Jovan Jano, studiues dhe publicist
Një nga gjërat më të bukura, që mund të realizojë një turist i huaj në Kajro, është edhe vizita në Kështjellën e Kadivit me prejardhje gjenetike shqipëtare, Mehmet Ali. Për këtë figurë me dimensione botërore kisha lexuar shumë. Qofshin enciklopeditë ruse, qofshin studimet e Dora d’Istrias, të Fan Nolit, të profesor Aleksandër Xhuvanit, për mua kishin krijuar një tablo të qartë rreth personalitetit të tij. Dhe mbi këtë bazë njohjeje dhe të tjera kësisoj, unë kam shkruar në disa organe shtypi për të.
Kur hymë në kështjellë seç ndjeva një emocion disi të veçantë. M’u duk sikur po shkelja në Kalanë e Beratit, në atë Krujës, Rozafës… sikur po ecja në malet shkëmbore të Shqipërisë dhe përfytyrimi i luftës kundër osmanëve më fanitej sikur të ndodhesha para një filmi tre dimensional. Kështjella e Mehmet Aliut përbëhej nga një kompleks ndërtesash shumë të bukura nga pikëpamja ndërtimore dhe arkitekturore. Këtu mësuam se është dashur 23 vjet për ta ngritur xhaminë dhe ajo përfundoi tre vjet pas vdekjes të Kadivit. Minarja e saj ishte 80 metro e lartë Trashësia e mureve të xhamisë ishte 2.5 m. Në një kënd të xhamisë së mrekullueshme, madhështor, ndodhej mauzoleu i Mehmet Aliut. Projekti i saj ishte marrë në Stamboll dhe ishte një sozi e njërës prej xhamive më të bukura të metropolit turk. Cicëroni na tregon gjithashtu se kryeqyteti i Egjiptit, Kajro, në kohën e sundimit të Mehmet Aliut kishte 150 mijë banorë, ndërsa tani ka 18 milonë banorë.
Reformator i madh, i drejtë dhe trim
Në kujtesën e popullit egjiptian, Mehmet Aliu ka mbetur si një pasha i madh e i drejtë, trim e zemër mirë dhe si një burrë shteti shumë i aftë. Ai nuk njihet vetëm si një themelues i shtetit modern egjiptian, por edhe si një udhëheqës largpamës që e lidhi Egjiptin me Europën dhe veçanërisht me Francën; që e emancipoi vendin nga pikëpamja politike, ekonomike dhe kulturore. Kjo histori filloi kur Egjipti u pushtua nga francezët e Napolon Bonapartit në vitin 1789, për afro tre vjet. Në këtë kohë njohja me arritjet teknologjike perëndimore zgjoi tek egjiptianët synimin për t’u modernizuar. Dhe hapjen e parë e bëri njeriu me prejardhje gjenetike nga Zëmblaku i Korçës, Mehmet Aliu, ky gjeneral i ushtrisë otomane që komandonte dhe drejtonte Egjiptin. Mehmet Aliu është një shqiptar i pranuar nga të gjithë studiuesit e huaj seriozë të historisë së Egjiptit. Ishte njeri me energji dhe vullnet të rrallë, i gatshëm për ta nxjerrë Egjiptin nga letargjia lindore aziatike, e cila kishte kohë që e kishte pllakosur. Në vitin 1804 Mehmet Aliu arriti të vërë në duar pushtetin shtetëror, me një repart trimash shqiptarë, akt ky, që me hir apo me pahir, u njoh nga Sulltani.
Në vitin 1805, kur u shpall zëvëndës mbret, ai përsosi sistemin e bujqësisë dhe ndërtoi fabrika tekstili duke përpunuar pambukun që eksportohej në Europë. U ndërtuan gjithashtu kantire për ndërtimin e anijeve dhe fabrika armësh. Në veprimtarinë e vet politike dhe ushtarake Mehmet Aliu i vuri qellim vetes që ta zhvillonte Egjiptin, të mbronte kulturën e tij dhe popullësinë e thjeshtë egjiptiane nga varfëria, nga shfrytëzimi i pamëshirshëm dhe nga sëmundjet. Ndërsa tregtarët ai i shpëtoi nga grabitjet e mercenarëve të pasuruar në kurriz të popullit e që quheshin mamlykë. Mamlykët iu bënë ferr në këmbë Mehmet Aliut dhe popullit. Shpesh ata rebeloheshin të organizuar kundra Mehmet Aliut sepse ai nuk u jepte poste në qeveri.
Fundi i mamlykëve
“Ka mbetur proverbiale, por është e vërtetë, tregon ciceroni i muzeut – që një herë mamlykët dërguan një delegacion tek Mehmet Aliu për t’u marr vesh me të. Mehmet Aliu u tha atyre se nuk duhet t’i zgjidhim problemet me dhunë por me bisedime e me marrëveshje. Por edhe pas kësaj mamlykët nuk vunë mend. Atëhere ai ftoi në Kështjellën e vet për “gosti” 467 krerë të mamlykëve nga i gjithë Egjipti dhe u tha: “Ju kam thirrur që sëbashku të hamë një darkë. Nderi më i madh që iu kam bërë sonte është që secili nga ju ka nga një “kamerier”…”. Mehmet Aliu i kishte menduar mirë punët. Ai me ushtarë besnikë, që të gjithë shqipëtarë, kishte rrethuar Kështjellën dhe në sallën e madhe të gjithë “kamerierët” ishin gjithashtu shqipëtarë besnikë të armatosur e me thika të mprehta, ku secili nga “kamerierët” qëndronte prapa shpinës së çdo mamlyku. Pashai dinak dha sinjalin nga vendi kryesor ku ishte ulur duke ngritur dorën lart. Në këtë moment, “kamerierët” nxorën thikat dhe menjëherë u therën 466 mamlykë, nga të cilët shpëtoi vetëm njeri. Kur ia treguam largimin e një mamlyku, Pashait, ai u tha rojeve: “mirë bëri që iku pa u therur sepse nëpërmjet tij do të përhapet haberi në radhët e tyre”. Që nga ky moment Mehmet Aliu gëzoi pa masë dashurinë e egjiptianëve të thjeshtë dhe sidomos të tregtarëve, duke konsoliduar njëkohësisht edhe pushtetin e vet.
Zemblaku i Korçës, në zemër të Kajros
Mehmet Aliu përdorte përkthyes sepse nuk mësoi kurrë arabisht. Ai fliste shqip dhe i shkruante fjalët shqipe me gërma turke. Pas vrasjes së mamlykëve ai vendosi në vend një qetësi absolute. Në lagjet e tyre në ishull, Mehmet Aliu i përzuri familjet e mamlykëve grabitqarë dhe instaloi familjet e shqipëtarëve me të cilët erdhi në pushtet. Lagjes i vuri emrin e fshatit Zemblak të Korçës (Zemalek), pasi shumica e shqipëtarëve ishin nga ky fshat. Gjatë guidës në muze shohim lidhjet e Pashait të madh me oborret mbretërore të Europës, dhuratat e shtrenjta dhe mënyrën e tij të jetesës.
Mehmet Ali Pasha
Mehmet Ali Pasha lindi 1769, në Zëmblak të Korçës dhe vdiq më 2 gusht 1849 në Aleksandria. Ishte sundimtar shqiptar, nënmbreti dhe themeluesi i shtetit të Egjiptit modern. Në krye të një batalioni me shqiptarë, Mehmet Aliu marshoi drejt Egjiptit, ku pas përpjekjeve të ndryshme luftarake me francezët më në fund, Egjipti u çlirua nga zgjedha Bonaparte. Pas çlirimit të Egjiptit dhe mosmarrëveshjeve të ndryshme civile, më në fund në vitin 1805 Mehmet Aliu me këshillën e sheikut të Azharit, mori fermanin nga Sulltani për t’u bërë guvernator i Egjiptit së bashku me titullin Pasha. Duke parë situatën e prapambetur të Egjiptit të asaj kohë, ne vitin 1811, Mehmet Aliu ishte ai që filloi zhvillimin e vendit. Deri në ditët e fundit të jetës së tij, Mehmet Aliu, me ndihmën e djemve të tij zhvilloi mjaft beteja të suksesshme. Nga vitet 1820 deri më 1822 Mehmet Aliu filloi ekspeditat kundër Sudanit, ku në 1823 Mehmet Aliu themeloi shtetin e Sudanit dhe Khartumin si kryeqytet të tij. Më 1831 Mehmet Aliu u detyrua që të pushtoje Sirinë. Pas betejës së 1839 djali i Mehmet Aliut, Ibrahim Pasha i cili theu ushtrinë Osmane, filloi marshin për në Anadoll, ku sipas shumë historianeve ambiciet e Mehmet Aliut ishin që ai të bëhej Sulltan i shtetit Islam. Por duke parë forcën dhe vitalitetin e Mehmet Aliut fuqitë e mëdha e ndaluan dhe kërcënuan serisht Mehmet Aliun që të mos avanconte me tej. Pas kësaj përpjekje të fundit Mehmet Aliu u tërhoq në Egjipt, ku atij iu njoh e drejta e Khedivllëkut mbi Egjiptin nga ku gjenerata e nipërve të tij udhëhoqi deri në vitin 1956.
