Mehmet Shehu jugosllavëve: Do të mbrojmë kosovarët, se na ka lindur një nënë!

anazapta

Marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë(28)

Arkivat sekrete ruse

 

Shqipëria dhe Kosova në arkivat sekrete ruse 1946-1961. Vazhdimi i informacionit të 31 korrikut 1961 të Ambasadës ruse në Tiranë drejtuar Kremlinit mbi marrëdhëniet e Shqipërisë me Jugosllavinë dhe Greqinë. Kushti jugosllav për marrëdhëniet me Shqipërinë: Marrëdhëniet tona me Tiranën do të varen nga qëndrimi i Bashkimit Sovjetik ndaj Shqipërisë! Pakënaqësia e Titos rreth deklaratës së Mehmet Shehut ‘Ne do mbrojmë interesat e kosovarëve’

 

Arkivat: Acarimi i marrëdhënieve të Enver Hoxhës me Hrushovin, ka hedhur në sulm Titon dhe diplomatët e tij në Tiranë dhe në vendet e tjera të kampit socialist. Jugosllavët garantojnë udhëheqjen ruse se politika e Jugosllavisë me Shqipërinë do të përcaktohet nga mënyre e marrëdhënieve të Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik.

(Vijon nga numri i kaluar)

 

Në vazhdim të informacionit të ambasadës së BRSS në RPSH për Kremlinin mbi marrëdhëniet e Shqipërisë me Jugosllavinë dhe Greqinë(data 31 korrik 1961), sipas arkivave ruse(material i përfshirë dhe në studimin e autorëve Hamit Kaba e Ethem Çeku) njoftohet Hrushovi për detaje të reja të përplasjeve të ndërsjellta (Shqipëria me fqinjët dhe Bashkimi n Sovjetik) dhe fajësohet udhëheqja jonë për qëndrime nacionaliste, veçanërisht për akuzat e udhëheqësve shqiptar ndaj Titos për diskriminim e shtypje të të drejtave e lirive të shqiptarëve në Kosovë e Metohi…

 

(Informacion i ambasadës së BRSS në RPSH mbi marrëdhëniet e Shqipërisë me Jugosllavinë dhe Greqinë. Pjesa e dytë)

(Jo më vonë se 31 korriku i vitit 1961)

Cilat janë perspektivat e zhvillimit të marrëdhënieve shqiptaro – jugosllave? Në situatën e krijuar në marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave, udhëheqja e RPFJ për mendimin tonë, ka zënë një pozicion pritës, bile edhe më shumë. Në qoftë se, deri në fillim të procesit gjyqësor, diplomatët jugosllavë thoshin se, qeveria jugosllave si kundërpërgjigje ndaj procesit gjyqësor, që përfundoi në maj të këtij viti në Tiranë, gjoja, kishte ndërmend të ndalonte fluturimet e avionëve që fluturonin dhe ktheheshin nga Shqipëria përmes territorit të vet, të ndërpriste lidhjet telefonike, të mbyllte kufirin me Shqipërinë dhe pastaj të ndërpriste marrëdhëniet diplomatike. Pas procesit gjyqësor, ata filluan të shprehin hipoteza të tjera, mbi perspektivat e zhvillimit të marrëdhënieve të Jugosllavisë me Shqipërinë. Kështu, i ngarkuari i përkohshëm me punë i RPFJ, Zduiç, gjatë bisedës me diplomatin polak deklaroi se, qeveria e tyre në të ardhmen do t’i ndërtojë marrëdhëniet e veta me Shqipërinë, në vartësi të faktit se si do të zhvillohen marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik. Por nuk e zbuloi thelbin e kësaj deklarate. Në bisedime me diplomatë të tjerë, punonjësit e misionit jugosllav në Tiranë e shpjegojnë në këtë mënyrë ndryshimin e politikës së vet ndaj Shqipërisë. Qeveria jugosllave, me të vërtetë mendonte t’i shkëpuste marrëdhëniet diplomatike me Shqipërinë, por, ecuria e procesit tregoi se “ai kishte karakter teatral”, se nuk u ngrit ndonjë akuzë konkrete kundër udhëheqësve të Jugosllavisë…

