Dosja e gjyqit ndaj Kadri Hazbiut
“Për blerjen e të sekreteve të bombës atomike dhe antitankeve të telekomanduar, me miratim të Kadri Hazbiut, u ngarkua agjenti ‘Rampa’ me rezidencë në Paris”
Pas debateve lidhur me akuzat për ‘Bashkëpunim në kuadër të grupit armiqësor të vënë në shërbim të zbulimeve të huaja kundër interesave të vendit’ të Kadri Hazbiut, Llambi Peçinit e Llambi Ziçishtit me kreun e trupit gjykues Aranit Çela, në deponimet e seancës së 8-të, të akuzuarit deponojnë një fakt të pa njohur, përkatësisht, investimin e Sigurimit të Shtetit Shqiptar për blerjen ilegale të armëve me telekomandë dhe sekreteve të prodhimit të bombës atomike nga shkencëtarët francezë. “Për blerjen e një antitanku me telekomandë dhe sekreteve të prodhimit të bombës atomike në Francë, me propozimin tonë e miratimin e Kadri Hazbiut, u dhanë nga Mehmet Shehu 8000 dollarë. Operacioni u krye nga agjenti ‘Rampa’ me rezidencë në Paris”- deponojnë mes të tjerave në këtë seancë Llambi Ziçishti e Llambi Peçini….
(Vijon nga numri i kaluar)
Kryetari:- Do ta bisedojmë më vonë atë, në çështjen tjetër.
Prokurori:- Po në këtë procesverbal, shoku kryetar, ndoshta nuk e dëgjova unë, keni thënë më 6 nëntor lidhur me Kadri Hazbiun, që u ka thënë Mehmet Shehu, se Kadri Hazbiun e kam timin, është shumë besnik….
Llambi:- Nuk është ashtu.
Prokurori:- Nuk është e vërtetë?
Llambi:- Nuk është.
Prokurori:- Lidhur me atë….
Llambi:- Nuk më ka thënë ashtu.
Kryetari:- Kush?
Llambi:- Mehmeti. Nuk kam biseduar kurrë me Mehmetin e me asnjë njeri tjetër, kurrë nuk kam biseduar gjë kundër Partisë.
Kryetari:- Tjetër, çfarë kishe ti Llambi Peçini?
Llambi:- Tani kam, po për Kadriun prapë, lidhur me një agjent që kishim ne. Kjo ka ndodhur ose në 1960, ose në 1961, nuk më kujtohet mirë viti. Por duhet të jetë viti 60 ose 61, kur unë u ktheva përsëri në zbulim, pasi isha në Sekretariat. Edhe rezidenti jonë në Itali, përgjegjës i zbulimit tonë në Itali ishte Dhimitër Gjoni. Ai na informoi se kishte mundësi të merrte nëpërmjet agjentit ‘Rampa’, një predhë antitank të quajtur ‘Kobra’, të telekomanduar. Po donte 2000 dollarë për këtë punë, pra, që ta blinte atë. Gjithashtu, pak kohë më vonë, përsëri na informon përgjegjësi i zbulimit Dhimitër Gjoni nga Roma dhe thotë se agjenti ‘Rampa’ ka mundësi të marrë sekretin e bombës atomike. Por ai, për këtë, kërkon 6000 dollarë sepse ka një mik të tijin që e ka në qendrën atomike të Francës. Mund ta marrë këtë, predhën, po do 6000 dollarë, pra, dhe 2000 për ‘Kobrën’, bënin 8000 dollarë. Tani ne e morëm këtë të dhënë, dhe unë bisedoj me Zoin. Më thotë Zoi, studioje dosjen e agjentit ‘Rampa’. Pasi e studioj dosjen e agjentit ‘Rampa’, kërkoj të dhëna nga përgjegjësi i zbulimit në Romë, si e qysh, pra, nga e njeh këtë person. Ai na dërgoi, domethënë, sikur ky agjenti ‘Rampa’, i kishte dhënë numrin e telefonit në Paris të këtij shkencëtarit atomik. I kishte dhënë dhe adresën se ku jetonte. Dy kjo. Dhe e treta, kishte lënë dhe takim për këtë në një datë. Nuk e di, pas një muaj, pas një kohe të caktuar, kishte lënë agjenti takim me këtë shkencëtarin, mikun e tij, domethënë. Në këtë kohë, unë i bëj një kërkesë rezidenturës tonë në Francë dhe i them që të verifikohet kush banon në këtë adresë. Domethënë, atje ku na thoshte ai se banon ky atomisti. Të verifikohet ky numër telefoni, kush është abonus i këtij numri telefoni, dy, dhe na njoftoni sa më parë, i them unë. Na bie përgjigje rezidentura e Parisit që në filan adresë, domethënë ekzakt, se i dhamë numrin ekzakt, banon filani. Domethënë tjetër për tjetër, jo ky që thoshte agjenti ‘Rampa’ dhe numri i telefonit që dhatë, del se nuk ka të abonuar. Francezët kishin një ashtu, metodë, domethënë, që kur një numër nuk kishte të abonuar, kishte një bllok regjistrimi që thoshte:’Ky numër nuk ka të abonuar’. Dhe gjithnjë këtë përsëriste, me qëllim që ai që e kërkonte, të mos priste shumë. Edhe e mbylli. Ky numër nuk kishte të abonuar, domethënë, na gënjeu. Ishte gënjeshtër. I dërguam dhe fotografi të atij agjentit ‘Rampa’ përgjegjësit të rezidenturës sonë në Paris që të takohej në kafe ‘De La Pen’, Kafen e Paqes, në filan orë. Është një kafe e madhe në Paris. Nuk vajti ai. Na përgjigjet, në filan orë, në filan ditë, nuk erdhi filani, pra, nuk erdhi një person i tillë. Ne fotografinë ja dërguam të re, ashtu siç ishte në momentin e atëhershëm ai. Domethënë, tre momente që ishin të dyshimta, që ky na gënjente. Atëherë unë bëra shënim në dosje dhe them se ky agjent është provokator ose kërkon të na zhvasë sa më shumë, prandaj nuk jam dakord që ti jepen 8000 dollarë. Edhe i them Zoi Themelit, i them që ky Dhimitër Gjoni nuk e ka drejt. Atëherë, ishte Drejtor i Zbulimit, zëvendësdrejtor ishte Rasim Dedja. Prandaj, ose të shkoj Rasim Dedja atje, ose të shkojë unë, i thashë, ose më mirë ta thërrasim Dhimitër Gjonin këtu për arsye se atje nuk mund të bisedosh gjatë e gjerë me rezidentin, do ruhesh. Vendosëm ta thërrasim. E thërrasim Dhimitër Gjonin.
Tani, ky ishte problemi më i rëndësishëm për Drejtorinë e Zbulimit.
Zoi Themeli, kur erdhi Dhimitër Gjoni, më tha mua, bisedoje me Dhimitrin… Po, thashë unë, ta bisedosh ti se ti je Drejtori i Zbulimit, unë jam kryetar i degës, thashë. Unë ndiqja rezidenturat jashtë. Jo, jo, tha, se unë kam punë. S’ka punë më të madhe se këtë Drejtoria e Zbulimit, i thash unë. Jo, jo, tha, shko takoje ti, dhe nesër hajde më raporto. Vetëm, kam qëndruar me Dhimitër Gjonin, se e kisha shok, për ti mbushur mendjen që nuk e ka mirë. Edhe më në fund, si kryetar dege, e kisha në linjë atë. U bind Dhimitri, dhe në fund më tha: Po ashtu është, ky është provokator, ky është agjent. Vemi të nesërmen i raportojmë Zoit. Zoit duhet ti raportoja unë. Dhe kur unë po bëhesha gati ti raportoja, ai i tha Dhimitrit: Thuaj si është puna. Dhimitri filloi të flasë. Çfarë do të fliste Dhimitri, foli po ato që na kishte dërguar ne. Hajde shkojmë tek ministri për tek Kadriu, na tha. More po, dale…, të shtu…, thashë. Hajde, hajde, shkojmë, vazhdoi ai. Vajtëm tek Kadri Hazbiu dhe i raportoi Zoi tani Kadriut për atë që na kishte raportuar ne rezidentura e Italisë që përpara. Kadriu merr Mehmet Shehun në Telefon edhe i thotë që kemi një problem. Edhe i kërkoi 8000 dollarë. Se nuk mund të jepte Zoi 8000 dollarë. Edhe Kadriu nuk mund të jepte 8000 dollarë, ndaj e mori në telefon Mehmet Shehun. Mehmet Shehu i tha që hajdeni. Se Mehmet Shehut i tha të vijmë një çikë, pa i folur për këtë apo atë arsye. Unë i thashë Kadri Hazbiut: More ministër, ka disa momente shumë të dyshimta këtu…. Po mirë, tha, sqaroni këto. Thashë unë: Jam i mendimit të mos i jepen këto. Mirëpo, meqenëse priste Mehmet Shehu, ikën e më lanë mua. Unë u ngjita në zyrën time. Kur më vonë më vjen në zyrën Dhimitër Gjoni dhe më thotë se ato u aprovuan, pra 8000 dollarët. I thashë unë, tani po të them si shok, i thashë, se si kryetar dege e bëra punën. Po e bëre këtë, i thashë, do fëlliqesh, do turpërohesh, mos i jep paratë. Mua më vinte inat dhe për 8000 dollarët, se ishte një shumë e madhe, po më vinte më shumë inat që po na e hidhte një maskara, po tallej me autoritetin e zbulimit tonë. Në fakt, kështu doli. Ja dha paratë Dhimitër Gjoni. Ai dërgoi ne filma, të filmuar, sekretin e bombës atomike, në thonjëza të kësaj. Për predhën ‘Kobra’ na dërgoi një revistë të bukur kështu, që e kishte në shtyp. Dhe atë na dërgoi si material për 2000 dollarët. Ne këto filma, nuk kishim mundësi t’i lanim e ti zhvillonim. Edhe u vendos atëherë nga ministri Kadri Hazbiu që të dërgoheshin në Kinë këto. Dhe ju dërguan Kinës. Pas nja 3-4 muaj, kinezët u përgjigjën që ky është një bllof. Është një bllof, po i kushtoi shtetit tonë 8000 dollarë…..
Kryetari:- Mirë. Ti i pandehuri Llambi, rreth kësaj akuzës së tradhtisë ndaj Atdheut, në qoftë se ke ndonjë gjë, ti, se pastaj, lidhur me veprimtarinë tjetër të Ministrisë së Brendshme, kur të vij ajo çështja e sabotimit atje, në qoftë se ke për të thënë, do pyetesh. Me që ne po rrotullohemi rreth kësaj akuze tani, në qoftë se ke ndonjë gjë thuaje. Në mos….
Llambi:- S’kam.
Kryetari:- S’ke më. Keni pyetje ju?
Prokurori:- Shoku kryetar. Meqë këtu po trajtohen dy data, data 3 dhjetor dhe data 20 nëntor, po ndalem veçmas. Në procesverbalin e datës 20 nëntor keni thënë: Unë nga Mehmet Shehu kam mësuar se për të rrëzuar pushtetin do të përdoreshin forcat e Ministrisë së Punëve të Brendshme, të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, të Gardës, policinë… Si është?
Llambi:- E kam thënë, kjo është në diktimin e hetuesisë.
Kryetari:- Domethënë, edhe kjo është e vërtetë?
Llambi:- Nuk është. Unë thash nuk di gjë, asgjë armiqësore….
Prokurori:- Në këtë datë, ka qenë njeri tjetër aty?
Llambi:- Do thoni që keni qenë ju?
Prokurori:- Nuk e di, vetëm hetuesit kanë qenë?
Llambi:- Ju e keni bërë gabim atë, nuk është më datën 20 që keni ardhur. Ju keni ardhur më datë 19.
Prokurori:- Më datë 19, ti nuk je pyetur fare. Më datë 20, ja procesverbali i datës 20 nëntor.
Llambi:- Procesverbali bëhej të nesërmen. Bile, ja kam bërë këtë vërejtje hetuesit që e ke vënë kot datën 20, se prokurori ishte më datë 19….
Prokurori:- Po mirë, ç’bëri 19, ç’bëri 20, janë thënë këto.
Llambi:- I kam thënë, se kam qenë.
Prokurori:- Unë edhe në hetuesi, ishin dy hetues, ishe edhe ti…
Llambi:- Erdhët bashkë me ministrin e Brendshëm.
Prokurori:- I the këto ti.
Llambi:- I thashë.
Prokurori:- Po si i the atëherë?
Llambi:- I thashë nën ndikimin e ……
Prokurori:- Po mirë, ai diktimi që thua ti, është më datën 1 tetor deri 19 nëntor, i thonë një muaj e dy javë…. Edhe një pyetje tjetër, lidhur me këtë procesverbal. Në vazhdim të këtij procesverbali ke thënë edhe lidhur me kontigjentet….
Llambi:- Politikën e goditjes dhe kontigjentet…..
Prokurori:- Me politikën e goditjes, duke i dhënë përparësi arrestimeve, edhe problemin e kontigjenteve, e trajton atë. Është e vërtetë?
Llambi:- E kam këtë të kontigjenteve.
Prokurori:- Është e vërtetë?
Llambi:- Unë nuk po mohoj që kam thënë.
Prokurori:- Unë po të pyes. Këtë pjesë të procesverbalit, the që nuk është e vërtetë. Po kjo tjetra?
Llambi:- Kjo është e vërtetë.
Prokurori:- Është e vërtetë. Na e shpjego!
Llambi:- Ua shpjegoj unë. Unë e kisha këtë… Kryetari i gjykatës tha a ke më për të parën….
Kryetari:- Të thashë që kemi akuzën e sabotimit, atje… Na i thuaj, që janë ndarë në kapituj këto. Tani, për sa i përket kësaj, ti për atë procesverbal, për sa i përket kontigjenteve, thua është e vërtetë. Përsa i përket asaj çështjes tjetër, thua, nuk është e vërtetë….
Llambi:- Politika e goditjes është e vërtetë. Për sa i përket çështjes tjetër, nuk është e vërtetë.
Prokurori:- Tani unë të bëj një pyetje: Gjysma e procesverbalit qenka e vërtetë, gjysma nuk qenka?
Llambi:- Unë kur flas, flas për ato që kam unë. Unë thash se në çfarë konditash e kam firmosur….
Prokurori:- Edhe një pyetje tjetër që lidhet me këtë të komplotit. Më datë 3 dhjetor, ti i pandehur ke thënë, është lidhur me dërgimin në Bashkimin Sovjetik KGB-së të Platformës dhe të disa akteve normative?
Llambi:- Po nuk deshi kryetari i gjykatës ta…..
Kryetari:- Ta shtjellojmë në atë të sabotimit se e kemi atje, lidhur dhe me dëshmitarët….
Llambi:- Kjo është e lidhur me të parën.
Kryetari:- Mirë. Fol, fol, nuk ka ndonjë gjë.
Llambi:- Po e them këtë tani se kam ca vërejtje për aktakuzën. Në faqen 8-të të aktakuzës…
Prokurori:- Përgjigju për këtë pyetje: Është e vërtetë kjo që ke shpjeguar më 3 dhjetor?
Llambi:- Çfarë?
Prokurori:- Që i keni dërguar komitetit të Sigurimit Platformën, aktet sekrete, me karakter tepër sekret?
Llambi:- Është e vërtetë. (Vijon nesër)
Përgatiti për botim: Kujtim Boriçi
SOM 1
“Rezidenti jonë në Itali, Dhimitër Gjoni, na informoi se kishte mundësi të merrte nëpërmjet agjentit ‘Rampa’, një predhë antitank të quajtur ‘Kobra’, të telekomanduar. Po donte 2000 dollarë. Po ky agjent, na tha ai, ka mundësi të marrë sekretin e bombës atomike. Por kërkohen 6000 dollarë për ‘mikun’ në qendrën atomike të Francës. Pasi bëmë verifikimet, shkuam në Francë, u vendos financimi. Mehmet Shehu firmosi faturën 8000 dollarë për këto dy shërbime të rëndësishme në interes të Sigurimit të Shtetit”
SOM 2
“Pas disa kohësh, nga Franca agjenti ‘Rampa’ na dërgoi në filma, pra të filmuar, sekretin e bombës atomike. Për predhën ‘Kobra’ na dërgoi një revistë të bukur që e kishte në shtyp. U vendos atëherë nga ministri Kadri Hazbiu që të dërgoheshin filmimet në Kinë për zbardhje dhe deshifrim. Dhe ju dërguan Kinës. Pas nja 3 apo 4 muaj, kinezët u përgjigjën që ky është një bllof. Është një bllof, po i kushtoi shtetit tonë 8000 dollarë”
SOM 3
“Unë nga Mehmet Shehu kam mësuar se për të rrëzuar pushtetin do të përdoreshin forcat e Ministrisë së Punëve të Brendshme, të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, të Gardës, policinë… Kaq kam thënë dhe jo hollësi të tjera. Se nuk di më gjatë. Këtë deponim që bëj sot, unë si Llambi, e kam dhënë edhe në hetuesi. Me sa di dhe me sa mbaj mend, kjo është shënuar dhe në procesverbalin përkatës”
NESËR DO TË LEXONI:
-Deponimet e Llambi Peçinit: Si i dhamë KGB-së Ruse me urdhër të Kadri Hazbiut Platformën e Sigurimit të Shtetit, dosjen e agjentëve në Shqipëri dhe në shtete të ndryshme të botës.
-Llambi Peçini mohon akuzat për implikimin e tij në grupin e Teme Sejkos. Debatet e tij në seancën e 8-të të gjyqit me Aranit Çelën, kryesuesin e trupit gjykues.
-Si punonte grupi i Teme Sejkos për interes të zbulimit sovjetik.