Mehmet Aliu dhe zbulimet e mëdha në Egjipt
Gjatë periudhës së sundimit të Mehmet Aliut u bënë zbulime me vlera të mëdha shkencore e kulturore. Për herë të parë gjeografët egjiptianë arritën të bënin një hartë të Egjiptit modern, në të cilën vendi dhe popullësia paraqiten shkencërisht. Inxhinierët egjiptianë në kohën e Mehmet Aliut bënë përpjekje të mëdha për të hapur kanalin e Suezit, përpjekje, e cila njëherë e përgjithmonë përfundoi me punën dhe mendjen e inxhinierit francez, Leseps. Napoleon Bonaparti dhe Marieti dhanë ndihmesë t’u marrë me egjiptologjinë. Bashari bëri zbulime edhe më të mëdha, si gurin e famshëm të Rozetës dhe tre mbishkrime në gjuhët greke, hierografike në gjuhën egjiptiane popullore etj. Shampolioni zbuloi çelsin e alfabetit hierografik. Si rrjedhim i këtyre zbulimeve “vetë Egjipti”, shkruan Fan Noli, u kthye nga kultura dhe shkenca franceze…Mehmet Aliu, sikundër edhe Napoleon Bonaparti, e vijoi misionin qytetërues me shkencëtarë, studiues dhe specialistë francezë. Në shkrimet e Nolit për figurën e Mehmet Aliut shpjegohet edhe shkaku që e detyroi atë të luaj një rol qytetërues në Egjipt.
Dinastia e Muhamet Ali Pashës (1805 – 1953)
Qeveritarët e lartë osmanë të Egjiptit
Muhamed Ali Pasha-Egjipt (1805 – 1848)
Ibrahim Pasha (1848)
Abaz Hilmi I. (1849 – 1854)
Muhamed Said (1854 – 1863)
Ismail Pasha (1863 – 1867)
Kadinjtë e Egjiptit
Ismail Pasha (1867 – 1879)
Tafiq (1879 – 1892)
Abaz Hilmi II. (1892 – 1914)
Sulltanët e Egjiptit
Husen Qamil (1914 – 1917)
Fuad I i Egjiptit (1917 – 1922)
Mbretërit e Egjiptit
Fuad I i Egjiptit (1922 – 1936)
Faruku i Egjiptit (1936 – 1952)
Fuad II i Egjiptit (1952 – 1953)
Nuk ka Egjipt pa Nil dhe Nil pa Egjipt!…
Udhëtari që viziton Egjiptin, sapo shkel këtë vend mbërthehet nga një mori emocionesh, të cilat nuk besoj se i përjeton në ndonjë vend tjetër. Shkretëtira e pafund, Nili gjigand, piramidat dhe misteri i ngritjes së tyre, statuja mbinatyrore e gdhëndur në gur, e Sfinksit të madhërishëm, Muzeu Kombëtar Egjiptian dhe misteri i balsamosjes së mumjeve, qytetet e lashta kolosale të Karnakut dhe të Luksorit (Tebës), të ndërtuara 3000 vjet para erës së re dhe Lugina e Mbretërve, në galeritë e të cilës gjenden me dhjetra nekropole që shtrihen në bregun perëndimor të lumit Nil, të gjitha këto janë befasuese dhe impresionuese për atë vizitor që ka lexuar e dëgjuar për historinë e lashtë e tronditëse të këtij vendi. Pasi e ke parë mirë Egjiptin, të krijohet bindja se qytetërimi i njerëzimit ka filluar pikërisht këtu.
Pavarësisht problemeve të sotme, egjiptianët mburren me vendin e tyre, me civilizimin e lashtë të vendit; mburren me të drejtë që janë zotër të Piramidave; mburren që në atdheun e tyre ndodhen mrekullitë e botës; mburren që kanë ngritur qytete moderne në zemër të shkretëtirës; mburren që janë zotër të Kanalit të Suezit, që kanë bërë “zap” Nilin nëpërmjet digave gjigande dhe kanë bërë që në zemër të shkretëtirësë pafund, të lulëzojë jeta. Iu lumtë!
Në shkretëtirë na u dha mundësia të shihnim autostrada të ndricuara nga mijëra drita që gjarpëronin nga brigjet e lumit Nil e gjeri në plazhet ekzotike të Huruguadës, në Detin e Kuq, nga ku dukeshin, diku larg, siluetat e errëta të dy grave zezake duke ruajtur dhitë. Autostrada, kjo arterie kolosale e ekonomisë së këtij vendi përshkon gjithë Egjiptin nga Kajro në Port Said, në Ismailia dhe nga Kajro në Luksor dhe Assuan. Udhëtimet bëheshin nëpërnjet Nilit, me tragete, me trena dhe me avionë modernë. Nuk ka gjë më të mahnitshme se sa ajo ngjyrë e florinjtë shkretëtire në fokusin e rrezeve mëngjezore të diellit përvëlues saharian!
Gjëja e parë që sheh një turist që fluturon me avion për në republikën e Egjiptit, padyshim, është shiriti i gjelbërt madhështor, që përdridhet midis shkretëtirës arabike në lindje dhe asaj libiane në perëndim. Dhe ky shirit madhështor është Nili me gjatësi 1200 km, gjerësi 300 m dhe gjerësi 15 m, i cili e ka fillimin e vet nga Afrika qëndrore. Egjiptianët e thjeshtë që patëm rastin të takonim e të bisedojmë na thoshnin me krenari se “Nili është Egjipti dhe Egjipti është Nili”.
Në kohët e sotme vërshimet e Nilit rregullohen me ndihmën e digës së dytë të Assuanit e ndërtuar në vitin 1960 dhe që ka krijuar liqenin më të madh artificial në botë e që mban emrin e ish presidentit Naser. Ky liqen ka një gjatësi prej 500 km dhe gjerësi 12 km. Qeveria egjiptiane çmontoi mjaft ndërtime të epokës së faraonëve si psh: tempujt e Aby Simbelit duke i vendosur në një vend të ri që mos të zhdukeshin në fund të liqenit të ri. Lugina pjellore e Nilit, historikisht, ka ushqyer popullin e Egjiptit, ndërsa shkretëtirat që e rrethojnë atë nga të gjitha anët e kanë mbrojtur nga sulmet e popujve fqinjë. Në epokën e Mbretërimit të Parë, Egjipti u bë një shtet shumë i fuqishëm ushtarak, që diti, jo vetëm të sprapste armiqtë e vet, por edhe të drejtonte ekspedita për thesare në lindje nëpërmjet gadishullit të Sinait dhe në jug nëpërmjet rrjedhjes së lumit Nil, arrinin në Nubinë e pasur përrallore, nga ku karvanet ktheheshin në Egjipt të ngarkuara me flori, fildish dhe pas tyre, të lidhur ecnin të cfilitur mijëra skllevër nga Nubia e minierave të floririt.
Kanë thënë për Mehmet Aliun
Dora d’Istria
“Mehmet Aliun e mbërtheu një pasion i tillë për Francën, sa mund të thuhet se Rilindja e perandorisë së Faraonëve të lashtë, është pasojë e një aleance franko – shqiptare”
Konsulli francez, Mourriez
E pyeta një ditë Mehmet Aliun pse aq shpesh ai thoshte se ishte shqiptar. Ai m’u përgjigj: “I tillë jam dhe gjuha ime është shqipja. A nuk më kini dëgjuar kur u flas rojeve!… Shqiptar jam e shqiptar do vdes, ndonëse u përpoqa të bëhem egjiptian i mirë.”
Fan Noli
“Mehmet Aliu ishte vërtetë fetar, por aspak fanatik dhe ky fakt vendimtar e bënte të hapur ndaj ideve perëndimore, sepse prej fanatizmit nuk vjen asgjë e mirë. Mendim ky i shkëlqyer, i vërtetuar plotësisht nga historia dhe i hedhur tej me neveri nga iluministët francezë të shekullit të 18-të dhe nga vetë revolucioni francez”.
Pasardhësit, të zotë si i ati
Pas Mehmet Aliut pushtetin e mori i biri, Ismail Pasha, një njeri mjaft i zoti dhe ende i respektuar në Egjipt me emrin e të cilit njihet edhe hapja e Kanalit të Suezit në vitin 1869, ku shtrihet qyteti i Ismailisë. Një nga gjerat më interesante në këtë muze ishte dhe një pikturë e gjinisë së portretit, kushtuar nipit të Mehmet Aliut, Fuad Pashës, që erdhi në pushtet në vitin 1922 dhe sundoi me ndihmën e anglezëve në këtë vend deri në vitin 1936. Pavioni i fundit i kushtohej mbretit të fundit të dinastisë së shqipëtarëve, Farukut. Këtu u informuam që një motër e mbretit Faruk ishte martuar me shahun e Iranit, Rehza Pahlevi.

po per vendin e tyre ,cfare bejne shqiptaret