Së dyti, gjoja disa vende socialiste u kanë rekomanduar jugosllavëve, që të mos i shkëpusnin marrëdhëniet diplomatike me RPSH, sepse kjo mund të shfrytëzohet nga forcat armiqësore të vendeve perëndimore. Në këtë mënyrë, kohët e fundit lidhur me Shqipërinë, tek jugosllavët vihet re një farë evolucioni, megjithëse ai nuk është konturuar qartë. Nuk përjashtohet, që kjo ndodh nën presionin e dikujt nga jashtë. Ambasada e ndjek me vëmendje zhvillimin e marrëdhënieve shqiptaro- jugosllave.

Nuk është pa interes, të theksojmë se, anëtarë të korpusit diplomatik në Tiranë, po zhvillojnë bisedime për faktin se Jugosllavia dhe Greqia, do të ngrenë në OKB, çështjen e vënies para përgjegjësisë të Shqipërisë, për veprimet e saj provokative në Ballkan.

Siç del nga sa u shtjellua më sipër, udhëheqësit shqiptarë qëndrojnë në pozita nacionaliste ndaj Jugosllavisë, dhe me çdo mënyrë nxitin armiqësinë ndaj jugosllavëve tek populli i thjeshtë. Ata, lënë në harresë çështjet e edukimit të popullit të vet me frymën internacionaliste dhe me miqësinë me të gjithë popujt e tjerë. Duke trumbetuar luftën kundër revizionizmit jugosllav, intrigave dhe komploteve të “bandës së Titos”, ato faktikisht, e ndërsejnë popullin shqiptar kundër popullit jugosllav, duke e quajtur Jugosllavinë si armikun e vet…

Por në kohën e sotme shumica dërrmuese e diplomatëve, bashkohen në gjykimet e tyre, në faktin se, shkaku kryesor i një politike të tillë të palogjikshme të udhëheqësve të Shqipërisë, qëndron në kufizimin e tyre tepër kombëtar, në sedrën e sëmurë, deri në armiqësinë e tyre ndaj Titos dhe udhëheqësve të tjerë jugosllavë, si dhe në përpjekje për të tërhequr vëmendjen e popullit nga vështirësitë e brendshme ekonomike, për të mbajtur sido që të jetë pushtetin në vend dhe për të krijuar në Lëvizjen Komuniste Ndërkombëtare një investim politik. Neve, na duket se një pohim i tillë i përgjigjet të vërtetës, për shkak se në realitet, armiqësia personale e Enver Hoxhës dhe e Mehmet Shehut ndaj Titos dhe udhëheqësve të tjerë jugosllavë, përshkon të gjitha fjalimet e tyre. Ata, në asnjë mënyrë nuk mund t’i falin jugosllavët për pohimet e tyre se, komunistët jugosllavë u kanë dhënë ndihmë shqiptarëve në krijimin e Partisë Komuniste.

Duke dashur të justifikojnë politikën e tyre armiqësore në lidhje me Jugosllavinë, udhëheqja shqiptare vazhdimisht ngre akuza në adresë të udhëheqësve të Jugosllavisë, se ajo i terrorizon shqiptarët që jetojnë në Kosovë e Metohi. Duke folur në aktivin ekonomik të partisë të rajonit të Tropojës, në tetor të vitit 1958, Mehmet Shehu deklaroi: “Në qoftë se ne nuk do ta ngrinim zërin në mbrojtje të vëllezërve tanë shqiptarë që jetojnë në Kosovë e Metohi, në Mal të Zi dhe në Maqedoni, ne do të tradhtonim popullin dhe atdheun tonë, do të tradhtonim marksizëm-leninizmin”. “Ne nuk jemi shovinistë, ne nuk kërkojmë sot bashkimin e Kosovë-Metohisë me Shqipërinë, tha Mehmet Shehu, por nëna që na ka lindur neve, ka lindur edhe shqiptarët e Kosovë – Metohisë, të Malit të Zi dhe Maqedonisë, dhe ne jemi marksistë. Ne ngremë zërin tonë të lartë kundër veprimtarisë së egër, skllavëruese, si edhe të përgjakshme të regjimit të Titos ndaj vëllezërve tanë, dhe ne do ta bëjmë këtë deri sa vëllezërit tanë në Jugosllavi, nuk do të gëzojnë qoftë edhe të drejtat më elementare të pakicës kombëtare, në shtetin borgjez. Ne kërkojmë dhe do të kërkojmë, që qeveria e Jugosllavisë t’ju japë shqiptarëve të Kosovë – Metohisë, të Malit të Zi dhe Maqedonisë, të gjitha të drejtat si pakicë kombëtare…

