Kënga tallëse e njëkohësisht kritike për Presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, e transmetuar nga televizioni publik gjerman “NDR”, ishte arsyeja e thirrjes për sqarime të ambasadorit gjerman në Ankara, Martin Erdmann.
Episodi daton më 22 mars, por në media, lajmi është bërë i ditur vetëm tani, falë informacioneve të siguruara nga “Spiegel Online”.
Videoja muzikore me titull “Erdowie, Erdowo, Erdogan” vendos pamjet e kreut të shtetit turk në krah të filmimeve që tregojnë dhunimin e protestuesve nga policia.
Teksti fshikullon darën e autoriteve turke mbi mediat, duke thënë se: kur një gazetar shkruan diçka, që Erdoganit nuk i vjen për shtat, ditën tjetër përfundon në burg. Programi “Extra3” i “NDR”-së e ka kritikuar udhëheqësin turk edhe në të kaluarën.
