Letër e nënshkruar
Luftar Kuka
Dita, bëtë shumë mirë që botuat në gazetë vetëvrasjen e M. Shehut. Shumë njerëz ishin në dilemë për këtë ngjarje, e vrau ky, e vrau ai. Shkrimet e botuara te gazeta juaj e bindin lexuesin se ai trim që pati guximin gjatë Luftës NAÇL, atë guxim pati kur drejtoi shtetin, ushtrinë, dhe po me atë guxim bëri vetëvrasje. Për guxim dhe trimëri ishte i vlerësuar nga populli, nga gjithë ushtarakët dhe nga të gjithë të huajt. Është vlerësuar edhe nga Stalini për luftën e Spanjës. Një nipi i tij kur dha provimin e diplomës në Francë për oficer, pedagogu e pyeti për mbiemrin. – Ç’ke të bësh me Shehun e Albanisë? Nipi u skuq, u turpërua para Komisionit: – E pata gjysh, – tha. – Mirë, më prit jashtë,- tha pedagogu. Në kafene i tha: – Gjyshi yt ishte trim, ishte strateg lufte dhe duhet t’i ngjash, bëhu trim si gjyshi yt Mehmet Shehu.
Prandaj mos të hidhet baltë mbi figurën e tij e të flasin se gjoja e vranë. As mbi figurën e E. Hoxhës. Të dy ishin udhëheqës shumë të zotë. E ndërtuan vendin, arsimimi dhe shëndetësia ishin falas, punësia ishte e garantuar për çdo moshë. Po sot doktorët duan lekë, të vdesësh e s’të zënë me dorë po nuk pagove. Njerëzit rrinë rrugëve pa punë. Në Fier, te sheshi që i thonë “Omonia” vijnë për të kërkuar punë me vegla në krahë edhe nga Lushnja. Nuk ikën dot, të turren njerëzit për punë, prandaj mos të hedhim baltë për këto figura që drejtuan për 40 vjet shtetin. Shqiptari dhe sot ishte i shkatërruar totalisht nga këta huliganë që po zihen për reformën në drejtësi dhe s’po e aprovojnë.