Në Librin e Bardhë, të botuar këtë vit nga Sekretariati i Shtetit i RPFJ, tensioni midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë shpjegohet me faktin se udhëheqësit shqiptarë zhvillojnë kundër Jugosllavisë dhe udhëheqësve të saj propagandë armiqësore, ndërhyjnë në punët e brendshme të RPFJ, organizojnë akte të ndryshme diversioniste dhe veprimtari minuese, kundër pavarësisë kombëtare dhe sovranitetit të Jugosllavisë, si dhe nga fakti se autoritetet shqiptare krijojnë pengesa të ndryshme për veprimtarinë e misionit jugosllav në Tiranë dhe persekutojnë jugosllavët që mbajnë në Shqipëri.

Si dëshmi e faktit që udhëheqja shqiptare zhvillon një propagandë të gjerë armiqësore kundër Jugosllavisë dhe udhëheqësve të saj, në Librin e Bardhë jepen të dhënat e mëposhtme: Nga 18 prilli deri më 31 dhjetor 1958, në shtypin shqiptar janë botuar 527 artikuj kundër Jugosllavisë dhe janë transmetuar në Radio Tiranën 423 informacione dhe komente armiqësore. Në vitet 1959 dhe 1960, në fjalimet e tyre me pretekste dhe pa pretekste nga më të ndryshmet, udhëheqësit shqiptarë kanë bërë 145 herë akuza kundër Jugosllavisë dhe udhëheqësve të saj.

Në Librin e Bardhë theksohet gjithashtu, se qeveria shqiptare shfaq pretendime territoriale ndaj RPFJ, në veçanti për disa territore fqinje, ku banon një numër i madh personash me origjinë shqiptare.

Pak më ndryshe janë zhvilluar marrëdhëniet e Shqipërisë me Greqinë. Qarqet drejtuese greke nuk duan ta njohin pushtetin popullor në Shqipëri, dhe më se një herë kanë deklaruar se Greqia ndodhet në “gjendje lufte” me Shqipërinë.

Mollë sherri midis Shqipërisë dhe Greqisë është kryesisht Epiri i Veriut. Qarqet drejtuese greke gjatë gjithë kohës, deklarojnë pretendimet e veta për Shqipërinë e Jugut. Qarqet e formuara progresiste të opinionit publik grek nuk i mbështesin këto pretendime territoriale… Por, kohët e fundit nga ana e shqiptarëve u ndërprenë të gjitha përpjekjet për përmirësimin e marrëdhënieve me Greqinë. Ata, bile nuk mbështeten në ndihmën e vendeve socialiste, në çështjen e vendosjes së marrëdhënieve normale me Greqinë. Përkundrazi, në shtypin shqiptar dhe në fjalimet e udhëheqësve të Shqipërisë, filluan të shfaqen sulme të ashpra, jo vetëm kundër qarqeve drejtuese greke, por edhe kundër personaliteteve të opozitës së Greqisë, duke përfshirë edhe Venizellosin.

Bile, udhëheqja shqiptare nuk po ecën as në drejtim të zgjerimit të lidhjeve me organizatat shoqërore. Në këtë plan, tregues, është fjalimi i anëtarit të Byrosë Politike të KQ të PPSH, ministrit të Mbrojtjes Beqir Balluku, i mbajtur në Konispol më 23 gusht të vitit 1960, i cili deklaroi sa më poshtë: “Qeveria jonë ka ndërmarrë gjithçka për të pasur marrëdhënie të fqinjësisë së mirë me vendet fqinjë. Dhe, në qoftë se deri më sot ne nuk kemi marrëdhënie të fqinjësisë së mirë me Greqinë, kjo është vetëm për faj të qeverisë greke. Thirrjes së qeverisë tonë, për të vendosur marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, qeveria e Greqisë iu përgjigj me akte armiqësore, duke ecur në rrugën e diversionit dhe shantazhit, duke e rritur kohë më parë fushatën demaskuese kundër RP të Shqipërisë”. Duke ia hedhur të gjithë fajin qeverisë greke, për tensionin e marrëdhënieve shqiptaro-greke, Beqir Balluku u kap pas Venizellosit. “Kohët e fundit, deklaroi Beqir Balluku, Sofokli Venizellos filloi të proklamonte parullën e njohur reaksionare të shovinistëve grekë “mbi autonominë e Vorio Epirit”. “Kjo parullë, bërtiste Beqir Balluku, ishte nxjerrë nga arsenali reaksionar i babait të tij, Elefter Venizellosit, i cili në vitin 1914, nxiti bandat e Zografosit, për të realizuar këtë dëshirë të etur të shovinistëve grekë”.

Në numrin e korrikut, të revistës “Rruga e Partisë”, drejtori i Radio-Tiranës Thanas Nano, në artikullin “Republika Popullore e Shqipërisë është faktor paqeje në Ballkan” bëri gjithashtu akuza kundër Venizellosit. Duke folur për pretendimet territoriale të reaksionit grek për Shqipërinë e Jugut, Thanas Nano shkruante: “Ka edhe qarqe të ashtuquajtura “liberale”, të cilat përfaqësohen nga aventurierë politikë, si për shembull, Venizellosi, të cilët, mundohen të realizojnë ëndrrën e vet, në se jo nëpërmjet aneksimit, të paktën nëpërmjet autonomisë, gjë që në fund të fundit, është ana e kundërt e medaljes”.

Marrëdhëniet e Shqipërisë me Greqinë edhe sot kanë mbetur të tensionuara. Siç u theksua më lart, marrëdhëniet diplomatike midis këtyre vendeve deri tani nuk janë vendosur dhe në linjë shtetërore, nuk ka asnjë lidhje. Në fillim të vitit të kaluar shqiptarët përpunuan propozime, për rregullimin e çështjeve kufitare dhe parashikohej të nënshkruhej marrëveshja për vendosjen e shenjave kufitare. Ndërkaq, duke shfrytëzuar incidentin kufitar që ndodhi në muajin prill të vitit 1960, qeveria shqiptare refuzoi të zhvillonte bisedime për këtë çështje. Kështu, çështjet e diskutimeve kufitare, që ekzistonin midis dy vendeve edhe sot nuk janë zgjidhur, çka mund të çojë në incidente të reja në kufirin shqiptaro-grek…

Shqiptarët bënë përpjekje për të vendosur kontakte tregtare me firmat private të Greqisë. Kështu, vitin e kaluar, ata vendosën kontakte me dy firma greke (“Olimpia” dhe “Transten”). Në përputhje me këto kontakte, Shqipëria duhet të eksportojë në Greqi mineral kromi, bitum, djathë, fasule dhe mallra të tjera, ndërsa do të importojë nga Greqia vaj ulliri, oriz, stafidhe, letër, trikotazhe dhe mallra të tjera. Shkëmbimi i përgjithshëm i mallrave parashikohet në shumën 5 milion dollarë. Por, në sajë të faktit që, firmat greke nuk kanë marrë miratimin e qeverisë greke për kontaktet e përmendura më sipër, shkëmbimi i mallrave nuk u bë dhe meqenëse nga ana e organizmave shqiptare, nuk është shprehur këmbëngulja e duhur për këto çështje, lidhjet tregtare midis dy vendeve u kufizuan…

Shumë gazeta të mëdha greke dhe personalitete të shquara politike janë për likuidimin e të ashtuquajturës “gjendje lufte” midis Greqisë dhe Shqipërisë dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis tyre. Kështu për shembull, ish ministri Mellasi qeverisë greke mendon se, Greqia duke u nisur nga situata reale, duhet t’i japë fund “gjendjes së luftës” me Shqipërinë, sepse vetëm njerëzit joseriozë, mund të shtrojnë tani pretendime për “Epirin e Veriut”. Tanimë edhe persona zyrtarë të Greqisë, detyrohen të deklarojnë se ata, nuk kanë pretendime territoriale për “Epirin e Veriut”. Kështu për shembull, ambasadori grek në Beograd, Nikolarenzis, gjatë bisedës me ambasadorin sovjetik tha, se grekët nuk kanë asnjë qëllim agresiv ndaj Shqipërisë dhe se qëndrimi i tyre për çështjen e Epirit të Veriut, nuk kuptohet drejt nga udhëheqësit shqiptar. Greqia nuk ka pretendime territoriale për “Epirin e Veriut”, ajo dëshiron vetëm të vendosë të drejtat e pakicës nacionale greke, të cilat ata i gëzonin deri në Luftën e Dytë Botërore.

Prandaj një politikë e tillë e paarsyeshme, dhe jo e mençur e udhëheqësve shqiptarë i jep pretekst shtypit reaksionar grek, që të përhapë fjalë se, Shqipëria kohët e fundit ka ndryshuar qëndrimin e vet lidhur me propozimin e njohur të qeverisë rumune, për thirrjen e një mbledhjeje të vendeve ballkanike, për zgjidhjen e çështjeve të diskutueshme…

Vlen të vihet në dukje, se me qëndrimin ndaj Venizellosit dhe personaliteteve të tjera, të shquara shoqërore e politike të Greqisë, udhëheqja shqiptare zuri një pozitë kaq armiqësore, sa filloi t’i akuzonte ata, gjoja sikur janë për aneksimin e Shqipërisë së Jugut nga Greqia. Bile, ata flasin hapur, se gjatë qëndrimit të Venizellosit në Moskë, jo vetëm nuk u dha përgjigjja e duhur për këto kërkesa, por mbajtën qëndrimin plot simpati ndaj tyre. Duke përhapur fjalë të tilla provokuese në popull, udhëheqja shqiptare ndoqi edhe synimin e diskreditimit të udhëheqësve tanë. Prandaj, jo rastësisht, artikulli redaksional i “Pravdës”, “Greqia në darët e NATOS”, në të cilin përcaktohet pozicioni i qeverisë sovjetike ndaj pretendimeve të qarqeve drejtuese të Greqisë, lidhur me të ashtuquajturin Epiri i Veriut, në shtypin shqiptar u botua në një formë të varfër dhe duke ia fshehur thelbin e tij popullit shqiptar.

Në veçanti, ishin hequr nga artikulli ato pjesë, ku viheshin në lojë gjithfarë trillimesh dhe versionesh të qarqeve zyrtare greke, se Greqia ndodhet në “gjendje lufte” me Shqipërinë, duke deklaruar se “qarqet shoviniste reaksionare të Greqisë, nuk duan të ndahen nga pretendimet absurde ndaj rajoneve jugore të Shqipërisë, të quajtura “Vorio Epir”. Këto pretendime shpesh i mbështesin hapur përfaqësuesit e qarqeve zyrtare greke. Siç duket, dikush në Athinë nuk dëshiron të kuptojë, se RP e Shqipërisë është anëtare e familjes së madhe të shteteve socialiste, kurse sovraniteti dhe tërësia e saj territoriale garantohet nga Traktati i Varshavës”. Bile, është hequr fraza ku flitet për deklaratën e liderit të Partisë Opozitare të Liberalëve, Venizellosit, në gazetën “Neologos Patron” se politika e qeverisë së tanishme e ka futur Greqinë në qorrsokak.

Kështu, nga analiza e marrëdhënieve të Shqipërisë me Jugosllavinë e Greqinë, duket se qeveria shqiptare me politikën e saj të jashtme, nuk bën asnjë përpjekje për përmirësimin e marrëdhënieve të Shqipërisë me vendet fqinje, dhe në këtë mënyrë, nuk ndihmon për forcimin e paqes në Ballkan. Dhe përderisa, siç kanë thënë më se një herë jugosllavët, tani për tani nuk do të arrihet besimi reciprok midis vendeve të këtij rajoni, nuk mund të bëhet fjalë për bashkëpunim të ngushtë dhe miqësi midis vendeve ballkanike. Udhëheqësit e Greqisë dhe Jugosllavisë deklarojnë hapur, se Shqipëria është një “sherrxhi” i vogël në Ballkan dhe vatër e “Luftës së Ftohtë” në këtë rajon. Sipas deklarimit të tyre, me atë (Shqipërinë) nuk është e mundur që të arrihet asnjë marrëveshje nëpërmjet bisedimeve…

Kështu, për shembull, shqiptarët, faktikisht nuk e kanë mbështetur propozimin e qeverisë rumune, për mbajtjen e mbledhjes të kryetarëve të qeverive të vendeve ballkanike, për zgjidhjen e çështjeve të diskutueshme dhe, në një formë më të theksuar dhe brutale ishte dalja kundër idesë të çarmatimit lokal, të propozuar nga shoku T. Zhivkov. Siç dihet, propozimi i Republikës Popullore Rumune u përfshi në rendin e ditës, të Sesionit XV të Asamblesë së Përgjithshme të OKB, diskutimi i të cilit mori me të vërtetë një rëndësi botërore. Një qëndrim i tillë i qeverisë shqiptare ndaj problemit të bashkëpunimit të vendeve ballkanike dhe kthimit të Ballkanit në zonë paqeje dhe miqësie, sjell dyshimin e opinionit shoqëror të vendeve ballkanike…

Gjatë kohës së qëndrimit në BRSS, Mërkuris deklaroi gjithashtu, se pozicioni i shqiptarëve në lidhje me mbledhjen e Athinës nuk është konstruktiv. Më tej, ai vuri në dukje, se në shtator të këtij viti, do të bëhet mbledhja e dytë e përfaqësuesve të komiteteve të përmendura në Sofje, në të cilën do të asistojë edhe delegati nga Shqipëria. Megjithatë, grindjet ideologjike dhe diskutimet për aspekte të ndryshme të bashkëpunimit ballkanik, janë plotësisht të lejueshme në mbledhje të ngjashme. Ndërkaq, nënvizoi ai, qëndrimi provokues i shqiptarëve dhe gjuha e tyre fyese, mund të na detyrojë të largohemi nga kjo mbledhje. Ne, nuk mundemi të durojmë, vuri në dukje Mërkuris, që të na quajnë “kafshë të egra të Ballkanit”, “fashistë” dhe epitete të tjera, për të cilët, siç duket, shqiptarët nuk kursehen.

Në këtë mënyrë, udhëheqësit shqiptarë, me politikë bërjen e tyre jo largpamëse dhe aspak të mençur, lidhur me vendet fqinjë (Jugosllavinë dhe Greqinë), nuk mbajnë parasysh jo vetëm interesat e Kampit Socialist në tërësi, por as interesat e vetë popullit shqiptar.

Duke nxitur histerinë ushtarake, ata në fakt po dalin kundër parimit të bashkekzistencës paqësore.

Kjo politikë në marrëdhënie me Jugosllavinë i ka çuar ata faktikisht, në ndërprerjen e çdo lidhjeje politike e kulturore ndërmjet të dy vendeve, kurse marrëdhëniet diplomatike ushtrohen nga misione, që kanë në përbërjen e tyre një deri në dy diplomatë, në nivelin e sekretarit të dytë. Për sa u përket marrëdhënieve shqiptaro-greke, ato janë nxehur në një limit të tillë, që në kohën e tanishme nuk mund të bëhet fjalë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet këtyre dy vendeve.

Mungesa e dëshirës të udhëheqësve shqiptarë për të përmirësuar marrëdhëniet e veta me vendet fqinjë (Jugosllavinë e Greqinë) e acaron situatën në Ballkan dhe u jep pretekst vendeve perëndimore, që të akuzojnë për këtë, të gjithë vendet socialiste.

Duke marrë parasysh pozicionin e udhëheqjes shqiptare, lidhur me vendet fqinje dhe bashkëpunimit ndërballkanik, ne, si më parë mendojmë, se në kushtet aktuale, kur nuk është e mundshme të organizohet bashkëpunimi midis drejtorive shtetërore të vendeve ballkanike, duhet zgjeruar me të gjitha mënyrat bashkëpunimi në linjën e organizatave shoqërore dhe me personalitete të shquara të shkencës dhe kulturës së këtyre vendeve. Në veçanti, do të ishte e dëshirueshme, që të ftoheshin përfaqësuesit e komitetit shqiptar në Sofje ose në Bukuresht, për të shkëmbyer në mënyrë të sinqertë mendime mbi masat e mëtejshme të përbashkëta për bashkëpunimin ndërballkanik. Do të ishte gjithashtu e dobishme, nëse kryetari i Komitetit Grek për Bashkëpunimin Ballkanik, Mërkuris, do të vizitonte Shqipërinë dhe do të zhvillonte një bisedë të sinqertë me shqiptarët mbi domosdoshmërinë e gjetjes së gjuhës së përbashkët në luftën për paqe në Ballkan. Në veçanti, në bisedat, si në Sofje, ashtu dhe në Tiranë, do të duhej që të ndikoheshin shqiptarët, që ata të marrin pjesë në zhvillimin e konferencës së mjekëve, në festivalin e muzikologëve dhe në panairin e krijimtarisë popullore të vendeve ballkanike, gjë që do të ndihmonte në të kuptuarit dhe të afruarit reciprok të gjithë popujve të Ballkanit.

F. Bespallov, Sekretar i Parë i ambasadës së BRSS në RP të Shqipërisë.

(Burimi:KPSS, RGANI, F. 5, Op.49, D. 409, L. 55-72. Nr. 83. Origjinal).

 

(Vijon nesër)

 

NESËR DO TË LEXONI:

-Udhëzimin ‘Tepër sekret’ të Hrushovit për ambasadorin sovjetik në Tiranë(P 350/13 datë 11 nëntor 1961) lidhur me Promemorien e 16 shtatorit 1961 të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë

-Shënimin e zëvendësministrit të Punëve të Jashtme të BRSS, V.V. Kuznjecov për KQ të PKBS lidhur me protestën e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë.

-Bisedën e 17 shkurtit 1962 të diplomatit sovjetik P. S. Dedushkin me të ngarkuarin e Jugosllavisë V. Milatinoviç mbi marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave, shqiptaro-greke dhe sovjeto-jugosllave

Share This Article
7 Comments
  • Mehmet Shehu , pavaresisht cfare thuhet per te nga KLASAT e PERMBYSURA dhe nga KUISLINGET ,ishte atdhetar dhe PATRIOT si AI .
    Pikerisht per shkak te ketyre cilesive ,se donte te MERRTE KOSOVEN dhe ta bashkonte me shteti ame ,sepse ne ate kohe e pa udheheqja politike e kohes e ne kishim mundesi dhe ishim te afte qe pas vdekjes se TITOS ,kur JUGOSLLAVIA po behej lesh e li ,ne mund ta merrnim KOSOVEN .
    Mu per kete eshte vrare MEHMET SHEHU nga kombinacionet e veprimeve inteligjente te kohes .

  • shume vertet ,MEMET SHEHU trim ,luftetar,mbrojtes i flakte i interesave mbarekombetare SHQIPTARE, por intrigat qe kryenin disa antare te byrose politike te PPSH qe ishin afer ENVERIT,me makinacionet e ndonje sherbimi sekret te huaj,ja dolen mbane ta izolojne dhe ta eliminojne kete BURRE TRIM qe kontriboje shume per mbrojtjen dhe zhvillimin e SHQIPERISE.

