Kjo është pjesa e tretë dhe e fundit e marshimit heroik të Brigadës së Parë në shkurt-mars 1944 për të shpëtuar Shtabin e Përgjithshëm. Rrugëtimi përmes dimrit të acartë nga Qarrishta në Martanesh, luftimet e pareshtura me ballisto-zogistët dhe përmbushja e misionit. Takimi me Babë Myslimin në Pezë dhe kush ia dha informacionin Radio Barit se ku ndodhej Mehmet Shehu në mbarim të misionit
QARRISHTË
Nga mesi i ditës së 29 shkurtit pararoja jonë arrin në Qarrishtë, në një gropë të thellë rreth e përqark me male me dëborë të pakapërcyeshme. Të jep përshtypjen e një kazani natyror. Këtu gjendet një bandë mercenarësh që, bashkë me katundarët, kanë qëllim të na presin me pushkë. Por ndërsa po përgatiten, të godasin pararojën tonë që nga penxheret e shtëpive, kolona e gjithë pason pararojën dhe futet në katund; katundi frikësohet dhe nuk hap luftë.
Kur hyjmë në katund, vëmë re se gratë e kalamajtë dalin nëpër penxheret me kuriozitet, duke pandehur se ne, siç u kishin thënë, duhej të kishim brirë, thonj të gjatë, thika ndër dhëmbë për të therur gra e fëmijë të ballistëve. Të gjithë burrat ndodhen me pushkë të vendosur nëpër frëngjitë e shtëpive e nën kërcënimin e pushkëve të tyre kalon e gjithë kolona jonë.
Vihet re sjellja djallëzore e kryeplakut të katundit, njëfarë Hyseni, i cili, me pretekst se gjoja nuk dëshiron të na lërë të largohemi, pa na dhënë bukë, sipas zakonit, mundohet të na vonojë që t’u japë kohë gjermanëve dhe ballistëve të na zënë kyçet e kalimit, por ne e kuptojmë këtë gjë dhe nisemi pa humbur kohë.
Që nga Qarrishta na mbetet vetëm një shteg për të kaluar: ai i Malit të Letmit. Të gjitha rrugët e tjera janë të pakapërcyeshme nga dëbora. Për të dalë në majë të Letmit, 1 600 m lartësi, na duhet të kalojmë nëpër një lagje të katundit të Aziz Biçakut e pastaj nëpër një rrugë dhish drejt malit përpjetë, nëpër disa shkrepa të thepisur që edhe dhitë mezi kalojnë.
Porsa kemi dalë nga Qarrishta, praparoja jonë goditet tradhtisht nga katundi i Qarrishtës. Pararoja e çan me luftë lagjen e Gështenjasit të Letmit e po ngjitet me duar e me këmbë malit përpjetë. Dhe me t’u afruar nja 200 m afër qafës, në majë të Letmit kërcet pushka dhe atje. Në të njëjtën kohë kolona gjermane, duke ndjekur vazhdën tonë, në dëborë që nga Shapka e Librazhdit, hyn në Qarrishtë dhe hap zjarr mbi ne me mitraloza të rëndë. Tradhtari Aziz Biçaku hap zjarr kundër nesh që nga Letmi dhe një kolonë gjermane po marshon nëpër Mal të Letmit për të na prerë rrugën përpara. Jemi prapë të rrethuar; këtë radhë nga të gjitha anët dhe ndodhemi në pozicionet më të vështira që mund të përfytyrohen.
Bashkë me pararojën ndodhet edhe komandanti i Brigadës. Hapet zjarri nga të gjitha anët, por është jashtëzakonisht e zorshme të çahet dëbora përpjetë malit. –“Përpara shokë, në sulm, vëllezër!… S’ka rrugë tjetër përveç përpara, në sulm! O burra, shokë, përpara! Brigada e Parë, përpara për lirinë e popullit! Për Partinë, për Atdheun, për Stalinin, përpara! Përpara vëllezër!” Është zëri i vazhdueshëm i komandantëve dhe i komisarëve, të cilët me bomba dore hidhen të parët në sulm mbi armikun.
