Mediat ndërkombëtare në fokus zgjedhjet në Shqipëri

Gazeta Dita

Zgjedhjet parlamentare që mbahen sot në Shqipëri kanë qenë gjatë gjithë ditës në fokus të mediave ndërkombëtare. Agjensitë prestigjioze Reuters, Associated Press dhe Al Jazeera i kanë kushtuar artikuj rëndësisë që këto zgjedhje kanë për Shqipërinë në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian. Këto media vlerësojnë se miratimi i reformave është kyçi që vendi të nisë negociatat për anëtarësim.

Agjensitë ndërkombëtare të lajmeve vijojnë t’i kushtojnë rëndësi zgjedhjeve parlamentare që po zhvillohen në Shqipëri dhe kryefjala mbetet e njëjta: zgjedhjet e lira do të thonë avancim drejt Bashkimit Europian.

Agjensia prestigjioze e lajmeve Reuters i ka përshkruar këto zgjedhje si një shans që partitë e mëdha kërkojnë për të fituar shumicën në parlament e për të miratuar kështu reformat kyçe për anëtarësmin e vendit në Bashkimin Europian.

Agjensia amerikane e lajmeve Associated Press gjithashtu i ka kushtuar një artikull zgjedhjeve në Shqipëri. Kjo ditë vjen pas një marrëveshjeje historike mes dy partive më të mëdha politike të vendit që lanë pas diferencat mes tyre për t’i dhënë vëmendje përpjekjeve që Shqipëria të anëtarësohet në Bashkimin Europian.

Për Associated Press, zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë çelësi që do të mundësojë hapjen e negociatave me BE-në. Megjithatë, agjensia amerikane e lajmeve vlerëson se që me marrjen e statusit të vendit kandidat, Tirana zyrtare ka patur vështirësi në miratimin e reformave jetësore, sidomos asaj në drejtësi, që shihet si kyçe në rrugën shqiptare drejt familjes europiane.

Edhe për transmetuesin shtetëror Al Jazeera këto zgjedhje shihen si një test për demokracinë. Që prej rënies së komunizmit në 1990, vlerëson Al Jazeera, zgjedhjet në Shqipëri janë shenjuar nga mashtrimi, dhuna, rezultatet e kontestuara dhe rivaliteti i hidhur që shkonte deri në kufinjtë e urrejtjes. Pikërisht për këtë, votuesit kërkojnë që këto zgjedhje të jenë të lira dhe të ndershme. Shqipëria vijon të mbetet një nga vendet më të varfëra në Europë, me një nivel të lartë papunësie që prek një në tre të rinj, përmbyll analizën Al Jazeera.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *