në kokë, ju ka mbetur veç një si zhurmë.
K.Cukali

O mû me intereson shume te dje pse ky senator takon pikerisht njerin ma te korruptuar te shqipnise!
Problemi Jane pyetjet qe gazetarete nuk i bajne ketij senatorit:si per shembull ku shkuan paret e pajiseve médicale te atij helicopterit,sa i paguam ato helikoptera qe u rezuan qysh ne fillim ne France,etjetj.
Kjo është edhe arsyeja kryesore përse televizionet në një të ardhme të afërt do të zhduken duke u zëvendësuar nga interneti ku informacionin mund ta zgjedhësh e seleksionosh e jo të të serviret nga palët e interesuara.