Megjithë kontestimet e biznesit, drejtoresha e tatimeve shprehet se nuk ka justifikim për shtyrjen e procesit

Edlira Shehu

Pavarësisht kontestimeve nga bizneset dhe kontabilistët për moszbatueshmërinë e fiskalizimit, afati për nisjen e fazës së dytë mbetet i pandryshuar nga tatimet.

Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj tha për Monitor se janë marrë të gjitha masat për zbatimin me sukses së fazës së dytë.

Që nga inspektimet në terren, trajnimet nëpërmjet platformave online, takimet me kontabilistët dhe aktorë të fushës dhe deri te përllogaritja e kostove të fiskalizimit, të gjitha detajet që u nevojiten bizneseve për t’u përshtatur me realitetin e ri të faturimit.

“Rëndësia e këtij projekti është e veçantë, pa dashur të ndalojmë punën e vazhdueshme për të gjithë projektet e tjera të rëndësishme. Ne si Administratë Tatimore e kemi theksin kryesor në mënyrë që të mos mungojë e gjithë mbështetja për informim, trajnim dhe suport ndaj bizneseve. Administrata Tatimore organizon çdo ditë, nga e hëna në të premte, trajnime për tatimpaguesit dhe do të vijojë edhe në muajt në vijim, deri më tani janë 26,751. Kjo edhe në bashkëpunim me shoqatat e kontabilistëve për të pasur mbulim sa më të gjerë. Numri i kontabilistët që kanë marrë pjesë në total është 3,433.  Për më tepër, tatimpaguesit kanë mundësi të përdorin Platformën Self-Care edhe në versionin test. Në ëebsite e DPT, ka nje rubrikë të veçantë për Fiskalizimin, në të cilën janë publikuar vazhdimisht jo vetëm rregullore, ligje dhe udhëzime, por edhe manuale përdorimi të Platformës dhe materiale shpjeguese lidhur me procesin.

Edhe pas datës 1 Shtator, që përkon me fazën e 3-të të Fiskalizimit, Administrata Tatimore do të ketë qasje këshilluese ndaj subjekteve dhe jo qasje ndëshkuese. Gjithashtu për informim sa më të mirë, Administrata Tatimore zhvillon në mënyrë të vazhdueshme takime me palët e interesit, ka angazhuar punonjës të cilët çdo ditë kryejnë vizita në terren tek bizneset, ka publikuar video shpjeguese, të postuara në faqen e Tatimeve dhe në kanalin tonë në Youtube.

Për çdo pyetje/problematike tatimpaguesit mund t’i drejtohen Platformës së dedikuar për procesin e Fiskalizimit HELP DESK e publikuar në faqen zyrtare të Tatimeve (link: http://helpdesk.tatime.gov.al), ku perveç suportit për çdo problematikë të ngritur ka edhe një rubrikë të posaçme me pyetjet më të shpeshta të ardhura nga tatimpaguesi me përgjigjet, me qëllim informimin sa më të gjerë për procesin.

Pra i kemi marrë të gjitha masat që të jemi gati për fazën e dytë dhe që biznesi të ketë të gjithë informacionin që i nevojitet për të kryer me sukses këtë proces”.

Më herët Ministria e Financave propozoi miratimin e aktit normativ për shfuqizimin e gjobave deri më 31 dhjetor 2021. Kreu i tatimeve tha se qasja e kësaj nisme ligjore (akti normativ nuk është miratuar) është mospenalizimi ndaj bizneseve. “Nëse subjektet do të kenë problematika në kuptueshmërinë e ligjit, në procedurat e tyre të brendshme të lëshimit të faturave, ne do të jemi aty për t’i ndihmuar, në mënyrë që këto problematika të tejkalohen. DPT dhe qeveria shqiptare do të marrë masa që të garantojmë që subjektet të mos penalizohen në periudhën e parë të Fiskalizimit, për një periudhë tranzitore që është për t’u përcaktuar”.

Për kostot e fiskalizimit znj. Ibrahimaj tha se janë të përballueshme. Deri tani janë certifikuar 28 kompani për ofrimin e zgjidhjeve softëare-ike.

Nga nisja e zbatimit të fiskalizimit 1 janar 2021 deri më 27 qershor 2021, sipas të dhënave të tatimeve, numri i tatimpaguesve të fiskalizuar në total është 7690; Fatura me para në dorë të lëshuara në total janë  3,853,071 me një vlerë prej  4,563,768,499 lekë; Fatura pa para në dorë të lëshuara në total janë 111,317 me një vlerë prej  82,267,656,010 lekë; Totali është 3,964,388 fatura me një vlerë prej 86,831,424,509 lekësh; Fatura të lëshuara nga nga Self-Care 4,716; Fatura të lëshuara nga Softëare- 3,959,672. Totali i tyre është 3,964,388; Numri  i vizitave informuese të realizuara në biznese -33,906    (01 Mars – 29 Qershor); Numri pjesëmarrësve në trajnim që kanë marrë bizneset të realizuara në total – 26,751   (17 Nëntor 2020  – 29 Qershor 2021 ); Numri i kontabilistët që kanë marrë pjesë në total-3,433   (17 Nëntor 2020 – 29 Qershor 2021); Numri i vizitave ditore në Këndin e Biznesit të Vogël në total deri më tani -559; Numri i Rregjistrimeve të përfunduara në Këndin e Biznesit të Vogël-242; Numri i vizitave ditore në total deri më tani-18,159; Numri i Regjistrime të përfunduara- 5,218; Numri i Certifikatave Elektronike të lëshuara – 22.000. (Fluksi është i madh, pasi në këto 2 javët e fundit, ka rreth 1000 kërkesa çdo ditë për t’u pajisur me certifikate elektronike); Numri i përdoruesve të Self-Care – 2.345 (20/06/2021)

Sipas të dhënave të tatimeve, në fazën e parë të Fiskalizimit, që ka nisur më datë 1 Janar 2021, për transaksionet B2C, sipas të dhënave nga viti 2020, pritet të hynin në Fiskalizim 7,600 tatimpagues. Në fazën e dytë që do të nisë më 1 Korrik 2021, për transaksionet pa para në dorë B2B, pritet të nisin Fiskalizimin rreth 34,000 biznese.

 

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *