Nis zyrtarisht aventura e Alban Mehas te skuadra e Superligës turke Konyaspor. Mesfushori i kombëtares shqiptare pasi kaloi me sukses vizitat mjekësore paraditen e së Martës firmosi një kontratë 1-vjecare me opsion rinovimi edhe për 1 tjetër sezon me Konyaspor dhe që nga ky moment është zyrtarisht një lojtar i skuadrës turke. Ishte klubi i Konyasporit që bëri të ditur marrëveshjen me Alban Meha në faqen e tij zyrtare në Facebook. Në komunikatën e skuadrës nga qyteti i Konyas nuk bëhen të ditura termat financiarë të marrëveshjes. Pas 9 viteve si profesionist në futbollin gjerman Alban Meha tashmë do ta vijojë karrierën në Superligën turke te një skuadër me potencial të madh ekonimik pasi përvec 29-vjecarit shqiptar Konyaspor ka në përbërje edhe lojtarë të tjerë të njohur si dyshja rumune Ciprian Marica dhe Gabriel Torje pa harruar këtu edhe sulmuesin bullgar Dimitar Rangelov.
Sezonin e fundit Konyaspor e përfundoi kampionatin në vendin e 8-të por tashmë me Mehën në skuadër, formacioni i drejtuar nga trajneri turk Aykut Kocaman do të tentojë kualifikimin në kompeticionet europiane. Një fakt të tillë e pranoi edhe në deklartën për mediat menjëherë pas firmës me mesfushorin e përfaqësues kuqezi drejtori sportiv i Konyasporit Murat Erdogan. Ky i fundit theksoi se Meha është një lojtar shumë i rëndësishëm që do ti japë një ndihemesë të madhe skuadrës për të arritur objektiva sa më madhorë gjatë këtyre viteve. “E dëshironim me cdo kusht Albanin dhe bëmë gjithcka për ta transferuar në Turqi”-shtoi më pas Erdogan.
Vetë Meha u shpreh shumë i lumtur për firmën me Konaysporin. “Do të jap maksimumin për ti dhënë një dorë skuadrës në realizimin e objektivave dhe shpresoj që këtu të bëjë paraqitje më të mira se te Paderborni”- deklaroi në fund të fjalës së tij mesfushori shqiptar. Alban Meha në sezonin që sapo u mbyll me Paderbornin dhe që ishte i pari për të në Bundesligën 1 zhvilloi në total 18 ndeshje dhe realizoi 3 gola.
