Siç shprehet edhe vetë, Beppe Grillo përpiqet shumë të mos duket si një politikan. Karriera e tij ishte humori.
Por “Lëvizja me pesë yje” e tij mori 25 për qind të votave në zgjedhjet e muajit të kaluar, rezultati më i mirë për një parti të vetme. Ai foli para dhjetëra mijëra mbështetëse, pak para votimit.
“Kemi hyrë në një fazë tjetër. Nuk e di se ku do të na çojë. Është e pabesueshme. Edhe unë kam ndryshuar. Të gjithë ne kemi ndryshuar. Nuk jemi vetëm një lëvizje, por jemi një komunitet.”
Analistët thonë se është një komunitet i krijuar në internet. Zoti Grillo shmangu përdorimin e platformave tradicionale për fushatat si televizioni apo gazetat, duke u mbështetur tek mediat sociale si Facebook dhe Twitter.
Graham Meikle është profesor i mediave sociale në Universitetin e Westminsterit në Londër.
“Në rastet kur mediat sociale janë përfshirë në ngjarjet politike të nivelit të lartë, si zgjedhjet e fundit italiane, zgjedhjet iraniane të vitit 2009, lëvizja Occupy Wall Street apo Pranvera Arabe, ajo që shohim shpesh nuk është vetëm pakënaqësi dhe rebelim kundër politikës tradicionale, por edhe kundër mënyrës së informimit rreth politikës.”
Zoti Meikle thotë se suksesi i Beppe Grillos është shembulli më i rëndësishëm deri tani që tregon fuqinë e mediave të reja në politikë.
“Njerëzit po përdorin mediat sociale për të shprehur pikëpamje të cilat nuk po paraqiten në televizion dhe që nuk shkruhen në gazeta, duke i ndarë ato ide me të tjerët. Ata komunikojnë me njerëz të tjerë, me të cilët më pas mund t’i kontaktojnë sërish përmes rrjeteve sociale për të folur mbi pikëpamjet e tyre.”
Matt Freckelton është themelues i faqes së internetit Yatterbox, e cila ndjek veprimtarinë në mediat sociale të çdo ligjvënësi në Britani, duke përfshirë edhe debatin e kohëve të fundit në Parlament për legalizimin e martesës së homoseksualëve.
“Ajo që vumë re ishte se gjatë debatit shumë prej politikanëve, brenda në sallë ose jashtë sallës, dërguan mesazhe në Twitter lidhur me të. Dhe gjatë momenteve të debatit pamë që shumë njerëz që do të donin të ndikonin politikanët, por edhe publiku në përgjithësi, morën pjesë në debat duke u përpjekur të ndikonin mënyrën se si politikanët do të votonin, gjë që ka efekt të drejtpërdrejtë tek ligjet që miratohen.”
Douglas Carswell është një ligjvënës jo shumë aktiv në internet. Ai është autor i librit “Fundi i politikës dhe lindja e democracisë kibernetike.”
“Interneti po ndryshon politikën. Ka ndryshuar thellësisht mënyrën se si e realizojmë demokracinë. Na lejon të bashkojmë mendimet. Lejon që njerëzit të bëjnë shumë gjëra që më parë i bënin vetëm partitë politike. Kjo është një sfidë për njerëzit në ndërtesën pas meje, por mendoj se është një sfidë edhe për qytetarët.”
Qoftë në rrugët e botës arabe apo në korridoret e parlamenteve Perëndimore, vëzhguesit thonë se mediat sociale po e ndryshojnë shumë politikën tradicionale.