Brigada është në rrezik të madh. Zëri i komandantëve dhe i komisarëve përzihet me alarmin e borisë për sulm. Janë çaste rrëqethëse dhe vendimtare. Në një orë e gjysmë çahet dëbora, kalohen të dyqind metrat e rrezikshëm dhe çahet rrethimi. Mercenarët, disa vriten dhe disa ikin pyjeve. Kolona shpëton edhe këtë radhë. Shpëton nga skëterra e Qarrishtës. Vonesa vetëm e pak minutave në Qarrishtë do të na kishte shkaktuar asgjësimin e sigurt të të gjithë kolonës.

Kolona ngjitet në Malin e Letmit përmes një breshëri plumbash nga të gjitha anët. Marrim pak frymë. Mitralozat gjermanë po shtien nga ana e majtë dhe nga prapa. Në Qarrishtë vazhdon lufta me furi; dikush lufton atje, sigurisht partizanët e praparojës dhe Karadaku (nënkomandant i batalionit të 1-rë) bashkë me ta, që mbetën të rrethuar nga të gjitha anët e luftojnë si luanë të gjithë, derisa japin jetën e tyre të shtrenjtë, përveç Karadakut e disa të tjerëve që mundën të shpëtojnë…
MARTANESH
I jemi afruar drejtimit për në Shëngjergj. Në këto manovrimet tona i kemi dhënë përshtypjen armikut se qëllimi ynë është të shkojmë drejt Maqedonisë. Tash duhet të manovrojmë në një mënyrë të tillë që t’u shpëtojmë grackave të armikut dhe të mbërrijmë në Shëngjergj. Darka e 1 marsit na zë në Likaj të Okshtunit, një katund prej 40 shtëpish në rrëzën e Kaptinës së Martaneshit. Këtu dëbora është më e trashë se kudo gjetkë. Ky katund simpatizon Frontin Nacionalçlirimtar dhe na pret mirë. Një i quajtur Hasan nga ky katund na ndihmon mjaft. Ky na tregon përgatitjet që kanë bërë reaksionarët për të na prerë rrugën, se e gjithë Golloborda dhe një pjesë e madhe e Dibrës janë mobilizuar e po lëvizin në drejtimin tonë. Kaptina e Martaneshit është shumë zor që të kalohet (2 000 m lartësi, 4 m dëborë; pleqtë më të vjetër tregojnë se në moshën e tyre kurrë nuk është kaluar dimrit).
Si t’ia bëjmë hallit? Të qëndrojmë në vend, do të thotë t’i lëmë dorë të lirë armikut dhe ta futim veten në grackë. Kaptina jo vetëm që s’kalohet, por prapa saj është hedhur kundër nesh edhe një pjesë e Martaneshit nga terrori i okupatorit e i tradhtarëve. Meqë nga Bulqiza nuk mund të kalohet nga reaksioni i tepërt, vendosim: Dy batalione të përpiqen të çajnë dëborën nëpër Kaptinë të Martaneshit dhe një batalion të qëndrojë në vend me mitraloza të vendosur, si praparojë. Në qoftë se dy batalionet do të mundin ta çajnë Malin e Kaptinës, atëherë do të niset edhe batalioni i praparojës; në qoftë se Kaptina nuk çahet, atëherë do të përqendrohemi të gjithë në Likaj e aty, duke u ushqyer nga katundi sa të shkrijë dëbora, do të rezistojmë gjersa të bëhet i mundshëm manovrimi.
Në orën 12 të natës, batalioni i parë fillon të çajë dëborën në drejtimin Shullëh-Plep-Lugu i Qyqes–Martanesh. Në mëngjesin e 2 marsit niset pas vazhdës edhe batalioni i tretë. ndërsa batalioni i dytë mbetet si praparojë.
Aty nga ora 10 batalioni i parë i është afruar Lugut të Qyqes, është ndalur pak për çlodhje. Partizanët ia kanë marrë këngës labçe e s’duan t’ia dinë as vuajtjes, as rrezikut. Qëllimi i tyre është që të mbërrijnë objektivin që e di vetëm komandanti i Brigadës dhe shtabet e batalioneve. “Edhe një ditë dhe shpëtojmë”, pandehej prej të gjithëve. “Martaneshi, fshat partizan, nuk do të na godasë me pushkë”, i thonë njëri-tjetrit partizanët.
Nga mesi i ditës kolona gjarpëron me ngadalë mbi Kaptinën e veshur me petkun e bardhë të dëborës dhe me drurë ahu e pishe. Afër darkës mbërrijmë në lagjet e para të Martaneshit. Nëpër shtëpi gjejmë vetëm gra e kalamaj. Burrat janë të lajmëruar nga komanda e xhandarmërisë për ardhjen tonë dhe po përgatiten të na godasin në befasi. Nga mesi i natës mbërrin dhe batalioni i praparojës. Familjet na presin mirë, sepse me shpirt janë me ne. Bashkë me gëzimin e tyre përzihet edhe frika e madhe që u kanë kallur tradhtarët. Ata janë aty afër rreth e përqark.
Parulla jonë është “shpejtësi”, e të gjithë partizanët e kanë kuptuar rëndësinë e saj.
Nga mesi i natës kolona vihet në lëvizje në drejtim të lagjes Valë të Martaneshit. Dëbora në Martanesh (katund) nuk është dhe aq e trashë, çahet me lehtësi. Porsa dalim në lagjen Lenë, shpërthejnë krismat e pushkëve dhe të mitralozave nga të gjitha anët kundër kolonës: Janë xhandarët e Abaz Kupit me tradhtarët e Martaneshit. Ata kanë qëllim që, në mos na asgjësofshin, të na pengojnë të paktën një ditë në Martanesh dhe kështu t’u jepet kohë forcave gjermane të mbërrijnë aty, të nisura apostafat nga Dibra e Burreli. Lufta ndizet përpara, anash dhe prapa.
– Pararoja e batalionit të tretë të çajë rrugën me forcë, batalioni i parë të sigurojë të dy anët, praparoja të udhëtojë duke luftuar, kolona të vazhdojë rrugën me shpejtësi, – këta janë urdhrat që shqiptohen me zë të kthjellët nga komandanti i Brigadës. Ballistët dhe zogistët, grupe-grupe, janë të vendosur nëpër kodra dhe godasin në drejtim të kolonës. Kolona, nëpër errësirën e natës, çan rrugën me luftë dhe vazhdon përpara e pa tronditur aspak. Gjithë puna varet në kapjen e Shkallës së Valit. Prandaj urdhërohet batalioni i tretë të shpejtojë më shumë nga të tjerët e me çdo kusht të dalë në Val. Udhëheqësit i kemi nga Martaneshi.
Mëngjesi i 3 marsit na gjen në fund të Shkallës së Valit (kjo Shkallë ka 72 të përdredhura nëpër një shkrep të rrezikshëm disa qindra metra i lartë). Fundi i shkallës është i kapur nga reaksionarët dhe në krye të saj reaksionarët e Valit po përgatiten të na zënë qafën. Mirëpo, para se reaksionarët e Valit të zënë Qafën e Shkallës, pararoja jonë mbërrin në Val. Kështu rruga jonë mbetet e çelur. Luftimet vazhdojnë nga të gjitha anët për nëntë orë rresht. Nga ana jonë mbetet i vrarë komunisti trim Kamber Sadiku dhe nga armiku mbeten 24 të vrarë.
Nëpër gërxhet e Martaneshit të mbuluara me dëborë, nëpër një shi të hollë dhe një mjegull të dendur, kolona vazhdon rrugën për në Gur të Bardhë (Mat)…
KTHIMI
Objektivi ynë ishte Shëngjergji. Aty mbarojmë punë, sipas porosive të Shtabit të Përgjithshëm. Tash paraqitet problemi i kthimit në Jug, pranë forcave të tjera të Brigadës. Të gjithë partizanët ndiejnë një gëzim të papërshkrueshëm kur iu komunikua nga komanda se misioni kishte mbaruar dhe tash do të ktheheshim në Jug. Secili e ndien veten kryelartë që ka kapërcyer të gjitha këto pengesa e rreziqe dhe ka zbatuar me përpikëri urdhrat e Shtabit të Përgjithshëm. Vullneti i tyre është çelikosur në këto vuajtje dhe në këtë udhëtim plot rreziqe; urrejtja e tyre është forcuar kundër okupatorit dhe tradhtarëve.
Nga duhet të shkojmë? Nga erdhëm? E vetmja rrugë që na mbetet është Qafa e Kërrabës që të hidhemi në zonën e Pezës, e atje të rezistojmë derisa të gjejmë rastin të kalojmë Shkumbinin me këmbë.
Në mbrëmjen e 6 marsit kolona niset për udhë. Në Shëngjergj lëmë disa shokë nën kujdesin e shokëve të tjerë të terrenit, sepse janë të sëmurë e nuk mund të vijnë me ne. Nga Tirana dhe nga Elbasani vijnë lajmet se gjermanët dhe ballistët po përgatiten të na sulmojnë nga të dy anët, të na presin Qafën e Kërrabës. Pas shpine po përgatitet të na godasë tradhtisht Abaz Kupi. Në orën 10 të natës nën dritën e hënës së plotë të një qielli të kthjellët, kolona kalon xhadenë e Qafës së Kërrabës dhe para se të gdhihet 7 marsi ndodhet në katundin Cirmë. Duke qenë se ky katund është nën influencën e Ballit dhe afër xhadesë, e bllokojmë para se të futemi brenda. Çlodhemi aty gjithë ditën, hamë bukë e në darkë me t’u errur nisemi për në Pezë.

Tash nuk kemi dëborë përpara. Shpëtuam nga ky armik i tmerrshëm, që s’na ka Iejuar të manovronim maleve. E gjithë zona është veshur me gjelbërime të përhershme, me mare. Përpara mëngjesit të 8 marsit të gjithë ndodhemi në Pezën e martirizuar. Marrim lidhje me shokët e Pezës.
Askush nuk besonte që ne do të mundnim të mbërrinim në Pezë. As Shtabi i Përgjithshëm nuk ka lajm për ne, vetëm kupton gjendjen tonë nga lajmi që jep Radio Bari se “Mehmet Shehu me dy batalione të Brigadës 1 ndodhet në Pezë”, sipas informatave të transmetuara nga një major anglez që qëndronte pranë tradhtarit Abaz Kupi e që ka marrë vesh lëvizjen tonë. Në Pezë gjejmë «Babën» (Myslim Pezën) dhe Shulen (Kristo Themelkon) nën një çadër të vjetër, në mes të një pylli të dendur. Gëzimi është i madh për të gjithë. Kudo që shkojnë partizanët, buçasin këngët partizane.
Lajme alarmante hapen nga reaksioni në Tiranë, Elbasan, Peqin, Kavajë e gjetkë. Dikush thotë se kemi ardhur për të sulmuar Tiranën, dikush thotë se kemi ardhur pasi nuk gjejmë strehë në Jug e dikush shpreson se tash Brigada ka rënë në një grackë nga e cila nuk mund të shpëtojë, sepse Peza është në mes të katër udhëve dhe bazat e gjermanëve janë të afërta.
Qëndrojmë 9 ditë në Pezë për t’u çlodhur. Gjermanët po përgatiten me mijëra për të na sulmuar nga të gjitha anët. Por, ndërsa gjermanët po përgatiten të na sulmojnë, ne përgatitemi të kalojmë Shkumbinin.
Kështu më 19 mars nisemi nga Garunja e Madhe në drejtim të Dumresë. Kur jemi afër Peqinit, disa nga informatorët tanë na lajmërojnë se gjermanët janë aty afër dhe po marshojnë në drejtim të Pezës. Për të mos humbur kohë, meqë përpara kemi xhadenë dhe Shkumbinin, evitojmë përpjekjet me gjermanët e vazhdojmë rrugën nëpër disa gropa me ullishte e me mare. Udhëtimi është i zorshëm. Rruga ruhet nga gjermanët. Gjemia e Shkumbinit është mbytur nga ballistët një ditë më parë. Shkumbini ka shumë ujë, sado që kjo javë ka kaluar pa shi. Gjatë rrugës partizanët udhëtojnë pa bërë asnjë zë.
– Pa zhurmë, shpejt, shpejt, shokë, se s’pret koha! Edhe pak dhe e kalojmë rrezikun!…
Këto janë fjalët e komandantit.
Secili e kupton mirë nevojën e heshtjes. Kalojmë 200 metra afër një poste gjermane. Një prerje e kolonës, për shkak të humbjes së lidhjes, na vonon gati një orë. Në çdo partizan vihet re vëmendja më e madhe. Secili, nga çasti në çast, pritet të goditet nga armiku. Më në fund rruga kalohet pa asnjë rrezik dhe ja ku ndodhemi, para dallgëve të Shkumbinit, në errësirën e natës. Urë s’ka; gjemia është mbytur; vaun nuk e dimë mirë. Koha nuk pret, lumi duhet kaluar, ndryshe jemi në një gjendje shumë kritike, pasi jemi diktuar nga gjermanët e në xhade pas nesh ka ardhur një autoblindë. Ka ndaluar, tamam ku kemi kaluar ne, dhe ka hedhur një raketë të kuqe. Jemi në mes të dy zjarreve.
Batalioni i parë urdhërohet ta çajë lumin i pari. Pas 20 minutash i gjithë batalioni hidhet pa asnjë humbje. Shkumbini është i turbullt, me dallgë të shumta, i rrëmbyeshëm dhe ujët të arrin deri në një pëllëmbë mbi brez. Partizanët e kalojnë dorë për dorë, skuadra-skuadra. Të shumtat e shoqeve dhe disa partizanë të rinj nuk mund të hidhen vetë. Grupe shokësh i kapin prej krahu dhe i ndihmojnë të hidhen, më mirë të themi i heqin zvarrë, pasi lumi u fshin këmbët e nuk i lë të qëndrojnë vetë. Pas batalionit të parë, kalon i treti e më në fund i dyti. Gjatë këtij kalimi të vështirë, valët e egra dhe të ftohta të Shkumbinit rrëmbyen përgjithnjë shokun Muharrem Gjerbësi, partizan i batalionit të dytë.
E më 20 mars në mëngjes herët, mijëra gjermanë sulmojnë Pezën dhe kërcet topi, mitralozi, bomba e mortaja kudo në Pezë kundër Brigadës I. Këto të shtëna, në të vërtetë, bëhen vetëm kundër pyjeve të Pezës, sepse batalionet e Brigadës I kanë ditur të manovrojnë si kurdoherë e në këtë kohë, jo vetëm që nuk ndodhen të rrethuara në Pezë, porse po çarmatosin 170 mercenarë në katundin Rrasë të Dumresë. Kur dëgjojnë partizanët zhurmën e luftës së kotë të gjermanëve në Pezë, lëshojnë nga një fjalë me ironi «ua lagëm edhe këtë radhë»!
Të gjithë partizanët janë të gëzuar, sepse, pas gjithë këtyre vuajtjeve, tash ndodhen prapë në Jug, jashtë zonave nën kontroll të reaksionit. Darka e 20 marsit na zë në Mollas të Sulovës. Jemi në zonat e çliruara. Batalionet qëndrojnë disa ditë në Sulovë për t’u çlodhur pak dhe kryejnë organizimin e mobilizimin e kësaj krahine. Më 23 mars mbërrijmë tamam në Qafën e Dardhës, prej nga një muaj më parë ishim nisur për këtë udhëtim.
Pas disa ditësh bëhet mbledhja e gjithë Brigadës në Popçisht të Gorës. Në atë mbledhje të gjithë janë të gëzuar, sepse Brigada e plotësoi me sukses misionin e ngarkuar nga Shtabi i Përgjithshëm dhe ky i ka drejtuar një letër të gjithë Brigadës me anën e së cilës i shpreh përshëndetjet dhe vlerëson aktin heroik të Brigadës për të plotësuar urdhrat e Shtabit të Përgjithshëm…
Fund

Hajde INTELEKTUAL shtelloje artikullin, se ti je kok RK.
Brigada e pare u rrezikua per nje teke te Enver Hoxhes,qe sapo u lajmerua nga kunati minister se trupa gjermane do te ndermerrnin nje operacion ne malet e Martaneshit per kapjen e shtabit pergjithshem,u nis drejt Jugut,por lajmeroi me korriere Mehmet Shehun te nisej me brigaden ne Martanesh.Kur mberriten brigada e pare ne Martanesh,,enver hoxha kishte dy jave qe kishte kaluar ne Skrapar.
Megjithate Mehmeti tregon te verteten,se sa i ka dashur populli shqiptar partrizanet trima:Cdo fshat i ka pritur me pushke,sikur po KALONTE KOLONA E USHTRISE SERBE.Ku kalonte brigada e pare rekrutonte fshataret me force,rrembente bageti dhe ushqimin ,egzekutonte kundershtaret politike.Kjo ndodhe ne Polis Vile,ku rrembyen furnizimet e dimrit te fshatareve,ne Polis Plan egzekutuan fshataret qe kishin luftuar kunder brigades dyte ne vjeshten e 43,ne Mollas vrane Yzeir Cerrikun,qe nuk pranoi te bashkohej me brigaden,ne Qukes rrembyen mushkat dhe bagetite e Blloshmeve.Prandaj kudo qe kaloi brigada e pare ne dimrin e 44 u prit me pushke nga shqiptaret.Ai Aziz Bicaku qe permend Mehmet Shehu,ishte aq mikprites,sa ne shtepine e tij ne Qarrishte strehoi dhe ushqeu per tre vjet 17 cifute,Emri i tij eshte ne memorialin perkujtimor te atyre qe ndihmuan familjet cifute ne Izrael,dhe nuk e nxin dot krimineli serb Mehmet Shehu.Brigada e pare terroriste u godit nga fshatarsia patriote shqiptare,jo nga gjermanet,se po ta kishin goditur gjermanet,do ta kishin zhdukur.
Prape s’e morem vesh?
MEHMETI ISHTE POLIAGJENT APO KUMANDAR LEGJENDAR?
sepse:
Kurdha kushtrimin per katunaret e tij dru me pre:
PERPARA ME BABA STALININ!
del se cfare POLIANGJENTI ishte Mehmet Shehu ne gjirin e Partise gjate Luftes dhe per 50 vjet me radhe si vegla vratare staliniste e Enverit, derisa e likuidoi si qen Sulo Gradeci ne gjumine nates
Mehmet Shehu ishte kriminel lufte i kerkuem nga gjykata e Hages dhe njikohesisht ishte edhe POLIAGJENT siç e percaktoi shoku Enver.
Duhet te jemi konseguent, o me Enverin e kundra Enverit.
ishte se me armikun ishin perfshire dhe ballisto zogistet te cilet ishin shqiptare me nje horizont shume te ngushte,aq sa edhe sot e kesaje dite ka nga ata qe mendojne se kane bere mire qe kane perkrahur fashizmin i cili u mund gjate luftes se dyte boterore nga koalicioni antifashist anglo,sovjeto amerikan ne te cilin benin pjese dhe partizanet shqiptare te brigades se pare ku komandant ishte biri i popullit Mehmet shehu.Mehmet shehu heroi i lavdishem i shqiperire qe ishte 28 vjet kryeminister i shqiperise dhe e perparoi shqiperine.Mereni me mend kur u clirua shqiperia me 29 nendor 1944 kishte nje
milion banore ,nga te cilet 95 per qind analfabet,gjithe shqiperia breg detare ishte me keneta malarike ,vend pa asnje hekurudhe ,pa buqesi e industri.Mehmet shehu ashtu si luftoi gjat luftes me heroizem e zgjaresi ,udhehoqi ndertimin e shqiperise duke e kthyer ne nje vend te perparuar industrial buqesor.Mehmet shehu eshte arkitekt i fortifikimit te vendit me vend strehimet kunder atomike ne qytedte ,me vend komandat e nenedheshme ,me strehimet e nendheshme te flotes detare e te avioneve luftarak te bunkereve te cilat jane sot nja baze e pranimit te shqiperise ne nato dhe qe shqiperia si zantare e natos perben vendin kryesor te aleances se atllantikut verior..Emri i Mehmet shehut eshte i lavdishem ai e ka vendin e tije ne histori dhe nuk prety qe tja japin kundershtaret e tije ish ballisto zogistet.Historine e ben realiteti e jo deshira.Puna e lufta ne sherbim te atdheut te lire e sovran
Po mire o Petro shoku,
PO SIKUR PARAJSEN KOMUNISTE NE SHQYPNI E NDERTOI ENVERI ME MIQTE E TIJ BOLSHEVIKE?
Ti thua qe keto mrekullira i beri Mehmeti me koke te vet dhe e shtoi poullsine nga 1 meleon ne tre meleone shqyptare?
SI TA BESOJME KETE LAJM SENZACIONAL?
sepse:
Une per vete e di qe Mehmeti jo vetem qe nuk kujdesej per shtimin e popullates, por u priste KOQET katunareve qe nuk donin te futeshin ne Brigaden e tij plot me cuba prej Mallakastre dhe per kete tredhje masive te rebeleve te pabindur eshte kritikuar me vrejtje shoqerore nga Partia e Punes.
Lavdi luftes antifashiste qe kishte si qellim goditjen e bishes naziste dhe denim per krimet e komunizmit kunder njerezve te pafajshem
I biri i Shehut u kthye edhe nje here pa poshte nga fshati e tha :Qarrisht moj Qarrishte do te djeg te gjalle!