  • absurd mehmet shehu patriot dhe burre shteti ai vrau dhe masakroje sa deshi pa gjyq kriminel i lindur si te gjithe komunistet

  • Po mire more “TATA” , si thua ti .
    Cfare te bente MEHMET SHEHU ,me ata gjakpiresit e XHAFER DEVES dhe REXHEP MITROVICES qe vrane ne 4 shkurt nja 80-90 njerez te pafajshem .
    Po cfare ti bente MEHMET SHEHU ISUF RECIT qe vrau LUIGJ GURAKUQIN ,se ZOGU e vrau vete ne 1927 ne PRAGE te kunatin ,CENO BEJ KRYEZIUN ,e dergoi ne PRAGE ambasador ne mengjes dhe e vrau po ate dite ,dhe ke ,CENON qe e kishte prure ne fuqi ne 1924 zogun ,BASHKE ME SERBE e KOSOVARE te shitur ,me pasardhesit e divizionit ” SKENDERBEG”, te mos e vriste .
    Po cfare tu bente MEHMET SHEHU krereve te BALLIT KOMBETAR qe ishin parajoja e NAZISTEVE si ne operacionet ndeshkimore ,por dhe ne ate te dimrit DHE TE QERSHORIT .
    Cfare tu bente MEHMET SHEHU KUISLINGEVE qe iken bashke me GJERMANIN ,reaksionit .
    Pse iken KUISLINGET bashke me GJermanin ?
    Pse NUK ndenjen ne vend ?
    Pa dyshim qe i kishin lyer duart me gjak ,prandaj dhe iken dhe ketu ku erdhen ,villnin gjak .
    Dhe AMERIKA dhe ANGLIA per ta provuar se sa burra te mire ishin ,,keta te ARRATISUR politike i dergonte DIVERSANTE ,per te permbysur pushtetin popullor ne SHqiperi dhe ne anen tjeter U.S.A dhe AMERIKA e lajmeronin regjimin e TIRANES qe po u dergojme diversante dhe MEHMET SHEHU dhe KADRI HAZBIU qe ishin ne roje te GARDHIT te SHTEPISE QE QUHET sHQIPERI i vrisnin SHTU SIC DO TI KISHJE VRARE ti ” TATA ”
    ,po te idhje burre ata qe do te te shkelnin PRAGUN .
    Ah ,ti shfryn se ai MEHMETI mund te te kete vrare ty ndonje XHAXHA ,apo DAJO apo gjysh .
    Per kete merzitesh ti ,po mire ua ka bere qe u ka ngordhur morrat atyre MUTERVE se ai stan ate BULMET ka .
    Tradhetari ,dhe spiuni nuk i hyn asnj njeriu ne pune dhe per kete MEHMET SHEHU ,duhet falenderuar se na e pastroi SHQIPERINE ,SIDO QE LA DHE SHUME ,pa vrare ,ata qe kane pjelle ty dhe rracen tende .
    IM ate nuk shkonte mire me MEHMET SHEHUN si ne kohen e ZOGUT edhe mbas luftes ,dhe im ate ja ka dhene pergjigjen kur ka qene puna ,burrerisht ,,atij MENMETIT dhe ai e ka vleresuar .
    Une e vleresoj MEHMET SHEHUN si shumica e popullit ,ishte TRIM ,BURRE BESNIK ,I ASHPER ,por i DREJTE .
    Vetem ai burre mund ta hidhte popullin Shqiptar ne lufte per te marre pjesen tone qe na e ka mohuar me shekuj GJARPERI qe quhet SERBI .

  • ju pershendes juve te nderuar komentator! mendoj qe jemi ne nji situat tejete te veshtire, ku mud ta quaj krize politike nder shqiptare. sot kemi rastin qe te ribashkohemi qdo kush qe ja don te miren shqiptarise, ta japim kontributun tone ne interes te kombit dhe shqiperise. mendoj qe te metat dhe te mirat te mbesin shembuj nga e kaluara dhe ti bashkojme te mirat dhe ti braktisim te keqijat, ta ribashkojme shqiperine. mendoj qe sot eshte koha per veprim. mendoj qe shqiperija ka nevoje per qdo njerin nga ne. mendoj qe sot eshte koha per ribashkim. mendoj qe mos te mirremi shum me te keqijat… por te mirremi me rezulltatet e mira qe treguan baballaret e stergjyshet tane. per ta perfunduar, te bashkohemi te gjith dhe ta ribashkojme shqiperine. kosova ishte, eshte dhe do jete shshqiperi, por i duhet ndihma e qdo njerit nga ne.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *